A besonin filozofët e lashtë grekë në ekzistencën e alienëve? - NACIONALE

A besonin filozofët e lashtë grekë në ekzistencën e alienëve?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koncepti i alienëve është mjaft i vjetër. Shumë kohë përpara se qytetërimi njerëzor të zhvillonte një kuptim shkencërisht të saktë rreth kozmosit, njerëzit në mbarë botën shikonin lart nga qielli dhe pyesnin veten se çfarë kishte ‘atje jashtë’.

Disa shoqëri të lashta ‘e populluan’ këtë hapësirë të madhe, misterioze me perëndi: entitete përgjegjëse për krijimin e Diellit, hënës dhe yjeve. Ndërsa disa të tjera – trupat qiellorë të ngjashëm me Tokën i konsideruan të banuar me gjallesa jo fort të ndryshme nga ne. Në librin e tij Extraterrestrials, shkrimtari i shkencës dhe teknologjisë Wade Roush, gjurmon mbi historinë e spekulimeve rreth alienëve për gati dymijë vjeçarë e gjysmë.

Kjo histori fillon me grekët e lashtë dhe shtrihet deri në ekspeditat më të fundit të roverit në Mars. Gjatë rrugës, Roush ilustron se si bota në të cilën jetojmë formon mënyrën se si ne i konceptojmë botët që mund të ekzistojnë në hapësirën e jashtme. Historia e spekulimeve aliene nuk është vetëm historia e shkencës, por edhe historia e fesë dhe e kulturës popullore.

Antikiteti grek

Në të kaluarën, njerëzit shpesh persekutoheshin nëse guxonin të mendonin ndryshe. Një gjë e tillë ndodhte edhe në Greqinë e lashtë, një mjedis i njohur për filozofët e saj gjurmëlënës.

Kur filozofi Anaxagoras – i cili kërkoi të jepte shpjegime shkencore për fenomene në dukje të mbinatyrshme si eklipset dhe ylberët – sugjeroi se "hëna nuk është një perëndi, por një shkëmb i madh dhe dielli një shkëmb i nxehtë", ai u arrestua dhe më pas u dënua me vdekje. Anaxagoras do të kishte pasur një fat të ngjashëm me Sokratin, por u dëbua në vend që të vritej, kjo falë lutjeve të miqve të tij.

Anaksagora konsideroi gjithashtu mundësinë që hëna mund të banohej, një supozim shumë i diskutueshëm që binte ndesh me pikëpamjen mbizotëruese të kozmosit të përshkruar nga Platoni dhe Aristoteli. Platoni, i cili ‘e ndau’ realitetin midis formave dhe hijeve, refuzoi të pranonte ekzistencën e botëve të tjera përveç botës sonë. Aristoteli hodhi poshtë gjithashtu të ashtuquajturën teori të pluralitetit të botëve, sepse ajo nuk mund ‘të pajtohej’ me kuptimin e tij për gravitetin, i cili e paraqiste Tokën si qendrën e vetme të universit.


Anaximander-i ishte mendimtari i parë grek që e
konceptoi Universin si një zbrazëti të pafund.

Botëkuptimi ynë mbi astronominë nuk qëndron mbi supet e Platonit dhe Aristotelit, por mbi bashkëkohësit e tyre – shpesh të harruar. Anaximander-i, shkruan Roush, "ishte i pari që propozoi se Toka është një trup që ‘noton’ në një boshëllek të pafund, të mbajtur nga asgjëja". Demokrit-i, duke u nisur nga premisa se ekzistonte një numër i pafund atomesh, argumentoi se duhet të ekzistonte edhe një numër i pafund botësh. "Duket absurde," besohet të ketë thënë një nga nxënësit e tij, "që në një fushë të madhe duhet të rritet vetëm një kërcell dhe se në një hapësirë ​​të pafundme ekziston vetëm një botë."

Besimi në ekzistencën e botëve të tjera u kap nga një sërë filozofësh, përfshirë Epicur-in, i cili dikur i shkroi historianit Herodot se "ekziston një kozmos i pakufijshëm, dhe disa janë të ngjashëm me këtë dhe disa janë të ndryshëm". Ky besim, sado i ‘mangët’, mbijetoi në Romën e lashtë. "Asgjë në univers nuk është unike dhe e vetme," shkroi dikur poeti romak Lucretius, "dhe prandaj në ‘vende’ të tjera duhet të ketë toka të tjera të banuara nga fise të ndryshme njerëzish dhe raca kafshësh".

Revolucioni Shkencor

Duke qenë se Platoni dhe Aristoteli jetuan në një botë parakristiane, idetë e tyre rreth universit ndihmuan në formimin e doktrinës së besimit të krishterë. Gjatë Mesjetës, ky besim shpalli se Toka u krijua nga Zoti dhe si e tillë është qendra e universit. Historia e Jesus Christ-it, i cili sakrifikoi veten për të shlyer mëkatet e njeriut, e rivendosi njerëzimin si më domethënësin nga të gjitha krijimet. Edhe po të ekzistonin botë të tjera, ato nuk do të mund të populloheshin. Sepse po të pranohej një gjë e tillë, do ta zbehte përfundimisht rëndësinë e kryqëzimit.

