Prishtina do të mbesë edhe pa Teatrin Kombëtar për së paku dy vite - NACIONALE

Prishtina do të mbesë edhe pa Teatrin Kombëtar për së paku dy vite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Kulturës ka vendosur që godina e Teatrit Kombëtar të Kosovës t’i nënshtrohet një renovimi të plotë. Sipas një njoftimi zyrtar të MKRS-së, “për vite me radhë, ndërhyrjet renovuese në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk e kanë zgjidhur në tërësi problemin me strukturën, instalimet dhe funksionalitetin e përgjithshëm të ndërtesës”, kështu që ata kanë vendosur që pas kryerjes së analizës “nga ekspertë të MKRS dhe Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina"”, ta rinovojnë komplet godinën.

“Kemi konkluduar të lartë të degradimit të ndërtesës e hapësirave brenda saj, madje, me nivel të theksuar të rrezikshmërisë për punonjësit apo njerëzit që e frekuentojnë këtë institucion të rëndësishëm të artit e kulturës”, thuhet në njoftimin e minstrisë.

“Për këtë qëllim është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Fakultetit të Ndërtimtarisë, Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetit të Inxhinerise Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike për ofrimin e ekspertizës profesionale për QRTK në Prishtinë në procesin e hartimit të projektit të konservimit/restaurimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.Në përfundim të këtij procesi, MKRS është e bindur se kryeqyteti do të rifitojë një institucion teatror me hapësira funksionale, moderne dhe të përshtatshme për të zhvilluar veprimtarinë e dy nga institucionet kryesore të artit skenik, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar të Kosovës”, thuhet tutje në lajmin që e ka dhënë MKRS.

I menjëherëshëm ka qenë reagimi i komunitetit artistik. Ish-drejtori artistik i këtij Teatri, drejtor i Qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj ka shkruar se në dukje renovimi është lajm i mirë, por në fakt është skandaloz. Ai ka numëruar disa prej arsyeve.

“Sepse mbyllja e Teatrit Kombëtar për një renovim kaq të thellë, nënkupton mbyllje për një kohë të gjatë! Dhe nëse zyrtarisht këta thonë që mbyllja do të zgjasë 1 vit, atëherë t’jemi të sigurt që mbyllja do të zgjasë së paku 2 vite. Së paku dy vite!”, ka shkruar Neziraj.

Ndërkohë, sipas tij, nuk është krijuar një plan i ‘zhvendosjes’ së Teatrit Kombëtar diku tjetër; as i stafit administrative e as atij kreativ.

“Mirë, se disa zyre edhe mund të gjenden diku, ku të zhvendoset administrata, megjithatë, është më se e sigurt që Ministria nuk ka siguruar një hapësirë për program – dhe edhe nëse gjendet ajo hapësirë, do të duhet kohë që të adaptohet dhe të transformohet në hapësirë teatrore. Pra, s'ka shfaqje, s'ka program... Dhe kjo, njerëz, i bie: për së paku dy vitet e ardhshme, edhe një teatër më pak në Prishtinë”, ka thënë Neziraj.

“Ndërkohë, vazhdojmë me improvizime, vazhdojmë me vendime për “restaurime emergjente”, vazhdojmë pa Teatër Kombëtar... Edhe ashtu, atje ka mbi 6 muaj që nuk shtë prodhuar ndonjë shfaqje në skenën e madhe! Propozoj që Teatri Kombëtar të zhvendoset në Shkup (për inati të Tiranës), ose në Podgoricë!”, ka shtuar ai.

Gjatë kësaj jave, Prishtina ka mbetur edhe pa festivalin më të madh të muzikës “Sunny Hill” pasi sipas organizatorëve “Qeveria e Kosovës ka zvarritur skajshmërisht procedurat për dhënien në shfrytëzim të një toke në Bërnicë të Prishtinës”. Gjithashtu për shkak të lokacionit gjatë kësaj jave edhe “Beer Fest” ka thënë se nuk do të mbahet në Prishtinë.

Lajme të ngjashme