<b>Të rinjtë</b> që luajnë Counter-Strike s’aplikojnë për status të veteranit të UÇK-së, duan njohje nga familjet

Të rinjtë që luajnë Counter-Strike s’aplikojnë për status të veteranit të UÇK-së, duan njohje nga familjet

11.05.2022 14:33

Vëmendja që kryeministri i Kosovës Albin Kurti po i kushton Counter Strike-ut kohëve të fundit për shkak të fitoreve të një grupi nga Kosova, po kritikohet. Por, veterani i luftës, Kurti, duket se nuk është i vetmi që po rrëmbehet nga kjo frymë pro-Counter.

Realisht, nëse nuk keni qenë pjesë e komunitetit të fanatikëve të video-lojërave kompjuterike në të kaluarën, është e vështirë të mbash ritmin me atë që po ndodh. Humbesh e përhumbesh, dhe s’kupton asgjë!

Gjithçka mori këmbë thuajse përnjëherë. Është fjala për audiencën e gjërë të atyre që nuk kishin shumë ide se diku dikush po punonte me zell për t'u futur në miks me më të mirët e botës për reflekse të gishtit tregues. Çelësi i suksesit duket të jetë aty.

Njërën dorë në tastierë për të drejtuar ushtarin fiktiv brenda kompjuterit, ndërsa dorën tjetër në miun lëvizës - shenja e plusit në mes tregon nishanin dhe është mirë ta drejtoni në kokën e ushtarit kundërshtar, nëse po kërkoni lavdinë përmbushëse për të vrarë rivalin, i cili ndan të njëjtin qëllim me ty. Komuniteti i video-lojës në fjalë do të argumentojë se është shumë më shumë se kaq, por hej... si e shoh, ashtu e quaj.

U desh të shkoja aty ku nisi gjithçka për grupin 'Bad News Eagles' për të marrë vesh më shumë për çka bëhet fjalë.

"Sa po i don?", më pyeti njëri derisa po ngjitesha shkallëve të objektit të famshëm për lokalet e njohura si 'Lesna', ku internet kafetë gjejnë përfaqësim me bollëk.

Ishte errët dhe ambient getoje, shpejt u bë e qartë për çka po më pyeste... Pyetjes nëse dëshiroja të blija narkotikë iu përgjigja me një tjetër pyetje: "Ku është interneti që lujnë CS:GO?" Ishte diller bashkëpunues, nuk hezitoi të më udhëzonte drejt asaj që po kërkoja, e që ishte vetëm 5 metra më larg nga qoshja ku ai po i kryente aktivitetet e tij biznesore.

CS:GO për ata që nuk e dinë është akronimi për fjalët Counter-Strike: Global Offensive.

"Po, kanë lujtë këtu para 10 vjetëve", më tha drejtuesi i kafe internetit - kur e pyeta nëse ‘Bad News Eagles’ frekuentonin këtë vend, ku të gjithë ishin të fiksuar për të vrarë sa më shumë ushtarë fiktivë.

Sigurisht, nuk duhet të jetë aq e thjeshtë, fundja kryeministri i Kosovës po e sheh të arsyeshme të veshë fanellë e të bëjë postime ekzaltuese në lidhje me dinamikat e kësaj bote.

“E du… tepër kompetitive, tepër e vërtetë, tepër mençuri e përfshirë. Shumë ndërlidhje, shumë lojë e thellë, varësisht me çfarë lojtarë lunë. Me lujtë me lojtarë të mirë, munët me konë loja më e mirë në botë. Me lojtar të këqinj, ta shpifë edhe loja”, më tha Miloti, pasi arrita ta gjeja jashtë frekuencës së fokusit brenda botës virtuale, pasi në internet-kafenë ku po qëndroja ishte thjesht e pamundur të merrje guximin ta ndërpreje ndonjë person.

Të gjithë me kufje në vesh e fokus maksimal në atë që po ndodhte në monitor.