Doktrinat e kishës nuk e ndaluan polimatin polak Nicolaus Copernicus të shkruante librin e tij "On the Revolution of the Celestial Spheres", por e penguan atë që ta botonte. Libri, i cili nuk u publikua deri në vdekjen e tij në vitin 1543, hartoi një sistem ndërplanetar të organizuar jo rreth Tokës, por Diellit. Ky model "heliocentrik" shpjegoi fenomene që modeli aristotelian nuk mundi asnjëherë t’i shpjegonte, përfshirë edhe lëvizjen retrograde (prapakthyese). Lexuesit e Copernicus-it, siç thotë Roush, u ‘përballën’ edhe "me idenë se ne jetojmë në një planet që është si çdo tjetër".

Frati dominikan, matematikani dhe teoricieni kozmologjik Giordano Bruno, nuk priti gjer në vdekje për të ndarë idetë e tij mbi universin. Në tre dialogë, të botuar mes viteve 1584 dhe 1591, Bruno supozoi se disa yje të largët mund të jenë gjithashtu diej, dhe se këta diej ishin të orbituar nga planetët e tyre dhe, së fundi, por jo për nga rëndësia, në disa prej këtyre planetëve mund të ketë jetë të ngjashme me jetën që bëhet në Tokë.

Ndonëse këto pikëpamje mund të kenë qenë të bezdisshme për kishën, ishte interesi i Brunos për magjinë dhe okultizmin ai që mbase u bë shkaku i arrestimit të tij në vitin 1952. Pasi refuzoi kategorikisht të tërhiqej nga idetë e tij, ai u dogj në turrë të druvem, pas shtatë vitesh burgim dhe torture.


Giordano Bruno mbrojti sistemin e Kopernikut,
por
magjepsja e tij me okultizmin ka të
ngjarë që 'i dha' fund jetës së tij.

Astronomi gjerman Johannes Kepler jetoi dhe punoi në rrethana të ndryshme. Kepleri lindi në Gjermani pas Reformës Protestante, që do të thotë se ai mund të publikonte kërkimet e tij pa frikën e persekutimit. Ai u ndikua veçanërisht nga zbulimi i hënave të Jupiterit nga Galileo Galilei. "Çdo planet," përfundoi Kepler pasi lexoi Galileo-n, "rrethohet nga satelitët e tij. Nga kjo linjë arsyetimi ne nxjerrim me shkallën më të lartë të probabilitetit që Jupiteri është i banuar.

Një epokë e re skepticizmi

Jo çdo pjesëmarrës i Revolucionit Shkencor besonte në ekzistencën e alienëve. Galileo, një katolik i devotshëm, i konsideroi spekulimet për alienët si "blasfemi". Polimati britanik William Whewell argumentoi kundër teorisë së pluralizmit të botëve për të mbrojtur lidhjen e veçantë mes Zotit dhe njerëzimit.

Ironikisht, teza e tij e motivuar fetarisht, e përshkruar në një libër të vitit 1853 të titulluar Of the Plurality of Worldsdoli të ishte shkencërisht më e saktë se astronomët paganë që ai kritikonte.

Roush e përmblodhi esenë e zgjuar, por të ndërlikuar të Whewell si vijon: "Nëse Toka do të kishte qenë në fakt e pabanuar gjatë pjesës më të madhe të historisë së saj, atëherë nuk do të ishte befasuese nëse planetët e tjerë të largët do të ishin gjithashtu bosh".

Shumica e yjeve, shton Whewell me fjalët e tij, “janë brenda një rajoni mjegullnajë, i cili mund të jetë lehtësisht i pabanueshëm. Dhe aty ku përfundon ky rajon mjegullnajës, i shënuar nga drita zodiakale, fillon bota e jetës, domethënë në Tokë.” Ai arrin në përfundimin se mungesa e jetës nuk e bën kozmosin më pak interesant apo madhështor.

Whewell gjeti një aleat Alfred Russell Wallace, një natyralist britanik i bashkëkredituar për formulimin e teorisë së evolucionit përmes përzgjedhjes (seleksionimit) natyrore së bashku me Charles Darwin. "Toka jonë është pothuajse me siguri i vetmi planet i banuar në sistemin tonë diellor," shkroi Wallace në 1903, një kohë kur komuniteti shkencor po debatonte në mënyrë aktive nëse Marsi fshihte ‘jetë inteligjente’. Edhe nëse jeta do të ekzistonte diku tjetër në univers, Wallace ishte i mendimit të palëkundur se nuk mund të arrinte kurrë nivelet e kompleksitetit që gjejmë në Tokë.

Megjithëse Whewell dhe Wallace u injoruan nga bashkëkohësit e tyre, shkrimi i tyre vendosi skenën për një epokë të re të pesimizmit kozmologjik – domethënë, një periudhë e vazhdueshme në të cilën alienët janë objekte të fantashkencës dhe çdo sipërmarrje gjithnjë e më gjithëpërfshirëse në hapësirën e jashtme (qoftë përmes eksplorimit apo vëzhgimi) nuk arrin të japë as dëshminë më të vogël që tregon për ekzistencën e qenieve që Demokriti dhe Anaximanderi besonin se duhej të ekzistonin.

Lajme të ngjashme