<b></b> Abazoviq për

Abazoviq për "Ballkanin e Hapur": E përkrahim, është shtyllë e politikës së jashtme të SHBA-së

28.04.2022 23:11

Dritan Abazoviq është votuar sot pasdite nga Kuvendi i Malit të Zi për kryeministër të shtetit malazez. Me 45 vota pro dhe 3 kundër, Abazoviq, lideri i partisë qytetare “ARB-URA”, mori besimin e deputetëve të Kuvendit.

I njohur për qëndrime jonacionaliste, Abazoviq është një politikan atipik për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku politikat identitare e ndarjet etnike janë burime të votave.

Abazoviq ka një qëndrim të ndryshëm nga qeveritë paraprake të Malit të Zi edhe rreth “Ballkanit të Hapur”.

Në deklarime të ndryshme publike, Amabazoviq e konsideronte “Open Balkan” si një nga tri shtyllat e politikës së jashtme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, krahas BE-së e NATO-s, iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është nismë qendrore e amerikanëve.

Me besimin që mori sot Abazoviq, është e pritshme që qëndrimi i shtetit fqinj rreth “Ballkanit të Hapur” të ndryshojë.

Kohë më parë, Lëvizja Qytetare “Aksioni i Bashkuar Reformist”, të cilën e udhëheq Abazoviqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter”, ka sqaruar qëndrimet rreth politikës së jashtme përfshirë “Open Balkan”.

Ne do të shqyrtojmë iniciativat rajonale. Ekzistojnë tri shtylla të politikës së jashtme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor: BE, NATO dhe Ballkan i Hapur”, thuhet në postim.

Mundësia e ndryshimit të qëndrimit të Malit të Zi mbi “Open Balkans”, është trajtuar si tematikë edhe në Kosovë.

Drejtori i institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, një një debat televiziv në “RTV Dukagjini”, ka komentuar deklaratën e Abazoviqit.

Është hera e parë që flitet kaq hapur që Ballkani i Hapur është projekt amerikan”, deklaronte ai.

Sipas Ymerit, duke e analizuar qasjen e Abazoviqit lidhur me këtë tematikë, edhe Mali i Zi shumë shpejt do të bëhet pjesë e “Open Balkan”.

Sipas tij, kjo lëvizje e Malit të Zi mund të këtë ndikim edhe në Kosovë, kur dihet që kryeministrit Albin Kurti është hapur kundër kësaj iniciative.

“Kosova do të jetë e rrethuar nga shtetet që janë pjesë e Ballkanit të Hapur”, ka thënë Ymeri.

Për këtë çështje, gazeta Nacionale kohë më parë e kishte pyetur edhe gazetaren e njohur malazeze, Jullka Pejoviq.

Ajo është shprehur se qeveria e re e këtij vendi mund ta ndryshojë qëndrimin ndaj kësaj iniciative rajonale.

“Mali i Zi zyrtar, edhe në kohën kur u hodh ideja e “Mini Shengenit”, deklaroi se nuk ishte i interesuar t’i bashkohej një aleance të tillë, sepse Mali i Zi është pjesë e Procesit të Berlinit. Qeveria aktuale në largim e Malit të Zi nuk ka shprehur interes për anëtarësim, por tani mandatari për përbërjen e qeverisë së re, Dritan Abazoviq, nuk e përjashton këtë mundësi, ndonëse më parë ishte kundër. Arsyet e ndryshimit të opinionit janë sigurisht politike, jo ekonomike, sepse ideja mbështetet nga Partia Popullore Socialiste, e cila njoftoi se dëshiron të jetë pjesë e qeverisë së Dritan Abazoviçit dhe nëse Shtetet e Bashkuara e imponojnë këtë ide, nuk do të jetë e çuditshme që Mali i Zi t'i bashkohet një aleance të tillë”, kishte thënë ajo për Nacionale, duke treguar synimet e kësaj iniciative.

Projekti “Open Balkan” si qëllim kryesor ka hapjen e një zone ekonomike e politike ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë mundësi potenciale për të qenë pjesë e këtij projekti, vetëm tri prej tyre kanë përkrahur projektin dhe kanë nënshkruar marrëveshje.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Serbia, janë tri shtetet iniciatore dhe pjesëmarrëse në këtë projekt.

Ndërkaq Kosova, Mali i Zi dhe Bosjne e Hercegovina, kanë qenë dhe mbeten skeptike kundrejt këtij projekti.

Më 11 nëntor 2019, në samitin e Ohrit që u mbajt po atë vit, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, atëkohë Zoran Zaev, ranë dakord për krijimin e një zone ekonomike, e cila do të përmirësonte më tej marrëdhëniet politike dhe ekonomike dhe do të forconte lidhjet kulturore midis shteteve.

Kujtojmë së Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, është deklaruar kundër kësaj nisme, duke e konsideruar atë si një “marketing politik”. 

Tjera nga autori:
1