<b></b> Virgjëresha shqiptare dhe Drag Queen i Londrës: shkëlqimi i dramës së Jeton Nezirajt

Virgjëresha shqiptare dhe Drag Queen i Londrës: shkëlqimi i dramës së Jeton Nezirajt

11.05.2022 14:22

Mbrëmë isha i ftuar në Teatrin Oda për premierën e shfaqjes “Burrnesha” me regji të Erson Zymberit, e të shkruar nga Jeton Neziraj. Dramat e Nezirajt konsideroj që i njoh mirë. Të paktën aq mirë, sa që më është krijuar tashmë një set pritshmërish për çka më pret kur shkoj në teatër për ta parë një shfaqje të tij, apo kur më qëllon të lexoj ndonjë tekst të tij. E di, pak a shumë, çka e si do të zhvillohet.

Megjithatë, kjo nuk ishte fare e vërtetë mbrëmë. Të gjitha pritshmëritë e mia u shkërmoqën, pasi përplasja kulturore që më ndodhi para syve, nuk ishte aspak reagim klishetik i ndonjë autori që e ndjek vetëm një linjë. Pse është kështu? Le t’i shkojmë argumenteve me radhë.

Edith dhe virgjëresha shqiptare

Hulumtuesja e re Edith nga Londra, e nis dramën duke prezentuar gjetje nga hulumtimi i saj për një krijesë të çuditshme, ekzotike, të ndryshme: virgjëreshën e përbetuar shqiptare, gruan që jeton si burrë, e që bëhet ‘burrneshë’. Ajo e prezenton këtë hulumtim, duke na sjellë përpara syve një përplasje të kulturave, me rastin e një babai emigrant që kishte përfunduar në polici i akuzuar për pedofili pasi e kishte postuar veten duke i puthur gjenitalet djalit të tij për t’i uruar synetinë.

A do të mjaftonte kaq, për ta përfaqësuar këtë përplasje? Për të na e sjellë, pa nevojën për të shpjeguar tutje, faktin që ajo që është e lavdërueshme në një kulturë, është krim në tjetrën? Me siguri po, por kjo është veç nisja.

Sensi i humorit si një tis i hollë, dhe i ironisë superiore që kultura e madhe, ajo britanike, ia mvesh një kulture inferiore e të izoluar. Llupa e superioritetit, bëhet edhe më brutale më tutje kur Edith, pasi takon burrneshën shqiptare, e provokon atë seksualisht duke dhënë sinjale pëlqimi si ‘grua ndaj gruas’.

Ladies and Gentlemen, shikojeni kafshën në kafaz!

Drama e virgjëreshave të betuara shqiptare, është drama e vendosjes së dikujt, krejt kundër emocioneve e hormoneve të veta natyrale, për hir të një konsensusi social: ashtuqë të drejtat që i takojnë natyrshëm veç burrave në këto shoqëri fisnore, t’i takojnë edhe gruas. Pra, veç kur ajo nuk është vetja, mund të jetë mjaftueshëm e mirë për të qenë e barabartë.

Edith: Çka ka ndryshuar që je bërë burrneshë?

Sose: Kam ndryshuar unë, ka ndryshuar fati i kësaj shtëpie.

Edith: Si ka ndryshuar fati i kësaj shtëpie?

Sose: Sepse tash ka zot shpie. Së paku për aq sa të jem unë gjallë.

E megjithatë, kur Juliani, një regjisor në prag-dështimi që e mban veten për Drag Queen të Londrës, vihet në kontakt me këtë fenomen, e gjithë drama e saj, i gjithë përjetimi jashtëzakonisht i rëndë i kapërcimit ndër-gjinor shndërrohet në kauzë të ringritjes në karrierë të tij, duke e modeluar burrneshën shqiptare si kafshën e radhës për t’u parë, në kafazin e tij ekzotik e të përçudshëm.
Ky brutalitet kulturor përshkallëzohet edhe më tutje në prezentimin që i bën në “Teatrin Soho” Juliani, burrneshës shqiptare Sose.

