<b></b> Prokuroria në Ferizaj i thotë Nacionales se pretendimet e Butës se korruptoi prokurorin

Prokuroria në Ferizaj i thotë Nacionales se pretendimet e Butës se korruptoi prokurorin "nuk qëndrojnë"

31.05.2022 10:57

Për pretendimet e reperit Buta se si e kishte liruar nga burgu vëllain e tij (të dyshuarin për vrasjen në Ferizaj) duke e korruptuar prokurorin e rastit të tij, tashmë ka folur për Nacionalen edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Vrasja e Gazmend Hysenit nga Qëndrim Januzi – vëllai i reperit Betim Januzi – ka bërë që të ketë një inspektim më serioz të teksteve të reperëve kosovarë që shprehin dhunë.

Në një artikull të publikuar nga gazeta Nacionale gjatë javës së kaluar, tregohej se si reperi Buta pretendonte për mënyrën se si e kishte liruar vëllain e tij nga burgu, e i cili më vonë do të kryente vrasjen mizore në një lagje të Ferizajt.

"Unë kom rrejtë n'gjyq, pa mu dridhë as ni qerpik, prokurorit ni bakshish, vëllau m'dul mu për ni ditë", thotë Buta në tekstin e tij të këngës së titulluar “Freestyle”.

Nëse këto janë thjesht pretendime pa bazë ose jo, Nacionalja i ka dërguar pyetje Prokurorisë Themelore në komunën e Ferizajt.

Kjo është përgjigja e Prokurorisë, pa ndërhyrje:

“I nderuar, duke ju referuar pyetjeve të parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se pretendimet e tilla të paraqitura në video-klip nuk qëndrojnë.

Fatkeqësisht, Prokuroria në përgjigjen e kthyer Nacionales nuk ka treguar nëse ky tekst është shqyrtuar në të kaluarën dhe nëse për një çështje të tillë është ndërmarrë ndonjë hetim.

Në atë kohë kur kishte ndodhur rasti, Prokuroria pretendon se Qëndrim Januzi ishte “i mitur” (nën moshën 18 vjeçare) dhe se për këtë arsye kishte paraqitur “tri propozime” për shqiptimin e masës edukuese për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Reperi Buta raportohet të jetë larguar nga Kosova, derisa përplasjet mes reperëve pas vrasjes së Gazmend Hysenit janë parë edhe në rrjete sociale.

Qëndrim Januzi pas vrasjes së viktimës Gazmend Hyseni është konfrontuar me armë edhe me policinë e Kosovës dhe ka mbetur i plagosur.

Tashmë, ndaj Januzajt është ngritur aktakuzë për veprat penale: “"Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve", "Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm" dhe "Lëndim i lehtë trupor" (Për të cilat ka edhe Aktgjykime dënuese nga ana e Gjykatës Themelore në Ferizaj).“

Prokuroria Themelore në Ferizaj po ashtu thotë se ka ngritur aktakuzë edhe ndaj reperit Buta për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të lexuar gjithçka prej rastit siç ishte raportuar nga Nacionalja, ju ftojmë të klikoni KËTU.

Tjera nga autori:
1