‘Bad News Eagles’ dukej se kishin filluar rrugëtimin krijues drejt kompeticionit më prestigjioz të CS:GO-së në botë nga një vend që supozohej të ishte destinacion perfekt për të humbur kohë duke qenë zero produktiv. Kur flasim për nxjerrjen e më të mirës nga situata, ekipi i lartpërmendur po shndërrohej në një grup gjenish në sytë e mi.

Edhe aspekti financiar ishte perfekt për dikë të paangazhuar, e që ka kohë me bollëk për të vrarë, edhe figurativisht edhe literalisht. 50 cent kushtonte ora dhe nuk ishte çudi të shihje aty-këtu dikë duke ngrënë darkë, në të njejtën kohë derisa po luante video-lojën për të cilën kryeministri i Kosovës po shfrytëzonte platformat e fuqishme sociale për ta promovuar.

Një praktikues tjetër i kësaj video-loje, Enisi, ngriti një çështje interesante rreth vështirësive me të cilat përballen të rinjtë që dëshirojnë të kalojnë kohë të lirë në internet kafe duke luajtur CS:GO.

“Është mentaliteti kosovar për lojërat kompjuterike, që shumica nuk u japin përkrahje fëmijëve në këtë aspekt. Kjo është arsyeja kryesore pse sportet elektronike te na nuk kanë mbërri.”

Epo, duket nismë e mirë në përmirësimin e kësaj dukurie fakti që ‘Bad News Eagles’ po merr përkrahje masovike morale nga figura si kryeministri i vendit.

Një arsye në miksin e një grumbulli të të tillave pse prindërit vendosin të shndërrohen në bllokadë parandaluese që fëmijët e tyre të mos kalojnë shumë kohë duke u marrë me CS:GO, mund të jetë raporti shqetësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në lidhje me varësinë ndaj video-lojërave si kjo për të cilën ‘Bad News Eagles’ po marrin kaq shumë vëmendje.

Varësia nga loja “CS:GO” mund të manifestohet në mënyrë të ndryshme te njerëz të ndryshëm, sipas parapëlqimeve të tyre për lojën ose çrregullimeve të tjera mendore. Zakonisht, varësia shfaqet në shfrytëzimin e kohës së tepërt duke luajtur ose duke i shpërfillur aspektet e tjera të jetës.

Në fakt, sipas hulumtimeve globale shëndetësore po del se CS:GO, specifikisht, krijon dukshëm varësi më shumë se lojërat tjera.

Nëse jeni prindër dhe jeni të shqetësuar për sasinë e kohës që fëmija juaj e kalon duke e luajtur lojën “CS:GO”, shikoni se sa mirë qëndron fëmija në shkollë dhe në shoqëri. Notat e mira në shkollë dhe raporti i mirë me shokët e shoqet janë shenja të mira se loja “CS:GO”, edhe nëse është luajtur për një kohë të gjatë, nuk ka shkaktuar ende varësi.

Disa nga simptomat emocionale të varësisë nga loja CS:GO janë nervozizmi, kur ka mungesë të qasjes në lojë, përdorimi i gënjeshtrës ndaj familjes dhe miqve në lidhje me sasinë e kohës së kaluar duke luajtur, izolimi nga të tjerët për të kaluar më shumë kohë duke luajtur dhe preokupimi me mendime për aktivitetin e mëparshëm në lojë ose me pritjen për të luajtur përsëri.

Me një fjalë, kjo është realisht ajo çka përfaqëson CS:GO në komunitete shoqërore, por nëse është e asaj rëndësie sa të marrë përkrahje nga figura të pushtetshme si kryeministrat, kush është OBSH-ja e ne që ta gjykojmë? Në fakt, kur e shikon në aspektin komercial, duket mundësi perfekte për figura të tilla si kryeministri i një vendi të tërheqë simpatinë e moshave të reja, duke u mishëruar me atë që është trend, në kontrast me të rriturit, që është më e vështirë t’i “mashtrosh” me manovra të tilla.

U përshëndetëm me komunitetin që po luante në atë orë të dhënë te ‘Lesna’ duke uruar që edhe ata të mbërrinin sukseset e Bad News Eagles.

Tjera nga autori:
1