Tabloidi zviceran, Blick: Sunny Hill kalon nga Kosova në Shqipëri, kritikohen Dua Lipa e babai i saj - NACIONALE

Tabloidi zviceran, Blick: Sunny Hill kalon nga Kosova në Shqipëri, kritikohen Dua Lipa e babai i saj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çështja e Sunny Hill vazhdon të zë vend edhe te mediat ndërkombëtare.

Së fundi, reagoi edhe tabloidi zviceran "Blick", që në qendër të vëmendjes vë kritikat ndaj Dua Lipës e babait të saj, transmeton Gazeta Nacionale.

"Ndryshim kontravers i lokacionit. Me shumë gjasë Dua nuk do ta vizitojë vendlindjen e saj.

Këngëtarja britanike dhe babai i saj ia kanë ndërruar lokacionin festivalit, gjë kjo e cila ka zemëruar fansat në Kosovë", e fillon artikullin Blick.

Tutje jepen detaje rreth kalimit të festivalit në Tiranë, por pa specifikuar rrjedhat.

E për këto të fundit, javën e kaluar patët rastin që gjithçka të mësoni në Nacionale.

Siç mësoi gazeta, në mbledhjen që u mbajt gati dy javë më parë e të cilën e kishte udhëhequr Albin Kurti, palët nuk u dakorduan për përmbylljen e procedurave burokratike që u takonin qeverisë në përgjithësi, e ministrisë së administrimit të pushtetit lokal në veçanti.

Madje, Nacionale kuptoi nga burime brenda takimit se kryeministri Kurti kishte përdorur një nga ato 'poezitë' e tij të famshme: "Mos të flasim për tokë, por të flasim për festival"!

"Javën e kaluar në Qeveri është mbajtë një takim, ku ka marrë pjesë Përparim Rama, Albin Kurti, përfaqësuesi i Sunny Hill dhe një pjesë e asambleistëve të VV-së në Kuvendin Komunal.

Aty Albin Kurti kishte kërkuar që të anulohej vendimi i Kuvendit Komunal për t'ia dhënë tokën për 99 vjet në shfrytëzim organizatorëve të Sunny Hillit," - thoshte ky burim.

Në anën tjetër, Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i festivalit, lajmin e keq e konfirmoi përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", madje edhe duke e publikuar letrën e plotë që ua kishte dërguar krerëve më të lartë shtetërorë.

Kjo letër erdhi siç shkroi Lipa në profilin zyrtar, pas pritjeve, tentimeve, lutjeve e kërkesave, pas votimeve unanime dhe atyre të plotfuqishme.

"Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asambleistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë", shkruante ndër të tjerash në këtë letër.

Përveç këtyre, tabloidi shtoi disa fjalë edhe rreth të ardhurave të mundshme të Tiranës, që siç e tha ditë më parë, Veliaj, ato pritet të sillen afro 200 milionë euro për katër ditë.

Kjo shifër realisht duket pak e vështirë për t'u besuar në fillim, por kreu i bashkisë kishte deklaruar se kjo mund të arrihet pasi 20 milionë euro llogariten të hyra për Tiranën në ditë normale, teksa parashihen edhe 30 sosh gjatë kohës së mbajtjes së festivalit.

Kujtojmë se Sunny Hill do të mbahet me datat 4, 5, 6 dhe 7 Gusht në kryeqendrën shqiptare.

Sa u përket biletave, të gjithë ata që i kanë siguruar e që nuk kanë mundësi të shkojnë në Tiranë do të rimburësohen.

Në faqen zyrtare, festivali tashmë ka filluar t'i publikojë emrat e atyre që do të performojnë.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme