<b></b> Asociacioni i komunave ankohet për mosbashkëpunim nga ana e Qeverisë

Asociacioni i komunave ankohet për mosbashkëpunim nga ana e Qeverisë

30.04.2022 09:36

Asociacioni i Komunave të Kosovës është ankuar për mosbashkëpunimin e pushtetit qendror me komunat e vendit.

Kryetari i Asociacionit të Komunave Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se disa projekte që kanë qenë të parapara të zbatohen në nivel lokal, janë ndaluar nga niveli qendror.

Ibrahimi shton se këto projekte do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve e do të mundësonin zhvillimin ekonomik lokal.

Ai po ashtu tha se ka probleme me nivelin qendror lidhur me zbatimin e kontratave kolektive pasi sipas tij, kontratat kolektive po zbatohen duke i marr mjetet financiare komunave dhe nuk po zbatohen me buxhetet e nivelit qendror.

“Është hera e parë që kryetarët e komunave nuk takohen me kryeministrin e Kosovës për t’i shfaqur brengat e tyre, për ta lehtësuar jetën e qytetarëve dhe ne si Asociacion i Komunave të Kosovës këto shqetësime i kemi ngritur në nivelin qendror, kemi kërkuar që të kemi takime të përbashkëta mirëpo deri më sot nuk kemi takime të tilla, për këtë arsye kryetarët e komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës konstatojnë se bashkëpunimi me nivelin qendror kurrë nuk ka qenë më i dobët se tani. Kryetarët e komunave kanë shqetësime sa i përket zhvillimit ekonomik lokal sepse sipas kryetarëve të komunave disa projekte që kanë qenë të parapara të zbatohen në nivel lokal e të cilat projekte do e përmirësonin jetën e qytetarit, zhvillimin ekonomik lokal janë ndaluar nga niveli qendror”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka shprehur shqetësim pasi që deri më tani asnjëherë nuk kanë pasur një takim të përbashkët të kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës me kryeministrin Albin Kurti apo edhe me ministrin e Financave Hekuran Murati.

“Në takimin e fundit që patëm me këshillin e kryetarëve para disa ditëve, përsëri kryetarët e komunave prezent e ngritën si shqetësim mosbashkëpunimin me nivelin qendror përkundër kërkesave të shumta të kryetarëve të komunave, por edhe Asociacionit të Komunave të Kosovës, që të kemi takime të përbashkëta me nivelin qendror e në veçanti me kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe ministrin e financave, këto kërkesa nuk kemi hasur në mirëkuptim dhe deri më tani nuk kemi pasur një takim të përbashkët të kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës me kryeministrin Kurti apo edhe me ministrin Hekuran Murati”, ka thënë Murati.

Ibrahimi ndër të tjera ka përmendur edhe rastin ku sipas tij, një komunë e ka pasur xhirollogarinë e mbyllur për shkak të këtyre problemeve.

“Kemi pasur një komunë që deri më tani e ka pasur xhirollogarinë e mbyllur për shkak të këtyre problemeve neve i kemi ngritur si shqetësime edhe në Ministrinë e Arsimit edhe në Ministrinë e Financave. Vazhdojmë t’i ngritim këto shqetësime mirëpo deri më tani nuk kem hasur në ndonjë gjuhë të përbashkët në mënyrë që t’i anashkalojmë apo t’i zgjidhim këto telashe. Në rast të një qasje të tillë të nivelit qendror kundruall nivelit lokal do të pësoj qytetari i Republikës së Kosovës. Përmasimi i bashkëpunimit të nivelit qendror me nivelin lokal shkon në dobi të investimeve në nivelin e lokal, dhe shkon në dobi në zbutjen së papunësisë e cila është pothuajse objektiv kryesor i kryetarëve të Komunave. Kryetarët e Komunave qe një kohë të gjatë janë duke shfaqur shqetësim të tillë për një mosbashkëpunim nga niveli qendror, dhe besojmë që një qasje e tillë do të ndryshoj në të ardhmen sepse ky ndryshim i kësaj qasje do të dërgoj në përmasimin e jetës së qytetarit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ibrahimi.

Tjera nga autori:
1