<b></b> Pse kosovarët ende po çuditen me Abazoviqin?

Pse kosovarët ende po çuditen me Abazoviqin?

03.05.2022 14:48

Për herë të parë, Mali i Zi u bë me kryeministër shqiptar. Më shumë se arritje e shqiptares, apo vetë personit që u bë kryeministër, kjo besoj që është arritje e madhe e shoqërisë malazeze. Folur me fjalë të presidentit amerikan Richard Nixon që u thanë në hënë nga Neil Armstrong: ky ishte një hap i vogël për Dritan Abazoviqin, por një hap i madh për Malin e Zi.

Dhe, ashtu siç pritej, platformat e mediave sociale i mëshuan fort etnisë së kryeministrit të ri të Malit të Zi. U bënë tre kryeministra shqiptarë në Ballkan e blla blla blla. Në fakt, Dritan Abazoviqi ishte shprehur haptas dhe qartë si kundërshtues i nacionalizmit kundërmues ballkanik, duke çuar përpara ide të internacionalizmit liberal, e së mbrami edhe ide ekologjike. Po të garonte si shqiptar, ai do të përfundonte mu aty ku përfunduan politikanët tjerë shqiptarë të Malit të Zi: në malet e tyre jo të zeza private.

Dhe, ajo që pamë menjëherë pasi mori detyrën është shpërfaqja e një qasjeje përbashkuese që afirmonte idenë për shoqëri të hapur. Ai fali namazin e Bajramit bashkë me muslimanët e vendit në mëngjes, ndërsa në mbrëmje iu fal një festivali (Mayfest) të një fryme krejtësisht jo-fetare. Nisi të shfaqej pra, ashtu siç edhe do të duhej, një kryeministër i të gjithëve dhe për të gjithë. Si një shërbëtor i të gjitha komuniteteve që përbënin shoqërinë.

Se çka do të bëjë këtej e tutje mbetet për t’u parë. Sidoqoftë, rrugëtimi i tij i deritashëm politik është për çdo lëvdatë, sidomos nëse marrim parasysh historinë e gadishullit në të cilin bëjmë pjesë.

Cila është kjo histori të cilës po i kundërvihet Abazoviqi?

Si pikë e parë, është nacionalizmi kundërmues të cilin e përmendëm më lart. Një nacionalizëm te i cili fshiheshin e fshihen pambarimisht politikanët që nuk kishin asnjë ide tjetër për ta çuar përpara. Ose, kur kishin, që nuk ia dilnin të përdornin teknikat e pushtetit që merrnin në duar në mënyrë që në mënyrë kreative t’i popullarizonin ato.

Shihni Kosovën. Nga qindra e ndoshta mijëra politikanë, është e zorshme të gjeni qoftë edhe një të vetëm që ka ngritur dhe popullarizuar ndonjë ide. Prandaj, Abazoviqin nuk mund ta përjetonte asnjëri matanë etnisë që i ka rastisur ta ketë. Na interesonte të kuptojmë se çka mendon ai për Albin Kurtin e Edi Ramën, çka mendon për Ballkanin e Hapur, për Çakorrin ndoshta, duke qenë se politika përjetohet si dramë dhe jo si një sferë ku ndodh përfaqësimi politik dhe zgjidhja e problemeve të ndryshme shoqërore. Prandaj, Abazoviqi na çuditi qysh me paraqitjet e para televizive, sepse nuk ndërlidhej me konceptimet tona të ngushta për historinë dhe politikën.

Politika te kosovarët shihet njëlloj siç e shihnin aztekët të ardhmen: gjithçka që ndodh, është rikthim i asaj që ka ndodhur. Aztekët e parashikonin të ardhmen përmes historianëve, dhe në një mënyrë paksa më perfide një gjë të tillë e bëjmë edhe ne. Themi vazhdimisht se historia që nuk mësohet do të përsëritet, por nuk dimë absolutisht asgjë përtej përsëritjes së vazhdueshme të historisë. Në vitin 2019, e pata propozuar për president të Kosovës politikanin serb Nenad Rashiq, por në vitin 2021 president u bë dikush që nuk ka folur asnjëherë të vetme për një vit e kusur me ndonjë qytetar të komunitetit serb. Themi vazhdimisht me një farë frike se historia që nuk mësohet do të përsëritet, por në fakt mësimin e historisë e bëjmë saktësisht që ta përsërisim atë. Nuk dimë asnjëri – prej kryeministrit e teposhtë – se si të dalim prej nacionalizmit, nepotizmit, familjarocentrizmit; ndërsa nuk kemi kurrfarë idesh për mënyrën se si e shohim të ardhmen.

Dritan Abazoviqi kryeministër në Mal të Zi na e tregon lirinë dhe guximin e një shoqërie, sado të frakturuar, që të mendojë diçka për të ardhmen e saj. Shoqëria kosovare nuk e ka liri apo guxim të tillë. Ndryshimi i Albin Kurtit duhej të ishte sa më i papërcaktuar e sa më jokonkret që të ishte e mundshme, në mënyrë që në fund të fundit të mos kishte kurrfarë ndryshimi.

A është Abazoviqi kryeministri më cool në rajonin tonë? Për këto pesë ditë, unë besoj që po!  

Tjera nga autori:
1