<b></b> 120-ditëshi i Bedri Hamzës, situata nuk është shumë premtuese

120-ditëshi i Bedri Hamzës, situata nuk është shumë premtuese

20.04.2022 14:27

Si në shumë komuna, edhe në Mitrovicën e Jugut ndryshimi i ekzekutivit prodhoi pritshmëri të mëdha. Kjo ndoshta jo veç për faktin e ndërrimit të kryetarit, po meqë kryetari i ri erdhi me fjalë e projekte të mëdha. Fushatës zgjedhore kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza, kishte ofruar 123 premtime, duke u renditur si kandidati i dyte për nga premtimet, në nivel vendi. Hamza madje, e kishte karakterizuar qeverisjen e ish-kryetarit Agim Bahtiri si keqqeverisje.

Ngopja e këtyre pritshmërive, është e vështirë të bëhet brenda një afati të shkurtër.

Arritjen e këtyre pretimeve e vështirësojnë edhe obligimet që komuna ka nga qeverisja e kaluar.

Kryetari Bedri Hamza, në një intervistë për Nacionalen, ka treguar për gjendjen e trashëguar në komunë. 

“Gjendja është komplekse, sidomos në aspektin financiar, ku kemi trashëguar vlera të larta të obligimeve financiare, të papaguara. Përtej kësaj, është një numër i konsiderueshëm i lëndëve në gjykata, e që mund të paraqesin ngarkesë shtesë për buxhetin e komunës, dhe ka nevojë për përmirësim në shumë fusha, gjë që e kanë konstatuar edhe raportet e auditimit në vazhdimësi se ku ne duhet te marrim masa për t’i adresuar”, ka thënë Hamza.

Sidoqoftë gjendja, në 120-ditëshin e parë mund të vendoset një standard i ri pune, që mund t’i plotësojë ato.

Duke u bazuar në dokumentet e qasshme, si ato të publikuara në faqen e komunës, duket se punës së kryetarit Hamza i ka munguar një standard i tillë i punës. Veprimtaria e kryetarit ishte e kufizuar, kryesisht me angazhime të zakonshme - në përditshmëri rutinore.

Ndonëse analisti Nexhmedin Spahiu pandeh se është herët të vlerësohet puna e kryetarit të ri, nga një vlerësim i aktiviteteve të publikuara, mund të thuhet se angazhimi i kryetarit filloi ngadalshëm.  

“Është herët të vlerësohet puna e kryetarit të ri”, ka thënë Spahiu për Nacionalen.

Kryetarit Hamza, sipas të dhënave të faqes së komunës, i janë nevojitur afërsisht 30 ditë për plotësuar gjithë pozicionet e drejtorisë. Ngjashëm, kryetarit Hamza, i janë dashur edhe 45 ditë nga dita e zgjedhjes që të dorëzojë planin për buxhetin e vitit 2022. Kjo kohë është e gjatë për një kryetar, i cili deklaronte gjatë fushatës se ka përpiluar një fushatë, që ai e quajti fushatë pozitive - të ndërtuar në plane e projekte.

Publikimet e faqes zyrtare të komunës tregojnë se kryetari ishte ngarkuar nga vizitat, mbase edhe të tepërta. Ai kishte pritur për vizita një mori njerëzish, nga delegacione prej qytetit turk të Konias deri tek vizitat e afaristëve nga Izraeli, të cilat edhe janë publikuar si pjesë e aktivitetit ditor. Numri i vizitave të tilla, për të cilat faqja ka publikuar është shumë i madh.

Për më tepër, në publikimet e angazhimeve të suksesshme të tij edhe të zyrtarëve komunalë, janë përfshirë disa vizita të ndërsjella obligative, të cilat janë krejt të zakonshme.

Po ashtu, publikimet e kësaj faqeje dëshmojnë se një pjesë e angazhimit të stafit të komunës, përbëhet nga pjesëmarrje në panaire, festivale e turne sportesh të llojeve të ndryshme.

Siç tentojnë kryetarët e rinj, edhe Hamza u përpoq të impononte idenë e një ekzekutivi të ri,  që vepron mbi rendin e ligjit. Në këtë temë, në bazë të publikimeve të komunës, zbatimi i rregullit dhe rendit është mjaftuar me disa njoftime për lirimin e hapësirave të uzurpuara, ose pezullimin e ndërtimit të ndofarë ndërtimi. Këto hapësira, në shumicën e rasteve janë liruar nga shitës ambulantë.

Ndryshe nga aktiviteti i zakonshëm i kryetarit, për t’u shquar është një praktikë e re e zhvillimit të lidhjes me qytetarët. Kryetari Hamza dhe zyrtarët komunalë kanë zhvilluar forma të drejtpërdrejta bashkëpunimi me qytetarët. Disa herë, kryetari Hamza ka ftuar qytetarët për pjesëmarrje në takime për diskutime publike, të cilat janë mbajtur në kuvendin komunal. Ngjashëm kanë vepruar disa zyrtarë komunalë, të cilët kanë mbajtur takime të rregullta me qytetarët.

Përfundimisht, duke u mbështetur në atë që është raportuar, 120-ditëshi i kryetarit Hamza përkufizohet në veprime krejt të zakonshme dhe të domosdoshme për mbarëvajtjen e një komune. Me të dhënat ekzistuese situata është jo shumë premtuese dhe nga pikëpamja e premtimeve para-zgjedhore mungojnë shenja treguese që ekzekutivi nën drejtimin e Bedri Hamzës do të jetë transformues.

Tjera nga autori:
1