Julian: Zonja dhe zotërinj! Dhe tani momenti i shumëpritur, ajo që ne do ta quajmë, e pamundura e mundur. Qindra vite më parë, atëherë kur Londra nuk ekzistonte, ose e shumta, mund të ketë qenë një fshat i vogël, në një vend të vogël në Evropë, në vendin e shqiponjave, jetonin në male virgjëreshat e përbetuara shqiptare, të quajtura “burrnesha”. Atëherë kur anglezët gratë i trajtonin si skllave, për punë të rënda, për të lindur fëmijë, i shisnin si mall dhe i shkallmonin në dajak, në Albaninë e vogël, gratë ishin të lira të zgjidhnin të jetonin si gra apo të bëheshin burra. Bëheshin burra nderi. Po, zonja dhe zotërinj. Atëherë kur termat, transgender, cros-gender, transeksual, biseksual, aseksual, travestit, queer e ku dreqin ta dij, pra, atëherë kur këto terma s’ ekzistonin, në Albani, burrneshat shqiptare jetonin të lira, respektoheshin nga gratë e më shumë nga burrat. Shumë pak nga ju e dini që të jetosh si pjestar i një gjinie tjetër nuk është diçka e re, në disa vende, si në Albaninë e vogël, kjo gjë është traditë. 

Naiviteti, injoranca dhe modeli kulturor i “të madhit” që “të voglin” e sheh kulturalisht vetëm përmes optikës së tij, dhe refuzon si të panevojshëm çdo informacion për kulturën e tjetrit, që do t’ia pamundësonte realizimin e këtij spektakli ahuman, vihet në spikamë e në test përgjatë krejt shfaqjes, me personazhin e Julianit. Shkrimi i Nezirajt është i dendur, me funksion të qartë dhe që na e jep formulën “form follows function” të shkrimit kreativ. Asgjë në këtë dramë nuk është e vënë kot, dhe nuk është pa funksion.

Dashuria e ndaluar

Saherë flitet për një dashuri të ndaluar, në universin e letërsisë e të artit, rreziku për klishe është tepër i madh. Kjo përshkak se dashuria e ndaluar është storie arketipike, që e përcjell rrëfimin njerëzor prej atij mitik, deri tek ai bashkohor.

Megjithatë, në këtë kurth klishetik nuk bie autori. Ai e kapërcen me zhdërvjelltësi dhe me vetëm dy skena sensin erotik ndërmjet Edith dhe Soses. Po të ishte më e dendur, do ta dëmtonte dramën aq keq, sa do t’ia humbte krejt meritat. Por, territoret e ndërmjetme, ato ku dramaturgët mezi hyjnë, janë territoret ku Neziraj ka shkëlqyer saherë që e kam parë. Aq më tepër, në këtë dramë.

Me këtë zhdërvjelltësi, më duhet ta them në këtë trajtim: Jeton Neziraj është pa dyshim dramaturgu më i shquar i Kosovës sot, edhe atë krejtësisht me meritë.

Jo sepse nuk ka huqje, përkundrazi. Neziraj ka edhe drama që, të paktën në gjykimin tim modest, dalin mesatare. Por, sepse ka edhe drama si kjo, që dromcojnë secilën pjesë të kulturës që e kanë përpara, për ta sjellë në teatër një shfaqje nga e cila publiku do të përfitojë. Në mos asgjë tjetër, do ta shohë kataklizmën që prodhojnë ndeshjet kulturore që e pranojnë njëra-tjetrën vetëm sa për sy e faqe.

Konstatimet për Nezirajn i thamë, tani le t’i kthehemi shfaqjes:

Aktorët

Para se t’i vlerësoj, më duhet të shtoj që këto janë vetëm përshtypje. Unë nuk jam as studiues e as kritik teatri. Ndihem shumë më jokompetent sesa në pjesën ku fola për dramën e Nezirajt. Megjithatë, përshtypjet e mia, po i ndaj.

Tringa Hasani – Burrnesha (Sose)

Sikur të ishte e menduar ekskluzivisht për atë rol, aktorja Tringa Hasani e ka zotëruar pothuajse secilën pjesë të rolit. E vetmja gjë që mund të të shqetësonte lehtësisht në performancën e saj, ishte se herë pas here dukej si e frikësuar për përgjegjësinë që kishte marrë. Kjo frikë, herë pas here (por jo aq shpesh), i vërehej në notat e zërit që, në skena të caktuara si monologjet e virgjëreshës, i shkaktonin dridhje të lehta. Megjithatë, frika e aktorit nuk është gjë e keqe, pasi modelon dikë që e ka marrë shumë seriozisht punën dhe dëshiron ta bëjë aq mirë sa mundet.

Tringa Hasani e ka potencialin e një aktoreje të shkëlqyeshme, të cilës përvoja do t’ia modelojë edhe më tutje sjelljen skenike dhe ky potencialitet, do të shndërrohet në aktualitet.

Megjithë rolin e vështirë, ajo e zotëroi, siç e thashë, pothuajse secilën pjesë të tij.

Semira Latifi – Edith

Edith është ndërmjetëza mes ekstremit të burrneshës dhe ekstremit të Julianit. Mes vetmisë emocionale, dhe spektaklit karrieristik, mes eksploatimit tipik të dhimbjes për ekzotizëm, dhe dhimbjes vetë. Në këtë ndërmjetëz, të vështirë për të sjellë balancim forcash, aktorja Semira Latifi ishte e balancuar, komanduese, dhe dukej sikur kishte gjithçka nën kontroll. Mendimi se situata mund t’i përvidhet prej kontrollit përshkak të eksplozivitetit të Julianit dhe mbylljes fatale emocionale të Burrneshës, m’u krijua dy-tri herë përgjatë shfaqjes.

Por, ajo dukej pothuajse si regjisore brenda skenës dhe këtë balanc, që kërkon të ecësh nëpër fije të holla të peformancës, e gjente natyrshëm, pa sforcime dhe me një shpërfillje sigurie që të bezdiste, por edhe të bënte të ndiheshe mirë sepse në skenë kishe dikë që e dinte fare mirë çfarë po bënte.

Kushtrim Qerimi – Julian

Roli i Julianit ishte roli i një eksploatuesi tipik. Dhe Kushtrim Qerimi u bë eksploatues për një mbrëmje.
Ai e tërhiqte shfaqjen në drejtimin e vet, duke i “rrezikuar” balancet për të cilat fola më lart. Megjithatë, kjo ishte detyra e tij dhe këtë detyrë ai e bëri mjaft mirë. Performanca e Qerimit ishte si prezenca dramatike e dikujt në një festë, të cilën mund ta prishë në çdo moment, dhe ta zbukurojë në çdo moment tjetër. Ai endej mes këtyre dy ekstremeve, duke qenë vetë ekstremi që i hidhej në qafë kulturës së vogël, nga pozicioni mospërfillës, e qe besa edhe shpotitës, i kulturës së madhe.

Duke bërë manovra, me agjendën e tij dhe asgjë pos saj në mendje, personazhi i Julianit u soll në skenë nga Qerimi ashtu siç dyshoj se do të sillej nga ndonjë aktor tjetër.

Regjia – Erson Zymberi

Nuk ka shfaqje të mirë pa regjisor të mirë. Nëse e lexoni tekstin e dramës së Nezirajt, dhe e shihni shfaqjen e bërë nga Zymberi, do të shihni se ato nuk janë e njëjta gjë. Dhe ndryshimet, që e bënë dramën t’i përshtatej skenës, e jo skenën dramës, janë meritat e regjisorit Erson Zymberi.

Fundja, nëse atij do të mund t’i faturoheshin dështimet e secilit prej aktorëve, duhet t’i faturohen edhe performancat e mira të secilit, natyrisht krahas atyre vetë.

Konstatim

Duke mos harruar të gjithë stafin ndihmues, nga ndriçimi, muzika, kostumografia e të tjera si kjo, mund të them pa dyshim, se shfaqja “Burrnesha”, është, të paktën për mua, mënyra më e mirë për ta kaluar një orë të mbrëmjes në Prishtinë.

Tjera nga autori:
1