<b>Spider-Man</b> mbetet superheroi më i popullarizuar në botë, ja pse e duan të gjithë

Spider-Man mbetet superheroi më i popullarizuar në botë, ja pse e duan të gjithë

30.05.2022 17:57

Nëse kërkoni të paktën veç një analizë të të dhënave kërkimore në 'Google' sa i përket superheronjëve gjatë vitit të kaluar, Spider-Man është e pamundur të mos ju shfaqet. Sipas uebsajtit 'Zavvi', hedhësi i rrjetave është superheroi më i popullarizuar i botës me më shumë se 5 milionë kërkues në muaj.

Por si e ka cementuar veten në krye të një tregu të gjërë e të larmishëm?

Duke folur për 'CNN', shkrimtari, performuesi dhe fansi i librave komik, Reece Connolly përshkruan Spider-Man - superheroin e tij të preferuar - si "hero në formën më të thjeshtë që shfrytëzon atë që i është dhënë për të ndihmuar njerëz".

"Është normal. Është djalosh i ri, sikleti dhe budallallëku i të cilit e bëjnë atë superheroin më mishërues që ekziston. Nuk është asgjë i veçantë, është thjesht normal".

Connolly thotë se, ndryshe nga Batman, superheroi i dytë i preferuar i tij, Spider-Man nuk ka "miliarda dollarë në bankë. Ai është thjesht më mishërues se një miliarder që jeton në një vilë të veten".

Ai potencon se jeta e Spider-Man - me shumë probleme në shkollë dhe familjen - përmban një skenar që shumë fansa e kanë përjetuar gjatë jetës.

"Por është më shumë se aq. Ai ka një jetë të vështirë, tragjike dhe prapë mban entuziazmin e qenushit të vogël për jetën dhe vazhdon të mbizotërojë", gjë që është inspiruese, thotë Connolly. "Leksioni jetësor i të qenurit i mirë me të tjerët dhe i marrjes së përgjegjësisë", i cili i është dhënë nga halla May dhe daja Ben, është shumë prezent në pjesën e karakterit të Peter Parker – potencon Conolly.

Dr. Ilham Sebah, një psikolog nga Universiteti i Londrës, thotë se idea "ringritjes nga vështirësitë" është sinonim i rezistencës - "aftësia për t'u adaptuar dhe përshtatur me streset" që eksperiencojmë gjatë jetës.

Louise Phull, një fans i filmave të Spider-Man, beson se "fragjiliteti" i superheroit dhe "zhvillimi i karakterit" e bëjnë atë më human dhe të pëlqyeshëm, veçanërisht kur ai sakrifikon aq shumë për "të mirën më të madhe".

Psikologjia pozitive ka një teori që thotë se kualiteti i jetës mund të përmirësohet nga eksperiencat subjektive, të cilat evidentohen nga mënyra si Spider-Man merret me problemet që i shfaqen.

"Ai është vazhdimisht fragjil, por arrin ta tejkalojë dhe asnjëherë nuk prek fundin e humnerës", dhe kjo është e admirueshme sidomos për fëmijët të cilët e shohin atë si model, potecon Phull për 'CNN'.

Kompasi i moralit mishërohet në një frazë të cilën e dinë gjithë fansat e Spider-Man: "Me fuqi të madhe vjen përgjegjësi e madhe", e cila i thuhet atij nga daja në shumë versione të stories së Spider-Man, dhe halla e tij së fundmi në filmin e vitit 2021 "Spider-Man: No Way Home".

Numri i parë i "The Amazing Spider-Man" u publikua në vitin 1963. Personazhi ka ruajtur një tërheqje të qëndrueshme, duke kaluar nga komikja në karikaturat dhe filmat "live-action".

"Është një mësim jetësor shumë i fuqishëm për të gjithë sepse, çkado që ju është dhënë në jetë, është përgjegjësia juaj që literalisht ta përdorni për t'i ndihmuar të tjerët dhe ta përmirësoni botën rreth jush", thotë Connolly.

Spider-Man shpesh ka probleme të balancojë hedhjen e rrjetave heroike me identitetin e tij që nuk ka të bëjë me superhero, siç është Peter Parker. Parker është shpesh i brishtë dhe i bullizuar nga Flash Thompson, por nganjëherë fuqia që tregon në ego i del në mbrojtje. Në librin komik "The Amazing Spider-Man #2", Parker i kundërvihet Thompson, duke i thënë "të paktën truri im nuk është i lidhur me muskuj, si ajo koka jote e trashë!"

Connolly thotë se superfuqitë e tij nuk janë gjëja e vetme "e veçantë" që ka Spider-Man sepse edhe superheroi edhe Peter Parker njihen si karaktere të mençura.

"Edhe kur është në mesin e betejës me Rhinon, ai prapë bën shaka - shaka të këqija shumicën e kohës, por shpesh janë më të mirat e llojit në fjalë".

Në librin komik, "Ultimate Spider-Man #1", kur Goblini i Gjelbër sulmin shkollën e tij, Spider-Man thotë: "Ju nuk besoj se jeni mësuesi i ri për klasët parashkollore, apo jo?"

Sebah, i cili është i specializuar në studimet e qëndrueshmërisë, potencon se humori është një mekanizëm që të ndihmon në rikuperim, sidomos kur dikush po kalon nëpër vuajtje.

Gjatë pandemisë që ka shkaktuar rrëmijë në jetët tona, mund të jetë shumë e rëndësishme për fansat të shohin një rezistencë të tillë të karaktereve shumë të dashura në ekranin e madh.

"Mund të gjesh shpresë në këto karaktere", thotë Connolly.

"Kur janë të shkruar shumë mirë, ata gati të japin ndjesinë se janë të vërtetë. Dhe ata kanë qenë aty për një kohë të gjatë për shumicën prej nesh, si përmes librave komikë, filmave, lojave", thotë ai.

"Dhe në kohë të errëta, është mirë të kthehemi te ta dhe të marrim inspirimin e duhur".

Tjera nga autori:
1