<b>Rritet trendi</b> i mbjelljes së flokëve në Kosovë: Heronjtë kombëtarë mund të kenë faj

Rritet trendi i mbjelljes së flokëve në Kosovë: Heronjtë kombëtarë mund të kenë faj

07.05.2022 14:29

Ardhja e kapitalizmit në Kosovë solli një lumë detyrimesh, një prej të cilave ishte edhe detyrimi për t’u ‘paketuar’ si një mall konsumi. E ky paketim prishet kur flokët bien: s’të marrin seriozisht nëpër biseda, s’ta rrasin çikat, s’të sheh me sy shefi, etj. Vitet e fundit janë bërë veçanërisht të rënda për burrat kosovarë pa flokë, duke i dhënë ekzistencë një industrie që përfiton nga fatkeqësia e tyre: flokëmbjelljes.

Kur i mendova një nga një të gjithë heronjtë tanë kombëtarë, e pashë se shumica prej tyre kishin flokë të mira. Ose të paktën, ashtu portretohen. Skënderbeu paraqitet madje edhe si flokëgjatë. Po njësoj edhe Çerçiz Topulli me Mic Sokolin. Adem Jashari bile i jepte goxha rëndësi flokëve, siç mund ta shihni në fotografinë e mëposhtme.

Pra, as historia nuk ka qenë fort e këndshme me njerëzit të cilëve iu binin flokët. A mund t’i vëmë faj? Por, stigma është hequr e po hiqet dhe për këtë ne ofrojmë dëshmi.

Gazetari i njohur Resul Sinani, shembull, thotë se prononcimit të tij publik si një person që i ka mbjellur flokët, ia kanë parë hairin shumë të rinj të tjerë. Në fakt, gjëja më e vështirë në bazë të asaj që mësova nga deklarata e tij, ishte procedura e gjatë 12-14 orëshe.

"Është anestezion lokal. Domethënë vetëm lëkura mpihet. Pasi e kom bo intervenimin, me dhjetëra djem të ri më kanë shkru në mesazhe, të cilët kanë përjetu ramje të flokëve pikërisht në moshën e re, 18-23-vjeç. Në kontakt me ta e kuptojsha se shumica e kanë problem pse u kanë ra flokët, por pasi i kanë mbjellë, janë nda shumë të kënaqur".

Në fakt, mbjellja e flokëve po ndikuaka pozitivisht edhe në aspektin e disponimit ditor dhe menjanimit të "nervozizmit" thotë një personazh me inicialet Z. D. që nuk donte të na jepte krejt emrin.

"Veç bahesh nervoz, me të thonë të drejtën (kur të binë flokët). Ki stres prej asaj pune, sa herë t'çohësh në mëngjes e këçyrë veten në pasqyre. Mu berberi m'ka shti me i mjellë flokët".

Derisa personazhi në fjalë po tregonte për nervozën psikologjike që përjetonte sa herë shikohej në pasqyrë, po më shkonte mendja te figura tjera historike të cilëve megjithatë iu kishin rënë flokët: Ismail Qemali, Anton Qetta, Isa Boletini, mes tyre. Pra, s’kishim heronj që perëndia i kishte bekuar veç me flokë të mira.

Për Qettën, nuk do mend se ai mund të jetë "nervozuar sa herë është shikuar në pasqyrë", por kjo s’e ka penguar në përpjekjen që të pajtonte shqiptarët e Kosovës, jo me fatin e flokë-rënies, por me familjet me të cilat ishin në hasmëri të përgjakshme.

Isa Boletini, në anën tjetër, do të ishte e drejtë të aludojmë se mund ta ketë pasur kompleks dhe "nervozë sa herë është shikuar para pasqyrës" çështjen e rënies së flokëve, marrë parasysh paraqitjet e tij të përgjithshme në publik, ku gjithmonë është shfaqur në shoqërinë e plisit në kokë, të paktën sipas materialeve publike.

Uh njëmend, plisi. A mos është vendosur mbi kokët e shqiptarëve bash për ta fshehur rënien e flokëve?

Mëkat që këta heronj kanë pasur "fatin e zi" të lindnin në një periudhe kaq primitive të kuadrove të mangëta mjekësore sa i përket transplantit të flokëve, pasi ky proces në kokën e tyre do të mund të ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, gjithnjë në bazë të asaj që thotë Leonora nga "Advanced Clinic Prishtina".

"Transplanti bëhet duke marrë rrënjë nga pjesa e prapme e kokës (ku çuditërisht po del se nga ajo pjesë nuk ka rënie kurrë) dhe pastaj vendoset në pjesën ku ka mungesë të flokëve".

As tërheqja e 12 mijë fijeve nuk do t'ia linte shenjë pjesës së prapme të kokës së Anton Qettës, lëre më 6 mijëshi (sa Leonora thotë se është maksimumi i tërheqjes).

Rënia e flokëve po del të jetë problem historik, e që kush e di... ndoshta do të mund të ndërronte detaje të të bëmave të rëndësisë monumentale të kombit shqiptar, varësisht nëse figurat e përfshira kanë qenë me apo pa probleme të rënies së flokëve.

Pikëpyetje janë edhe kushtet financiare? A do t'i kishin për t'i shpenzuar 1500 euro (sa Z.D na thotë se i kushtoi) Isë Boletini e Ismail Qemali në transplante flokësh, që pastaj të mos vuanin nga nervoza "sa herë dalin para pasqyrës".

Nuk do mend pse në shumë klipe e foto që i kanë mbijetuar kohës, Adem Jashari dhe Hamëz Jashari (të dy pa probleme me rënie flokësh) në shumë paraqitje publike shihen të buzëqeshur e të lumtur, ndërsa më pak mund të themi për Ismail Qemalin e Isë Boletinin, sidomos për këtë të fundit.

Të rinjtë e të vjetrit kosovarë tash e kanë luksin ta shndërrojnë veten në figura të rëndësishme historike pa probleme të rënies së flokëve. Në fakt, gjasat që kjo të ndodhë janë të mëdha nëse bazohemi në atë që na tha Valmira Xani nga klinika "Ozone".

"Çdo vit po shkon tu u rritë interesimi. S'muj me dhonë naj statistikë por kohëve të fundit interesimi është më i madh", thotë ajo, derisa refuzon të jap detaje tjera.

Isë Boletini e Ismail Qemali nuk do të kishin shumë arsye shqetësimi për efektet anësore potenciale të mbjelljes së flokëve, të paktën jo në aspektin dermatologjik, sipas dermatologes Shkëndije Dobruna.

"Mbjellja e flokëve nuk paraqet ndonjë problem, dhe nëse respektohen protokollet dhe kushtet sterile, nuk do të duhej të ketë efekte anësore. Kujdes të veçantë duhet të ketë nëse pacienti ka nevuse/nishane të cillat nuk duhet të lëndohen apo të përfshihen në  transplantim te fijeve. Natyrisht, paraprakisht duhet te vlersohet lëkura te pjesa që merren fijet", u shpreh ajo.

Me trendin në rritje të këtij fenomeni, duket se pas jo shumë kohësh s’do të na mbetet asnjë burrë flokë-rënë, e të tillë do t’i kemi edhe heronjtë tanë. Por, a është vërtet kaq e rëndësishme dukja fizike? Nëse me fjalë themi se jo, veprat po na e përplasin një po të fortë fytyrës.

Tjera nga autori:
1