Historia e jashtëzakonshme e adoloshentëve rom, ashkalinj dhe egjiptas që po përgadisin një shfaqje teatrale në Fushë Kosovë

<b></b> Nga lëmosha dhe xhamat e veturave “te Semaforat” në skenën e teatrit si aktorë

Nga lëmosha dhe xhamat e veturave “te Semaforat” në skenën e teatrit si aktorë

25.05.2022 13:35

Deri vonë është dashur që përpos kërkimit të lëmoshës të ketë kujdes nga veturat e shumta që vozisin shpeshherë pa takt te hapësira që njihet si “te semaforat” afër Katedrales “Nëna Tereza” në Prishtinë. I duhej të kujdesej që të lëvizte në mënyrë shumë akrobatike për t’i ikur ndonjë rreziku nga vetura. 

Tash, Xhyljeta, 15 vjeçare, ka tjera halle. I duhet që të bëjë lëvizje akrobatike për të arritur efektin e shfaqjes në të cilën është angazhuar. Ajo është një nga 13 adoloshentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas që janë pjesë e organizatës “United Towards Art”, që po e përgatisin një shfaqje teatri me hije. 

Tema e shfaqjes flet pikërisht për eksperiencën e saj, si fëmijë që detyrohet të punojë për të siguruar jetesën për të dhe familjen. Por, për Xhyljeten kjo shfaqje nuk është një ripërjetim i eksperiencës së saj traumatike. Për të kjo shfaqje është një eksperiencë fenomenale. Ajo thotë se ndihet e lumtur. 

“Jam tu u kënaqë. Jam mësu se si me vallëzu, edhe me lujtë pak me hije edhe me muzikë”, thotë Xhyljeta në një pauzë të shkurtër nga provat. 

Nacionale ishte në një nga provat që grupi i drejtuar nga Ardijan Krasniqi, 17 vjeç, Muhamet Ademi, 22, dhe Veton Gashi, 23, është duke i mbajtur jo në një skenë të vërtetë teatri por në amfietatrin e Stacionit të Trenit në Fushë Kosovë. Kushtet bazike aty mungojnë për të realizuar edhe ndonjë akademi përkujtimore e lëre më një shfaqje. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi për grupin që po e përgatisin shfaqjen e 4-t në dy vitet e fundit. 

“E para ka qenë ‘Racizmi Vret‘, një tjetër ka qenë për Kujtim Veselin, fëmija që u përdhunua dhe më pas u vra, tjetra ka qenë 'Një familje gjatë karantinimit', e tash kjo për mungesën e edukimit”, thotë Ardijan Krasniqi, që drejton grupin e adoloshentëve të tri komuniteteve pakicë. 

“Kjo shfaqja që jemi duke e bërë tash, flet për një fëmijë që e braktis shkollën për të punuar te Semaforët”, shton Ardijani. Ai e ka ëndërr që të bëhet aktor, edhe pse tash si adoleshent merret më shumë me organizim të grupit. 

“Ky është lideri i grupit”, thotë Muhamet Ademi, një nga regjisorët e shfaqjes. Ademi është një ish-futbollist, pjesëtar i komunitetit egjiptas. 

“Unë jam marrë me futboll, por tani e pata një lëndim edhe më pas e zbulova teatrin”, shton ai, duke treguar se ëndërr e ka të pranohet në Fakultetin e Arteve, dega aktrim ose regji. 

“Edhe unë këtë andërr e kam dhe besoj që do ta realizoj shpejt”, shton Veton Gashi, tjetri regjisor i shfaqjes.

Edhe pse asnjëri nga ta nuk e ka një përgatitje profesionale për të drejtuar ose bërë regjinë e shfaqjes, kjo nuk është asnjë pengesë që ta realizojnë një të tillë. Bile, një shfaqje me hije, pa tekst, që edhe shumë regjisorë me nam dhe karrierë frikësohen ta realizojnë për shkak të komplikimeve të mëdha artistike dhe kreative. 

“Edhe na po kena boll komplikime”, thotë Muhameti duke qeshur. “Për shembull po realizojmë një shfaqje me hije, por provat po i mbajmë pa asetin kryesor, pëlhura e bardhë në të cilën duhet të dalë hija e aktorit”, shton ai.

Muhameti, Ardijani dhe Vetoni, janë të vetëdijshëm që realizimi i një shfaqjeje të tillë kërkon shumë aftesi profesionale, por gjithashtu ata janë të vetëdijshëm që profesionalizmi në këtë rast nuk është që luan shumë rol. 

“E rëndësishme është që ne po i tregojmë të tjerë të rinjve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas që mund ta bëjnë një shfaqje, mund të jenë aktorë e regjisorë. Ose së paku që teatri u takon edhe atyre”, thotë Ardijani. 

Stigmatizimi dhe paragjykimi i komuniteteve shumicë ndaj këtyre tri pakicave kombëtare, është ende i madh. Treshja drejtuese thotë se njerëz të ndryshëm ia kanë vënë në pikëpyetje aftësinë, ose i kanë qeshur kur iu kanë treguar se po bëjnë një shfaqje. 

Problemi i madh i paragjykimit ndaj këtyre komuniteteve tregohet më së miri edhe përmes storjes së Elmedin Hysenit. Ai është 16 vjeçar, në klasën e 9-të, në Fushë Kosovë. Thotë se gjithmonë ka pasur dëshirë që të bëhet aktor, ose së paku të luajë në një shfaqje. Por tash që i ka ardhur rasti, stigmatizimi dhe paragjykimi nuk e lejojnë Elemedinin që të tregojë haptas për realizimin e ëndrrës së tij. Kur e pyetëm nëse e ka ndarë këtë lajm me nxënës të tjerë të klasës, ai rrëfen për narrativën përqeshëse që ekziston në Kosovë për pakicat.

“Nuk u kam kallëzu, sepse e kam ditë që kanë me m'keshë. Qeshtu jena na. Veç një shokut i kam kallëzu”, thotë Elmedini. Megjithatë, ai mezi pret që të ngjitet në skenë të vërtetë. Shfaqja është menduar të jepet në qershor të këtij viti në skenën e Teatrit “Oda” në Prishtinë. 

Shumica e tyre e kanë për herë të parë edhe hyrjen në një teatër, e lëre më lojën në një skenë teatri. Kjo e bën edhe më të jashtëzakonshëm dhe spektakolar këtë grup të adoloshentëve. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse të gjithë duhet të shkoni për ta parë këtë shfaqje. Për të parë këta adoloshentë që janë sinonim i një beteje të vazhdueshme që komunitetet pakicë duhet ta përjetojnë për të siguruar jetesën. Ose vendin në një skenë teatri.

Tjera nga autori:
1