Një politikan, ylli i ditës së parë në Panairin e Librit në Prishtinë - NACIONALE

Një politikan, ylli i ditës së parë në Panairin e Librit në Prishtinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy vitet mungesë të Panairit të Librit në Prishtinë nuk është se kanë ngjallur aq shumë entuziazëm te qytetarët. Së paku jo në ditën e parë të tij. Por as pas dy vitesh mungesë, dy gjëra nuk kanë ndryshuar aspak: i nxehti i madh dhe shtëpitë tradicionale botuese me çmime gjithashtu tradicionale. Njerëzit hynin e dilnin vazhdimisht duke u endur nga shtandi në shtand por pak ishin prej tyre që blenin.

Shumë bre shtrenjtë, ose është tu m’u dokë mu”, tha një qytetar teksa po bisedonte me një nga shitësit e librave.

Renditja e shtëpive botuese është tradicionale me vitet e kaluara. Edhe ato që promovojnë libra me konspiracione gjithashtu janë të vendosura në pjesën e zakonshme, sallën e dytë brenda Sallës së Kuqe. Hapja e Panairit gjithashtu është tradicionale. Veçse aty mungon Daut Demaku që tradicionalisht në emër të organizatorëve hapte "festivalin e librave". Këtë vit atë e hapi Edon Zeneli. Por politikanët, ishin kryesorët. Aty foli ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

“Fajet Pandemia - problem lufta në Ukrainë”

Ndikimi i pandemisë në shtëpitë botuese dhe shkrimtarët u përmend edhe në hapje. Edon Zeneli nga Shoqata e Botuesve të Kosovës tha se përkundër faktit se panairi ka munguar dy vite për shkak të pandemisë, libri ka qenë shoqëruesi i shumicës së njerëzve. Më pas shprehu lumturi se panairi po mbahet pas dy vitesh, duke u mburrur se sivjet në Panairin që do të zgjasë deri më 12 qershor, po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj është rreth 2 mijë, ndërsa numri i i titujve të viteve të fundit, rreth 6 mijë. Ndikimin e Pandemisë u vërejt edhe te disa shtëpi botuese. Një nga to ishte ajo “Uegen”, nga Shqipëria. Rigels Banaj nga kjo shtëpi botuese tha për Nacionalen se krahasuar me panairet e viteve të kaluara, sivjet ka një rënie të vizitorëve, por edhe të shitjes.

“Ne kemi disa tituj të rinj këtë vit në panair, por krahasuar me tri vite më parë, jo edhe mirë. Ndoshta pandemia e lufta ka ndikuar. Kush dëshiron të shpenzojë për libra në këto kohë?”, tha Banaj, teksa tha se kjo rënie është vërejtur edhe te Panairi i Librit në Tiranë.

Artin Ahmeti nga Shtëpia Botuese “Artini-Toena” tha se janë diku 30 tituj të rinj në këtë shtand, dhe se krahasuar me vitet e kaluara, nuk është se po vëren ndonjë ndryshim.

“Kjo është vetëm dita e parë, por interesimi është ok”, tha Ahmeti.

Kur u pyet për çmimet dhe ankesat e qyetarëve për çmime të larta, ai tha se shtëpia që ai përfaqëson ka ulje deri në 30 për qind nga çmimet zyrtare në libraritë e tyre. Por kjo do shumë kohë që të vërtetohet.

Veton Surroi mungon, Glauk Konjufca ylli i Panairit

Në hyrje të sallës kryesore në Sallën e Kuqe është shtandi i botimeve “Koha”, i cili për vite me radhë kishte edhe yllin e saj, publicistin Veton Surroi. Ai këtë vit nuk ka asnjë libër të ri, andaj edhe në shtandin e “Kohës” nuk janë të sigurt nëse këtë vit do ta zënë pozitën e parë për librat më të shitur.

“Kemi 33 tituj të rinj prej 2020-ës, ndërsa 140 tituj gjithsej. Por sivjet nuk kemi ndonjë libër të ri nga Vetoni, përndryshe do të ishte sigurt libri më i shitur i panairit”, tha një nga përgjegjësit në shtandin e Kohës.

Këtë vit, fluksi i njerëzve shkoi te shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila ka botuar dy libra të kryeparlamentarit Glauk Konjufca: “Epistema e Dhomës së Zezë” dhe “Ontologjia e Artit të Shtatë”.

Nacionale ishte aty kur Konjufca erdhi në Panair dhe filloi të jepte nënshkrime për “fansat” e librave të tij. Kur ai u pyet nëse “është më mirë të nënshkruash ligje apo libra”, Konjufca pati një përgjigje paksa romantike.

“Kjo është dashuria ime e parë”, tha Konjufca, teksa nënshkruante librat e tij.

Sipas Dukagjinit, “Librat e Konjufcës sjellin një model të ri analize teoriko-filozofike të artit të shtatë dhe të të gjitha elementeve përbërëse, si dhe na ndihmojnë ta njohim më mirë këtë ‘zeitgeist’ të fundshekullit XX”, por ne ende s’i kemi lexuar, andaj nuk mund t’ju themi se kjo është plotësisht e vërtetë.

Lajme të ngjashme