<b></b> Armatosjet në Ballkan: Duke njohur mentalitetin tonë, nuk jemi larg një tragjedie të re

Armatosjet në Ballkan: Duke njohur mentalitetin tonë, nuk jemi larg një tragjedie të re

05.05.2022 15:40

Shkruan: Milenko T O D O R O V I C 

Gjatë ditëve të kaluara ishim dëshmitarë se si Prishtina zyrtare po drejtonte gishtin nga Beogradi dhe tani të njëjtën gjë po bëjnë edhe zyrtarë të lartë nga Beogradi. Mund të thuhet që ka vazhduar loja e akuzimeve. Tani tema është armatosja edhe e Serbisë edhe e Kosovës. Në të vërtetë, edhe njëra edhe tjetra palë po blejnë armë për shkak të stabilitetit, mbrojtjes dhe paqes, e jo për shkak të destabilizimit. Kështu që kur të ndodhin trazira, atëherë politikanët arsyetohen se nuk kanë pasur tjetër alternativë dhe që u desh të përdornin forcën për të frenuar palën tjetër. Këto janë justifikime qesharake dhe të konsumuara për konflikt, por janë ende aktuale dhe po aplikohen kudo.

Pikërisht në vlugun e luftës në Ukrainë, në Serbi erdhën armë nga Kina e largët. Edhe pse Marrëveshja për furnizimin me sistem të MKA (mbrojtjes kundërajrore), siç pohojnë autoritetet në Beograd, ishte nënshkruar qysh më 2019, vetëm tani, pas dorëzimit, pasuan kritikat nga Prishtina dhe Podgorica. Paralajmërimi nga Shtetet e Bashkuara erdhi qysh në vitin 2020. Në atë kohë, zyrtarët amerikanë thanë se nëse Serbia vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE dhe aleanca të tjera perëndimore, ajo duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore. Por politika serbe dhe përpjekjet e saj për të balancuar midis Lindjes dhe Perëndimit, për të qëndruar shpesh ulur në dy karrige, nuk u pëlqen as fuqive lindore e as atyre perëndimore. Përpjekja e Serbisë për të qëndruar “neutrale” në këto kohë të trazuara do të krijojë sprova të mëdha për këtë vend të vogël.     

Presionet ndaj Serbisë janë gjithsesi shumë të mëdha, kështu që ajo votoi për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, por nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, ende jo. Pak a shumë dihet se një përqindje më e lartë e popullatës serbe është me Rusinë, miken tradicionale të Serbisë. Prapëseprapë, fuqizimi i ushtrisë serbe nuk bëhet vetëm përmes blerjes së armatimit nga lindja, nga Kina, Rusia, Bjellorusia, por edhe nga perëndimi, është paralajmëruar edhe blerja e avionëve francezë të tipit “Rafal”. Këta janë treguesë se Serbia po përpiqet të jetë e mirë me të gjithë, natyrisht në dobi të saj. Epo, kjo nuk u pëlqen sot fuqive të mëdha dhe presionet ndaj zyrtarëve në Beograd janë krejtësisht normale dhe duhet pritur ato në periudhën e ardhshme. Konsideroj që përkundër  presioneve, Serbia nuk do të marr një qëndrim dhe nuk do të qëndrojë e vendosur në njërën anë.

Sërish, autoritetet e Prishtinës “shprehin shqetësimin” për shkak të armatosjes së Serbisë. Thuajse po ajo Serbi mund të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak derisa KFOR-i është në Kosovë. Është ironike, por unë e kuptoj këtë performancë të autoriteteve të Kosovës, është një përpjekje për të bërë një obstruksion përmes ndërmjetësve të tyre. Është fare e sigurt se Serbia, heret a vonë, do të përballet me kritika, e ndoshta edhe me pasoja.

Në anën tjetër, sipas mediave serbe, edhe Prishtina po armatoset. Në të vërtetë, Londra u dorëzoi autoriteteve në Prishtinë raketa “Javelin” dhe “NLAW”, të cilat forcat ukrainase po i përdorin në luftën kundër trupave ruse. Presidenti, Aleksandar Vučić, tha se do të kërkojë nga Boris Johnson shpjegim zyrtar dhe do të tërheq vërejtjen për shkeljen e Rezolutës 1244. Më herët, Kosova rriti ndarjet buxhetore për furnizimin me armë. SHBA, Turqia dhe Gjermania janë furnizuesit kryesorë të pajisjeve ushtarake dhe ky furnizim nga industria ushtarake britanike tregon se Kosova ka synime serioze në këtë drejtim. Prandaj, Serbia ka arsye për shqetësim, veçanërisht në veri të Kosovës, ku përshkallëzimet e konfliktit janë të shpeshta dhe kjo zonë është e përshtatshme për të larë hesapet e vjetra dhe për të fituar poena politik. 

Trendi i armatosjes po vazhdon dhe vringëllimat me armë assesi nuk janë diçka e mirë. Jemi dëshmitarë të ngjarjeve të luftës në ish-Jugosllavi, ndërsa ky trend i armatosjes kurdoherë do të krijojë iluzion tek ndonjë fanatik që të fillojë të zbatojë idetë e tij. Prania e armëve të huaja në Ballkan nuk flet vetëm për shqetësimin tonë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, por edhe për interesat e faktorëve të huaj në këto hapësira.  

Prodhimi masiv dhe furnizimi me armë disi më thotë se është vetëm çështje kohe kur ato do të përdoren. Gjykuar sipas situatës në Ukrainë, nuk jemi shumë larg kësaj. Shumë vende janë të përfshira drejtpërdrejt por dhe tërthorazi në atë konflikt. Aty disi lehtësisht shpërtheu lufta, vërtet u befasova nga ndërhyrja ruse. Duke njohur mentalitetin e neve, ballkanasve, as ne nuk jemi larg një situate të ngjashme dhe një tragjedie të re. Na mbetet vetëm të shpresojmë se liderët do ta udhëheqin popullin me më shumë arsyeshmëri dhe se nuk do të hapet një vatër e re në Ballkan.

Opinioni është shkruar fillimisht në New Perspektiva në gjuhën serbe. 

Tjera nga autori:
1