Paralelja problematike Ukrainë-Kosovë

<b></b> Paralelja problematike Ukrainë-Kosovë

Paralelja problematike Ukrainë-Kosovë

30.05.2022 13:34

Në ditën e fundit të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u zhvillua një debat i quajtur ‘Paralelja problematike: Ukraina dhe Kosova’. Në këtë debat që u mbajt në Enžio HAB në Beograd, të pranishëm ishin: Sonja Biserko, Idro Seferi, Boris Varga dhe Visar Imeri. U moderuara nga zyrtari për komunikim në BE, Filip Lukiq. 

I gjithë diskutimi ishte rreth disa fakteve për të cilat rrallë e hiç flitet, si dhe për perceptimet dominuese të pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që kanë të bëjnë me pushtimin e Ukrainës. Vetë konkluzioni i debatit është se tema e luftës në Ukrainë po shfrytëzohet për qëllime politike për të luajtur me traumat që janë ende të pranishme në rajonin tonë.   

Diskutimi u nis nga reporterja Sonja Biserka, sipas së cilës, data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar.

“Data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar. Por Putini gaboi në perceptim për Perëndimin. Investoi shumë para për të korruptuar majtistët. Ai u befasua kur bota perëndimore reagoi me solidaritet ndaj Ukrainës. Ai u befasua edhe nga rezistenca e Ukrainës. Kosova është pjesë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Gjithçka filloi me grevën e studentëve e më pas për dy dekada ndodhi terror shtetëror”, tha ajo.

Më tutje, ajo pati diçka për të shtuar edhe për kontekstin e nisjes së luftës në Kosovë:

“Shqiptarët u larguan nga institucionet. Pacifizmi i tyre ishte i veçantë. Por pas Daytonit, shqiptarët nisin të pyesin nëse Rugova po bënte politikë relevante. Kur u shfaq UÇK-ja, Beogradi nisi ndërhyrjen e madhe. Krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron. Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. Serbia synon ndarjen e Kosovës. E Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, shtoi më tej ajo.

Analisti Visar Ymeri e vendosi diskutimin duke e bërë të qartë se njëra nga qëllimet e luftës së Rusisë është ndryshimi i regjimit në Ukrainë.

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka ardhur pas një numri të madh të krimeve dhe masakrave që janë kryer nga policia e ushtria serbe. Janë dhënë shenja për politika gjenocidale. Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht. Kurse invazioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e krejt Ukrainës. Tash rajoni ka filluar të shihet edhe më shumë si problem sa i përket sigurisë. Në këtë drejtim konsideroj se varësisht qasjes së Kurtit e Vuçiqit, Perëndimi do të ketë kërkesë më të madhe që të gjendet zgjidhje”, thotë Ymeri.

Madje, spias tij, një prej qëllimeve të luftës së Rusisë duket se ka qenë dhe mbetet ndryshimi i regjimit në Ukrainë, gjë që nuk ka qenë rast i njëjtë me NATO-n dhe intervenimin në Kosovë.

“Unë mendoj që mund të ketë ngjashmëri në mënyrën se si i shohim zhvillimet e caktuara si bombardimet e shtëpive, përjashtimin e njerëzve nga Ukraina. Natyrisht që kjo na evokon realitetin tonë gjatë luftës në Kosovë. Por në rrafshin politik, duhet të kemi parasysh se Pavarësia e Kosovës vjen si rezultat i shkrirjes së Jugosllavisë”, thotë ai.

Gazetari Idro Seferi theksoi bombardimet e NATO-s dhe që nuk ekziston një ide e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Për shumëkë në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Nuk përmendet tjetër gjë. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane. Nuk ekziston ideja e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje. Serbia nuk ka dashur që ta zgjidhte çështjen e Kosovës në mënyrë politike. Në vitet ’90 Serbia i shtyu shqiptarët e Kosovës që të bëjnë protesta pasi nuk e respektoi as marrëveshjen për t’i lejuar shqiptarët që të arsimohen. Ka narracion se shqiptarët kanë ardhur vonë në këto anë. Një politikë e tillë bën që të stagnojë i gjithë rajoni.”

Gjersa gazetari dhe publicisti Boris Varga theksoi rreth asaj se si lufta në Ukraninë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.

“Atje është kryer një krim i madh. Suksesioni si term është i manipuluar nga Putini për të realizuar objektivat e tij. Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën. Në disa debate të mbyllura e të hapura jam habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë. Kjo pasi Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën”, thotë Varga.

Pra, sa i përket përplasjeve politike, historia e Kosovës është duke shërbyer për përplasje midis Federatës Ruse dhe Perëndimit.

Tjera nga autori:
1