Edi Rama e kritikon opozitën për nivelin e gjuhës, vetë bën gabime elementare morfologjike - NACIONALE

Edi Rama e kritikon opozitën për nivelin e gjuhës, vetë bën gabime elementare morfologjike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli të enjten para deputetëve shqiptarë. Në një replikë, të cilën e publikoi ai vetë në llogarinë e tij në “Facebook”, Rama i kritikoi deputetët e opozitës për gjuhën shqipe. Ai u tha deputetëve të Partisë Demokratike se kanë nivel “të ulët fare” të gjuhës shqipe.

Ndonëse Rama, siç mund të kuptohet nga replika, e pati fjalën më tepër për aspektin kuptimor dhe të përmbajtjes së gjuhës së deputetëve, le ta analizojmë gjuhën e kryesministrit shqiptar në një aspekt tjetër – “masakrën” që ai ia bëri morfologjisë së gjuhës shqipe në këtë replikë.

“...ju keni një nivel të gjuhës shqipe, që është nivel bazik. Është nivel, nivel i ulët fare.” Kështu tha kryeministri shqiptar në fillim të replikës me deputetët e opozitës. Ai foli për gjuhën fyese dhe për akuzat e opozitës, pasi tha se deputetët opozitarë e kanë “budallallëkun sëmundje ngjitëse në kopenë e tyre”.

Në këtë shkrim, nuk do të përqendrohemi te niveli i respektit në gjuhën e Edi Ramës, por te gabimet e tij themelore morfologjike, disa prej të cilave i përsëriti shumë herë në replikën e sotme. Le t’i analizojmë gabimet në replikën e Ramës.

“Nivel bazik” – Në gjuhën shqipe, mbiemri “bazik” përdoret vetëm në terminologjinë shkencore të kimisë, por nuk është sinonim i mbiemrave “elementar”, “themelor” ose “thelbësor”. Prandaj, nuk ka kuptim që të thuhet “nivel bazik”, kur flitet për nivelin e gjuhës shqipe.

“Nuk ka si t’ndodhi ndryshe” – Në mënyrën lidhore, në kohën e tashme, në vetën e tretë të numrit njëjës, nuk thuhet as nuk shkruhet “...si t’ndodhi...”, por “...si të ndodhë...”.

“Tek fjala..., tek gjuha – Parafjala “tek” përdoret para fjalëve që fillojnë me zanore, ndërsa parafjala “te” përdoret para fjalëve që fillojnë me bashkëtingëllore.

“Do m’falni – Në kohën e ardhme, nuk thuhet “do m’falni”, por “do të më falni”.

“Juve keni...,juve u ndiet...” – Nuk thuhet “juve keni”, por “ju keni”. Përdorimi i formës së përemrit vetor, “ju”, në rasën dhanore, që është “juve”, në fjalitë ku do të duhej të përdorej forma e tij në rasën emërore, është gabim elementar.

“Vënd” – Edi Rama vazhdimisht e shqipton gabimisht fjalën “vend”, duke e shqiptuar “vënd”. Le të shpresojmë që, të paktën, nuk e shkruan gabimisht.

Nuk thuhet “proçes”, siç tha Rama, por “proces”.

Nuk thuhet “(ata/ato) shofin”, siç tha Rama, por “(ata/ato) shohin”.

Përpos këtyre gabimeve, Rama përdori pa nevojë edhe fjalë të huaja: “ekstra”, “komplet out”, “dakord”.

Lajme të ngjashme