"Nuk dija qysh të sillesha me stjuardese, i kopjoja të tjerët çka po bënin": Pse kosovarët s'dinë të sillen në aeroport?

08.06.2022 15:12

Sa prej jush njihni dikë që nuk ka fluturuar asnjëherë me aeroplan ose madje që nuk ka qenë fare në aeroportin që mban emrin e heroit kombëtar “Adem Jasharit”?

Realisht, gjasat janë të mëdha që secilit lexues të këtij artikulli t’i shkojë mendja te dikush. Për më tepër, edhe nëse ia bëni disi që të siguroni një vizë dhe të prenotoni një fluturim, mundësitë janë reale të përjetoni ankth e shqetësim për mënyrën si do të gjindeni në aeroport, nëse po udhëtoni për herë të parë.

A duhet të hiqni vetëm rripin e pantollonave, t’i hiqni edhe pantollonat?

Fluturimi me avion duhet të jetë veprim i plotkuptimshëm dhe i thjeshtë për çdo fëmijë e të rritur të botës së qytetëruar e zhvilluar në shekullin XXI. Sigurisht se trajtohet si i mirëqenë dhe ashtu është për çdokë që nuk përballet e as s’është përballur me probleme të llojit të getos në mes të Evropës.

"Ka qenë ndër eksperiencat më të mira në jetë", e komenton për Nacionalen Bislimi, 25-vjeçar – qytetar i Prishtinës - eksperiencën e tij të parë në aeroplan që e bëri këtë vit, kur udhëtoi nga Prishtina në Londër për të vizituar një mik që e kishte ndihmuar ta siguronte vizën.

"Pritja në aeroport për udhëtim, check-ini, udhëtimi e shumë gjëra të tjera kanë qenë paksa të habitshme për mua. Kur kam përcjellë dikë për në aeroport, diçka që gjithmonë ka qenë mister per mua, ka qenë pjesa ku përshëndetemi dhe  hamendësoja çka ka prapa atje, dhe më në fund erdhi dita kur do t'i zbuloja këto gjëra, falë një angazhimi të madh disa-javor duke u marrë me procedurat e vizës," shton tutje ai.

Por, këto janë probleme të një shoqërie që ende po përballet me probleme qarkullimi të lirshëm përtej një fluske me territor prej 10,887 kilometrash katrorë.

Hajt, t’i lëmë anash për një moment proceset burokratike e ndërshtetërore, raportet e progresit, e kushtet që duhet plotësuar një shtet për të siguruar dritën e gjelbër për liberalizim vizash, me të cilat një qytetar i rëndomtë nuk ka të bëjë asgjë. Të flasim pak për detajet tjera, të cilat sigurisht se nuk diskutohen në tryeza kryeministrash e presidentësh kur flitet për çështje vizash.

Bislimi ka zbuluar detaje tjera interesante nga eksperienca e tij që, për të, kishte impakt nënvizues.

“Hipja ne aeroplan ka qenë ndjenjë e veçantë gëzimi, frike dhe dëshpërimi - një mori ndjenjash të përziera. Për secilën e kisha përgjigjen në mendje, i gëzuar se po e përjetoj një gjë të re dhe e kisha ndjenjën e lirisë dhe frikës sepse isha shumë larg tokës, duke provuar diçka të re që nuk ishte e njohur për trurin tim,” shton tutje ai.

Bislimi, njëjtë si shumë të rinj tjerë, ndjen pendesë dhe zhgënjim që nuk ka arritur më herët të përjetojë udhëtimin me aeroplan.

“Ndjenja e dëshpërimit ishte ajo që mbizotëronte pak më shumë sepse ndërlidhej me shumë gjëra. Kaluan 25 vite dhe tani erdhi radha për udhëtim jashtë vendit”.

Udhëtimi në një moshë të shtyrë për nga natyra e eksperiencës, mund të shkaktojë komplekse të pakëndëshme, si ky më poshtë për të cilin rrëfen Bislimi.

“U ndjeva shume i kufizuar, nuk dija se si të reagoja me stjuardesa, rrija gjithë kohën duke shikuar të tjerët se si po reagojnë në mënyrë që mos të ndihesha i veçantë. Gjithashtu isha shumë i dëshpëruar për vendin tim që nuk kemi mundësi të udhëtojmë lirshëm”.

Por, përveç të rinjëve, duket se nga hutia e stresi kaplohen edhe të moshuarit.

“Zakonisht udhëtarët që udhëtojnë për herë të parë, kërkojnë të takohen me udhëtarë që jetojnë në destinacionin për ku udhëtojnë por që janë nga Kosova, dhe në fluturimin e njëjtë”, thotë Valentina Gara, zëdhënëse e aeroportit.

“Kryesisht më të emocionuarit janë të moshuarit. Kjo për arsye në shumicën e rasteve del të jetë gjuha dhe mungesa e udhëtimeve. Shqetësohen për procedurat deri te takimi i familjarëve apo miqve që atje i takojnë dhe kryesisht i frikësohen orientimit nëpër hapësira të aeroporteve në një shtet të huaj.

Ndërkohë, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger ka marrë një iniciativë që njëmend nënvizon komplet narracionin dhe qasjen e çuditshme të këtij unioni që po vazhdon t’i mohojë Kosovës të drejtën e lëvizjes, pa ndonjë arsye solide. Ajo ka krijuar një peticion online ku njerëzit mund të nënshkruajnë që kosovarët të fitojnë liberalizimin e vizave, derisa Franca dhe Holanda mbeten dy shtetet që kanë më së shumti dilema.

Tjera nga autori:
1