<b>Nga Haradinajt te Valon Berisha:</b> Emisioni anglisht me të ftuar kosovarë që 'nuk e shikon askush'

Nga Haradinajt te Valon Berisha: Emisioni anglisht me të ftuar kosovarë që 'nuk e shikon askush'

14.06.2022 15:00

Gjasat janë të mëdha që ju kurrë në jetën tuaj të mos keni dëgjuar për emisionin ‘Live from Bërnica Park’ që transmetohet në ‘RTV Dukagjini’ dhe YouTube. Madje, gjasat janë që edhe vetë disa prej të ftuarve të mos e kenë shikuar veten.

Duket ashiqare që është një spektakël që bëhet për qejfin e autorit. Por ajo që është e rëndësishme për ne si audiencë lokale qëndron te një detaj tjetër: çka flasin të famshmit kosovarë kur flasin në gjuhën angleze. A ndryshon qasja e tyre? A janë më open-minded? A dalin të kenë komplekse e forma inferioriteti? A janë më katolikë se papa?

Një person me emrin Alan Fox - pronar i kompleksit ‘Chelsea Point’ në Bërnicë, është protagonist i një emisioni me figura nganjëherë të rëndësishme nganjëherë jo edhe aq – flet në gjuhën angleze me të ftuarit nga fusha të ndryshme shoqërore, politike, kulturore e sportive.

Shembull, në episodin e fundit kishte të ftuar gazetarin Adriatik Kelmendi, i cili në gjuhën angleze zbuloi se ishte fans i motoçikletave dhe si me një “Vespa” kishte bërë një udhëtim dikur nga Prishtina në Romë. Interesante, apo jo? Nga llojllojshmëria e mendimeve shumëdimensionale që mund të më jenë sjellë nëpër kokë gjatë jetës për Adriatik Kelmendin, asnjëherë nuk e kisha paramenduar të ulur në një “Vespa”, duke shijuar aventura me motor nëpër Evropë.

Derisa Kelmendi elaboron në tipet e motoçikletave dhe për çka shërbejnë, një shërbyese sjell “gishtërinj pule” për të ngrënë për të dhe Fox.

Ky i fundit duket tip karizmatik, me një hiperaktivitet që karakterizon të huajt e pasur që jetojnë në Kosovë, por që i vë në siklet vendasit pa shumë vetëbesim e të goditur historikisht – fillimisht nga lufta, pastaj edhe nga evente të ndryshme të çuditshme, si shembull, të jetuarit në shtetin më të izoluar në Evropë – fusni në ekuacion se ata duhet të artikulohen në gjuhën angleze, dhe kemi një produkt final dinjitoz për fansat e skenave të sikletshme.

Për të qenë të sinqertë, Fox duket se ka karizmën e duhur për të drejtuar një “Talk Show” në çdo vend të botës – minus disa monologëve të sikletshëm që i interpreton para se të prezantojë të ftuarit.

Në njërin po fliste për “linë e majmunit”, në një tjetër vë pikëpyetje në mënyrën si janë krijuar veshët e qenieve njerëzore, teksa krijon një narracion që pretendohet të jetë komik por për asnjë moment nuk të ngjallë të qeshura – veç nëse jeni pjesë e publikut në emision, i cili duket se në secilën episod është në disponim “të shkrihet” nga shakatë, apo gjysmëshakatë, e drejtuesit.

Natyrisht, shtytje në vete mund të jetë nëse jeni pronar i objektit ku po zhvillohet ngjarja dhe krejt kompleksit multimilionësh të patundshmërisë - gjithçka mund të tingëllojë më qesharake atëherë.

Në fakt, duhet të jetë shumë më e lehtë nëse drejtuesi i një emisioni që merr nga 500 shikime në YouTube të jetë pronar i një kompleksi gjigant që të sigurojë figura eminente si të ftuar, përfshirë emra si Ramush Haradinaj e Valon Berisha. Sa prej tyre realisht mund të kenë pronë në ‘Chelsea Point’?

Në fakt, dy episodet e fundit të ‘Live from Bërnica Park’ kanë marrë një shikueshmëri prej 563 dhe 284 klikimesh në YouTube, me të ftuar si Adriatik Kelmendi, respektivisht Arta Selimi.

Askush nuk e shikon këtë emision, e drejtë të themi, por kjo nuk duket se ndikon në disponimin e Fox, i cili në baza të përjavshme me vullnet shfaqet para ekranit duke elaboruar në narracione e tema të ndryshme me të ftuar, po ashtu nga më të ndryshmit.

Është për t’u admiruar, sinqerisht. Njeriu sigurisht se jeton në komoditet të lirë financiar dhe tash përdor lidhjet e tij shoqërore prej manjati ndërtimesh, për të bërë paksa qejf në moshë të shtyrë duke krijuar një emision që “nuk e shikon askush”, por hej, të paktën i ndihmon në mbytjen e kohës dhe përmbushjen e dëshirave që të shfaqen kur arrini në një pikë e moshë që ndjeni se keni bërë mjaft në jetën profesionale, dhe filloni të ndiqni ndoshta ëndrrat që ju kanë mbetur pezull nga koha e rinisë.

Tjera nga autori:
1