<b></b> Sa i duam fëmijët tanë? Shqyrtim kritik për

Sa i duam fëmijët tanë? Shqyrtim kritik për "Fëmija i pestë" i Doris Lessing

24.05.2022 15:48

Pak fjalë, shumë pak fjalë, për ngjarjen:

Kur Davidi dhe Harieta takohen në ndejën e Krishtlindjeve organizuar nga puna dhe bien në ‘’dashurinë idilike në shikim të parë’’, ata pajtohen për pothuajse gjithçka. Të dy persona me dëshira të qarta për të marrë një shtëpi jashtë Londrës e për të krijuar e rritur një familje prej hiç më pak se dhjetë fëmijësh, e gjithë ambicia e tyre ekonomike dhe e stabilitetit në karrierë, orientohet drejt arritjes së këtij qëllimi. Një çift i natyrshëm, me dy persona ‘’klasikë’’ (në kuptimin e mënyrës së jetesës) dhe me një përfytyrim ideal për jetën e së ardhmes, ata e porosisin shtëpinë të cilën s’e përballojnë dot duke shpresuar në ndihmë nga prindërit dhe në ngritje page, veçanërisht të Davidit (pasi Harieta do t’i përkushtohet fëmijëve). Një nga një, ata lindin Lukën, Helenën, Xhenin dhe Polin. Problemi, si edhe thelbi i këtij romani, është “Fëmija i pestë”: Beni.

Zgjidhja e jashtme për problemet e brendshme:

Të sfilitur nga tentimi për t’u kujdesur për katër fëmijët, një shtatzëni e pestë iu duhej më së paku Davidit dhe Harietës. Ata përballen me vendosjen e qëllimit të tyre për “familjen e ëndërruar” përballë këshillave, deri edhe urdhrave të njerëzve përreth, sipas të cilëve ata nuk duhet të bëjnë më fëmijë. Këtu, Lessing na vendos përpara një përplasje që ndoshta është më e vjetra e qytetërimit: ambicia e individit dhe përceptimi “pragmatik” i rrethit.
Kur shtatzënia e pestë, megjithatë ndodh, Harieta dhe Davidi e shohin veten para një situate të pazgjidhje, para së cilës mundësia e vetme është t’i rikërkojnë Dorotës, nënës së Harietës, ndihmë. Beni është një djalë i çuditshëm, shumë më i fuqishëm se fëmijët e kohës, që ecën para kohe, që është i dhunshëm edhe në gjimarrje e që, sapo bëhet mjaftueshëm i fuqishëm, vret kafshët përreth shtëpisë.

Alienimi i Benit nga rrethi përballet me agresivitetin e instinktit mëmësor të Harietës e cila nuk e pranon dot që, për dallim prej fëmijëve tjerë, Benin e do dukshëm më pak. Lexuesit e pasionuar të letërsisë mund ta kujtojnë fillimin e distancimit të familjes së Gregor Zamzës, në novelën monumentale të Franz Kafkës ‘’Metamorfoza”, pasi ky i fundit fillon të shndërrohet në insekt.
Një përballje të tillë, ndonëse shumë më normale në dukje, na e sjell Lessing me dehumanizimin që rrethi fillon t’i bëjë Benit.
Dorota, e kërkuar nga bija tjetër, Sara, shkon t’i ndihmojë asaj. Sikur në rastin e shtëpisë, edhe në atë të fëmijëve, Davidi dhe Harieta nxirren përpara një mësimi të madh: problemet e brendshme nuk gjejnë dot zgjidhje të jashtme dhe, të qenit “i ndihmuar”, nuk mund të jetë pozicion konstant.

Pak kontekst:

Lexuesi duhet të ketë parasysh se ngjarjet Lessing-u i ka vendosur në kontekstin e revolucionit seksual të viteve 60’. Në këtë periudhë, normat e sjelljes, veçanërisht në raport me seksin, po ishin më fluide se kurrë dhe po ndërronin me shpejtësi të madhe.
Së këndejmi, është mjaft e lehtë të thuhet se Davidi dhe Harieta ishin “të dalë mode” në përjetimin e tyre për seksualitetin dhe familjen, deri në nivelin që bëhen shqetësim për të tjerët. Kaq të papërvojë sa “iu falen” të gjithë idilizmat në raport me të ardhmen, familjen dhe mënyrën sesi e përfytyronin veten.





Idealist? Vërtet? Deri kur?

Mendimi se idealizmi i vërtetë, në kuptimin klasik të fjalës, është i testueshëm veçanërisht në kushte të vështira, është legjitim. Megjithatë, edhe në hierarkinë e nevojave të njeriut (përpiluar nga psikologu i njohur amerikan Abraham Maslow), luksi për të ndjekur ideale kërkon një set të tërë nevojash të plotësuara dhe Lessingu, me shumë gjasë duke qenë e vetëdijshme për këtë hierarki, i vë përballë të papajtueshmet: dëshirat e mëdha e mundësitë e vogla.
Mund të ngrisni edhe mendimin sipas të cilit dëshirat e këtij çifti nuk ishin në fakt të mëdha: shtëpi dhe familje.
Opinion legjitim, por i pasaktë. Pyetja është: ç’shtëpi dhe ç’familje? Kërkesat e tyre, në kontekstin e tyre, ishin përtej të arritshmes.

Duke qenë kështu, ata kalojnë në pragmatizëm. Por, mjeshtria e Lessingut qëndron në zhbirimin e mënyrës sesi këto personazhe e shohin “zgjidhjen praktike”

Zgjidhja e Davidit: Beni është fëmija problematik. Të heqim dorë nga Beni, ashtuqë të kemi kohë për ‘’t’iu përkushtuar fëmijëve të tjerë".

Zgjidhja e Harietës: Beni është fëmija problematik. T’i lëmë pak anash fëmijët e tjerë (që nuk përbëjnë problem, që janë fëmijë ‘’normalë’’) dhe t’i kushtojmë më shumë kohë e energji Benit.

Zgjidhja triumfuese: Lexojeni librin!

Thelbi i librit është një pikëpyetje filozofike që nuk ka sesi të mos vërehet, pavarësisht modelit të leximit: A jemi gjithmonë të dëshirueshëm për prindërit tanë? A i dëshirojmë gjithmonë fëmijët tanë? Çka ndodh kur kontekste të caktuara e sfidojnë, deri në shembje, këtë raport?

Tjera nga autori:
1