Intervista e Dua Lipës në Vogue qet në pah rrënjet e thella të familjes patriakale në Kosovë

Intervista e Dua Lipës në Vogue qet në pah rrënjet e thella të familjes patriakale në Kosovë

11.05.2022 13:13

Mund të jesh yll botëror i muzikës dhe të ndërtosh në mënyrë të pavarur karrierën dhe personalitetin tënd qysh në moshën 15 vjeçare, por të jetuarit në një familje patriarkale është një pasojë që nuk hiqet lehtë, madje ka efekte të pashlyeshme. Këtë e pranon edhe vetë ylli i pop muzikës, Dua Lipa, në një intervistë të gjatë për nder të prezantimit në ballinën e “Vogue” në Amerikë, teksa shpjegon rolet e ndara në familjen e saj, që janë tipike patriarkale: babai punon, nëna rri në shtëpi.

Shkrimi i gjatë i “Vogue” me titullin “Dua Lipa e vërtetë”, citon edhe motrën e Dua Lipes, Rinën, e cila përshkruan motrën e saj si një kopje të babait, Dukagjin Lipa.

“Dua është është kopja e babait. Identike. Ata kanë etikë të ngjashme pune dhe ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën”, citohet të ketë thënë Rina Lipa në këtë shkrim që është përtkhyer nga Nacionale prej “Vogue”.

Më pas, shkrimi vazhdoi ta citojë Rinën teka shpjegon rolin e nënës së saj dhe Duas, Anesa Lipa, si një grua e fokusuar në familje.

“Nëna jonë është shumë e orientuar kah familja dhe gjithmonë thotë ‘Kujdesu për motrën dhe vëllain!’ e kjo është pikërisht ajo që bëri Dua - ajo u kujdes për neve”, tregon Rina.

Tash, është naivitet që të cilësojmë familjen Lipa si sinoniom të patriarkalizmit të egër që është pjesë e madhe e familjeve të zakonshme kosovare, megjithatë kjo ndarje e roleve në një familje që ka jetuar mes Londrës e Prishtinës, që kultivon kulturë dhe muzikë, tregon shumë për rrënjet e thella të patriarkalizmit në shoqërinë kosovare.

Për ta sqaruar edhe më tej. Kur Rina Lipa tregon se si motra e saj Dua Lipa kujdeset për të dhe vëllain e saj, ajo në fakt përshkruan narrativën tradicionale të familjes patriarkale që përcakton disa role për “djalin e madh” dhe “çiken e madhe” me role të ndara. Djali i ndihmon babës, e çika zëvendëson nanën, duke u bërë një nënë e dytë.

Por, nuk është vetëm Rina që qet në pah rrënjet e thella të familjes patriarkale në Kosovë. Është vetë Dua Lipa teksa përgjigjet në 73 pyetjet e “Vogue”, një format i njohur i revistës për yjet e muzikës.

“Isha 4 ose 5 vjeç kur kam shkruar këngën e parë, dhe ajo i dedikohej nënës”, tregon Dua. Gazetari menjëherë e pyet se çfarë tipare ka marrë nga nëna, dhe ajo i përgjigjet pa hezitim.

“Definitivisht kam marrë anën edukative, e kam një dëshirë që të kujdesem për njerëzit e tjerë”, thotë Dua duke e personfikuar nënën e saj si një njeri që kujdeset për familjen. Por, kur gazetari e pyet se cilin tipar e ka marrë nga babai, përgjigja është një e vërtetë shokuese e narrativës patriarkale, për rolin e babait / burrit në familje.

“Sa i përket babait, nga ai kam marrë tiparet e të punuarit pa ndalur dhe elementin e kuriozitetit”, thotë Dua.

Pra, një baba shumë punëtor dhe një nënë që rri në shtëpi dhe kujdeset për të tjerët. Intervista bëhet edhe më e sikletshme kur “Vogue” e pyet Duan se cila është fjalia më e përdorur në gjuhën shqipe në familjen e saj. Përgjigja është tipike: “Çka ka me hangër?”, thotë Dua Lipa.

Ajo i referohet nënës menjëherë, teksa shpjegon se përse bëhet kjo pyetje dhe cila është domethënia e saj, duke ia atribuuar asaj edhe një rol tjetër patriarkal: përgaditjen e ushqimit, ose vendi në kuzhinë.

“Nëna ime është një kuzhiniere shumë e mirë. Gatuan receta të mrekullueshme tradicionale shqiptare…”, thotë Dua teksa në përgjigjen e saj në pyetjen e radhës se çka ka mësuar në jetë pasi ka dalë nga familja, përgjigjja është sërish me ‘ushqimi, kuzhina'.

“Kam mësuar të gatuaj, të laj enët dhe t’i laj rrobat”, thotë Dua, duke përmbushur kështu mozaikun tipik të detyrave të një gruaje të pavarur e jo të një burri të pavarur.

Se sa thellë janë rrënjet e patriakalizmit në familjet kosovare dhe se si ato nuk mund të hiqen as në familjen e një super ylli botëror si Dua Lipa, e shpjegon sërish motra e saj Rina Lipa. Ajo teksa flet për Duan në intervistën e “Vogue”, tregon se si Dua Lipa është aq shumë e dhënë pas gatimeve dhe kuzhinës, sa ka edhe qasje egoiste, duke insistuar që edhe darkën e Krishtlindjeve ta gatuajë vetë.

Kësisoj, ajo na bën të kuptojmë që Dua mund të jetë ylli numër një i muzikës në botë, por ndikimi i patriarkalizmit është aq i thellë dhe i fortë, sa rregullat patriakale që shtyjnë vajzat dhe gratë në kuzhinë kanë qenë determinuese edhe për të.

Tjera nga autori:
1