Festa e gabuar për liberalizimin e vizave: A u inskenua gjithçka nga ajo që ndodhi 5 vjet më parë? - NACIONALE

Festa e gabuar për liberalizimin e vizave: A u inskenua gjithçka nga ajo që ndodhi 5 vjet më parë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ishte 4 maji i vitit 2016, e mërkurë, kur ministri i atëbotshëm i Integrimeve Evropiane me emrin Bekim Çollaku kishte mbledhur punonjësit e tij në një zyrë të vogël për të parë televizor. Dhe madje, jo vetëm për të parë televizor por edhe për të dalë në televizor. Ai kishte thirrë edhe kamerat që ta inçizonin atë këqyrje të televizorit.

Rrafsh pesë vjet më herët (2 maj 2011), në një televizor pak më ndryshe, Barack Obama kishte mbledhur punonjësit e tij për të parë në një operacion sekret vrasjen e kryeterroristit botëror Osama Bin Ladenit.

Ato ditë kur u shënua përvjetori i vrasjes së Bin Ladenit në internet qarkulloi me të madhe fotografia ikonike në dhomën e situatave në Shtëpinë e Bardhë të Obamas me vartësit e tij, mes të cilëve ishin edhe Joe Biden dhe Hillary Clinton.

Dhe si një pro-amerikan i regjur, Bekim Çollaku dukej i etur ta rikrijonte të njëjtën skenë. Ai ishte Obama, Ramadan Ilazi ishte Joe Bideni, një këshilltare aty ishte Hillary, Andin Hoti ishte Antony Blinkeni, Parlamenti Evropian ishte njësia speciale ekzekutuese, dhe vizat ishin Bin Ladeni.

Por, ja që s’ishte më shumë se një ‘lojë tezesh’. Nuk ishte tamam tamam lajm i rremë, por ishte domosdo çorientues (ang. misleading) sepse ajo festë e inskenuar në aty zyrë infektoi edhe qytetarët që fituan pa shkas.

Parlamenti Evropian kishte dhënë një rekomandim pozitiv, ndër shumë rekomandimet pozitive që do të vinin në vitet pasuese por njësia speciale që do të hiqte qafe terrorizuesin tonë, vizat, s’ishte ajo trupë që po këqyrej nga televizori.

Në atë kohë, Qeveria Mustafa po vuante rëndë rënien e popullaritetit të saj, pjesë e të cilës qeveri ishte edhe z. Çollaku.

Çka ndodhi?

Natyrisht, misioni i Obamës dhe kabinetit të tij ishte mbyllur me sukses. Bin Ladeni u vra, ndërsa një çështje tjetër ku nuk përfshiheshin fare aksionet me armë dhe intelegjenca për të gjetur terroristin më të kërkuar të botës, përfundoi me jo sukses maksimal - liberalizim vizash nuk pati.

Me të ardhur "rekomandimi" nga Parlamenti Evropian, të cilin Çollaku me grup po e shikonin direkt, shpërtheu festa. Duartrokitjet vinin në formën më të sinqertë të mundshme, të përcjellura nga buzëqeshje nga çdo qenie e gjallë brenda asaj zyre, para se të pasonin përqafimet e ngrohta. Normalisht, në ndërdijën e tyre sigurisht se silleshin mendime se secili aty ka bërë punë fantastike dhe se kishin qenë faktorë kyç në "liberalizimin e vizave".

"Urime juve dhe qytetarëve", thotë pastaj Çollaku, i freskët nga festa. "Se na si zyrtarë edhe si ministra, kena pasë viza gjithë, s’e kena pasë problem po ma n'fund e zgjidhëm problemin për qytetarë të zakonshëm që m’i kry nevojat e tyre. Ky është moment historik. Ne sot nuk e përfunduam procesin e liberalizimit sepse nesër nuk mund të lëvizim pa viza, mirëpo kjo do të jetë e mundur brenda PAK JAVËSH. Edhe pak durim, edhe misioni po përfudon,"

Erdhën javë, muaj e vite por vizat nuk i hoqëm qafe.

Dhe, natyrisht, pjesa e famshme e hapjes së shampanjës ndodhi, me Çollakun që i mbushi një gotë vetes për të bërë "dolli" me askënd, pasi shampanja shpejt u zhduk nga sytë dhe transmetimi, për ta lënë zëvendës-ministrin, Ramadan Ilazin aka Joe Bidenin, në pozitë të sikletshme pasi po priste me gotë në dorë për një mbushje.

Paksa e trishtë, dorën në zemër.

Reagimi i ministrit dhe gjithë të tjerëve që shihen në video, është pasqyrim real i disponimit e ndjesive të popullit sa herë bëhet fjalë për ndonjë lajm për viza që nuk është 100% negativ nga çfarëdo lloj instance evropiane.

Pas këtij momenti me shampanjë, edhe plot gjashtë herë Komisioni Evropian ka propozuar Kosovën për liberalizim, pa sukses.

Sidoqoftë, dështimi i parë pati rëndësinë e vet të festës, siç e komentoi edhe vet Çollaku duke arsyetuar të bëmat e tij në zyrë më 4 maj 2016.

“Hapja e shampanjës ka qenë festë për ne, festë sepse kemi përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja për marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave. Ai ka qenë moment feste dhe qytetarët duhet të mësohen të festojnë në momente gëzimi. Ne në atë moment kemi festuar përmbushjen e obligimeve tona dhe kushdo që na shan ne, është duke sharë qindra zyrtarë që kanë punuar në këtë drejtim, ishte shprehur ai pesë vite më vonë, duke komentuar momentin.

Gjashtë vjet më vonë dhe Kosova për herë të gjashtë mori "rekomandimin" për të cilën u hap shampanjë më 2016, për të marrë rezultatet e njejta. Liberalizim nuk ka. Për fat të mirë, shampanjat u kursyen dhe nuk u hapën më në vitet vijuese.

Është viti 2022 dhe depresioni gjeneral në popull po vazhdon për mungesë të qarkullimit të lirë në qendër të Kontinetit më të zhvilluar të botës. Kur flasim për anomali të përçudshme, kjo duhet të jetë nëna e babai në të njejtën kohë.

Sot dhe nesër mund të diskutohet çështja e vizave në Samitin e BE-së, dhe shpresat se do të ndodh liberalizimi janë rritur sërish.

Lajme të ngjashme