Rruga nga Hoteli Grand deri te Katedralja pritet të bëhet shesh.

<b></b> Nënkryetari i Prishtinës për Nacionalen u përgjigjet dy anketave shokuese për kulturën në kryeqytet

Nënkryetari i Prishtinës për Nacionalen u përgjigjet dy anketave shokuese për kulturën në kryeqytet

06.06.2022 11:00

Dy anketa që Bienalja e Artit Bashkëkohor “Manifesta” i ka bërë me qytetarët e Prishtinës para se të krijonin programin e tyre për edicionin që do të mbahet në kryeqytet, kanë rezultuar me të dhëna shokuese për gjendjen kulturore. Në dy podcast-biseda që Nacionale ka realizuar me zyrtarë të Manifestës, janë vënë në pah të dhëna shqetësuese në lidhje me raportin e njerëzve me qytetin, hapësirat publike dhe pikat kulturore në kryeqytet. 

E para anketë, e realizuar me 300 persona të intervistuar nëpër lagjet e ndryshme në Prishtinë, me pyetjen nëse kanë ndonjë aktivitet kulturor në lagjet e tyre, ka vënë në pah mungesën e jashtëzakonshme të kulturës jashtë Zonës Qendër. Fiks 86% e të anketuarve kanë thënë se ndihen të përjashtuar nga aktivitetet kulturore që mbahen vetëm në qendër. 

Anketa e dytë është realizuar me 100 qytetarë të zakonshëm nëpër sheshet e Prishtinës, duke u shtruar një pyetje e thjeshtë: çfarë aktiviteti kulturor zhvillojnë gjatë fundjavës në Prishtinë, dhe përgjigjja e shumicës ka dalë të jetë vetëm një adresë: Qendrat Tregtare. Nacionale ka pyetur nënkryetarin e Prishtinës, Alban Zogaj, për planet që ka komuna për t’iu përgjigjur rezultateve të këtyre anketave. 

Lajmi kryesor nga përgjigjet që Zogaj i dha Nacionales, del të jetë një hapësirë e re publike. Rruga nga Hoteli Grand deri te Katedralja pritet të bëhet shesh. Zogaj nuk dha ndonjë datë të caktuar se kur do të ndodhë kjo gjë, por nga testet që ka bërë Komuna  e Prishtinës deri më tani, duket se do të ndodhë së shpejti. Në pyetjen për decentralizimin e ngjarjeve kulturore, Zogaj nuk foli diçka konkrete. Ai dha një përgjigje të përgjithësuar duke folur për rifunksionalizimin e disa shtëpive kulturore nëpër lagje të ndryshme. Megjithatë, nga përgjigjja që dha, del që drejtuesit e komunës e kanë kuptuar se shumica e qytetarëve të Prishtinës ndihen të përjashtuar nga ngjarjet kultuore që ndodhin në qendër të qytetit. 

Dy pyetjet e Nacionales dhe përgjigjet e Zogajt: 

Çka po ndërmirret që të ketë një decentralizim të aktiviteteve kulturore nëpër lagje?

Zogaj: Ne jemi duke punuar shumë që krejt lagjet me pasë aktitvitete kulturore. Jo pra aktivitetin kulturor me e centralizu në sheshin kryesor të Prishtinës, por vazhdimisht të kemi edhe aktivitete kulturore, në mënyrë që qytetarët me u përfshi në aktivitete sa më shumë. Gjithashtu edhe do të ndërtojmë pjesën e qendrave kulturore nëpër lagje, ku do të mbajnë koncerte të vogla, e kështu me radhë. 

Çili është plani për me u ndihmu qytetarëve që me u siguru hapësira publike të qasshme për ta?

Zogaj: Plani jonë është sporti dhe aktivitetet kulturore. Festivalet e fëmijëve. Do t’i khejmë rrugët në parqe. Po e mbyllim rrugën prej Hotelit Grand deri te Katedralja, atje do të kthehet një park publik ku do të ketë në vazhdimësi aktivitete kulturore e sportive, në mënyrë që sa më shumë hapësirë publike të kthehet për qytetarët e Prishtinës.

Tjera nga autori:
1