Seriali si emancipim: 7 arsye pse duhet ta shikoni "Friends" - NACIONALE

Seriali si emancipim: 7 arsye pse duhet ta shikoni "Friends"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Friends është një serial ikonik amerikan. Komedia që zgjati 10 sezone të plota, është portretuar disa herë si sit-comi më i shquar i të gjitha kohërave, bashkë me klasikë të tjerë si “Seinfeld” apo prodhime të këtij shekulli si “How I met your mother” dhe “The Big Bang Theory”.

Por, pse në të vërtetë duhet ta shihni këtë serial. Ka arsye pse dikush duhet ta shohë serialin “Friends”, por ka edhe arsye të veçanta pse një kosovar duhet ta shohë këtë serial.

No slutshaming!

Ndodh shpeshherë, e sidomos në kultura si e jona, që gratë të definohen duke u bazuar në numrin e partnerëve që kanë pasur, apo nga mungesa e partnerëve. Ndërkohë, të shohësh “Friends” do të thotë të ndeshesh me një tjetër botë, atë ku të kesh partnerë të ndryshëm është normalitet dhe njerëzit nuk fiksohen pas zakoneve tradicionale, që janë aq të tejkaluara, saqë nuk kanë asnjë efekt në jetën tonë të sotme, pos që mbajnë mbrapa progresin shoqëror.

Mund të jesh shok me njerëz krejtësisht të ndryshëm

Të gjitha ligjërimet që keni dëgjuar për shoqërinë e mundshme vetëm mes njerëzish që përshtaten në karaktere, janë të pavërteta. Edhe këtë leksion e jep “Friends”, duke takuar 6 karaktere krejtësisht, ama krejtësisht të ndryshme, të cilët në fakt bëhen miqtë më të mirë të njëri-tjetrit.
Monica – e pasionuar pas rregullit, pastërtisë dhe kuzhinës, dëshiron të ketë vazhdimisht gjithcka nën kontroll.
Pheobe – një personazh i cuditshëm me një të kaluar të keqe, me nënën që i ka bërë vetëvrasje. E hapur, shumë kurioze dhe me një sens humori kaq kreativ sa tejkalon personazhet e tjera. E kaluar e hidhur, e tashme e ndikuar.
Rachel – princeshë e babit, që kishte jetuar vazhdimisht nga burimet financiare të të atit dhe që përpiqet ta ndërtojë veten në serial si grua të pavarur – dhe ia del.
Ross – akademik, me dy fëmijë, tri divorce dhe, në një moment përgjatë serialit, edhe me probleme të shëndetit mendor.
Chandler – i vuajtur dhe sarkastik, që e përdor humorin si mekanizëm mbrojtës për t’u distancuar nga të vërtetat e dhimbshme. Me vetëbesim të ulët, pa profil të shquar profesional dhe paterna vetëshkatërruese.
Joey – jo aq i mencur, me ëndrrën për t’u bërë aktor dhe dështime të njëpasnjëshme. Humori, më tepër sesa që e bën ai, i ndodh atij.

Këto janë personazhet, krejt të ndryshme, që ia dalin të jenë shokë në “Friends”.

Bashkëprindërimi

Natyrisht, edhe burrat duhet të marrin pjesë në prindërim poaq sa grate. Këtë leksion na e jep Ross i cili, ndonëse nuk është më cift me ish-gruan e tij Carol, e as me Rachel, bashkëprindëron në rritjen e dy fëmijëve që janë biologjikisht të tijtë: Ben dhe Emma.

Ky mund të jetë një leksion i rëndësishëm për një pjesë të konsiderueshme të burrave shqiptarë që, edhe të martuar, ende nuk marrin pjesë sa duhet në prindërim, le pastaj po të jenë të divorcuar.

Nëna surrogate si model i bërjes fëmijë

Ekziston surrogatizmi dhe është zgjedhje krejtësisht normale. Pheobe mban në bark fëmijë që nuk janë të saj, sepse e dashura e vëllait të tij nuk e ka të mundur t’i mbajë përshkak të moshës. Natyrisht, mbajtja në bark e fëmijëve të vëllait është pak e cuditshme dhe është paraqitur më tepër për efekte komike, megjithatë surrogatia është zgjedhje normale. Të kërkosh dike tjetër që pajtohet ta lindë fëmijën tend, është e natyrshme dhe njerëzit nuk kanë pse të ndiejnë turp për këtë.

Edukimi për trupin e gruas

Njerëzit kanë shumë mite për trupin e gjinisë tjetër, shpesh nuk janë fare të edukuar dhe prapë duan të duken se i dijnë të gjitha e nuk kërkojnë ndihmë. Në njërin prej epizodeve të Friends, ai i kërkon grave, më saktësisht Rachel dhe Monica, që ta edukojnë seksualisht për trupin e gruas dhe zonat erogjene femërore.

Duhet të pyetet, të lexohet, të mendohet për këto probleme. Nuk ka nevojë ta luajmë ekspertin.

Rritja

Pothuajse të gjitha personazhet përgjatë serialit rriten dhe piqen jashtëzakonisht shumë si njerëz. Ky është një fenomen që vlen të shihet, pasi jo pak njerëz rriten vetëm me moshë, por zor se sillen si të rritur kur vijnë punët në situata delikate.

Rachel – një grua shembull.

Folëm për rritjen e personazheve, por Rachel është nivel tjetër. Ajo është personazhi që mund të themi se e transformon krejtësisht veten më shumë se cilido personazh tjetër. Në fillim të serialit, ajo është një vajzë e llastuar që sapo ka prishur dasmën e saj dhe jeton me paratë e babait. Deri në fund të serialit, ajo jo vetëm që ka gjetur punë, por ka ndërruar punë disa here duke kaluar gjithmonë më lart e duke e ndërtuar veten si grua e suksesshme e cila ka ditur të modelojë jetën e vet përmes disiplinës, përkushtimit dhe kapërcimit të rritjes si “fëmijë që i ka të gjitha”.

Dhe në fund, më e rëndësishmja, kënaqësia.

Përtej të gjitha këtyre që u përmenden, arsyeja për ta shikuar një sit-com, natyrisht është qeshja. Të qeshësh është shumë e rëndësishme dhe me “Friends” pothuajse e garantuar.

Lajme të ngjashme