<b></b> Ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, mohon akuzat rreth një skandali financiar

Ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, mohon akuzat rreth një skandali financiar

22.04.2022 09:31

Mediat sllovene kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku i përfshirë është Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë, për të cilin gazeta jonë kishte raportuar mbrëmë.

Por, në këtë aferë ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë se ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Ambasadori i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, ku madje paralajmëroi edhe padi ndaj portalit slloven.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterëve kryesorë politikë, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurt në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, ka shkruar ambasadori Berisha.

Berishaj njihet si mik shumë i afërt i kryeministrit Kurti. Ai ka qenë ndër të parët që kishte shkuar për të festuar në selinë e LVV-së, pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar. Një raport i tillë i ishte shpërblyer pa humbur kohë, duke e emëruar ambasador të Kosovës në Kroaci.

Postimi në Facebook:

Çfarë bëhet fjalë saktësisht në këtë skandal për të cilin raportoi gazeta Nacionale?

Mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven. Nacionale i ka dërguar email, ka provuar ta thërrasë në telefon, por e ka pasur të pamundur të bie në kontakt me z. Berishaj.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

Çfarë ka ndodhur?

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

Gazeta Nacionale gjatë gjithë kohës ka provuar që ta kontaktojë z. Berishaj për ta marrë një prononcim edhe nga ai, por ambasadori ka qenë i paqasshëm, megjithëse në një moment i ka lexuar pyetjet, por ka zgjedhur të mos përgjigjet. Nacionale gjithashtu i ka dërguar email z. Berishaj, por nuk ka marrë përgjigje.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe email-i i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Kush ishte mushka që e bëri këtë, pyet televizioni slloven

“Pronari i MB Consulting dhe i punësuari i vetëm i kësaj kompanie është Martin Berishaj. Ai u ka thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr parat kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij”, thotë media sllovene, duke treguar që Berishaj i ka tërhequr rreth 200 mijë euro nga llogaria personale dhe rreth 320 mijë të tjera i ka tërhequr si profit nga llogaria e biznesit.

Burimi i ka treguar televizionit Planet që paratë që z. Berishaj ia ka dërguar politikanit slloven, ky i fundit i ka investuar në një fond italian.

Z. Berishaj njihet si mik shumë i afërt i kryeministrit Kurti. Ai ka qenë ndër të parët që kishte shkuar për të festuar në selinë e LVV-së, pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar. Një raport i tillë i ishte shpërblyer pa humbur kohë, duke e emëruar ambasador të Kosovës në Kroaci.

Tjera nga autori:
1