<b></b> Barrikadohen pozita dhe opozita, s’pranojnë kompromis për komisionin hetimor

Barrikadohen pozita dhe opozita, s’pranojnë kompromis për komisionin hetimor

05.05.2022 12:37

Pozita dhe opozita kanë këmbëngulur në versionet e tyre për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për energjinë. Edhe në seancën e sotme të Kuvendit, pozita dhe opozita kanë fajësuar njëra-tjetrën se po pengojnë themelimin e një komisioni të tillë. Mungesa e konsensusit për këtë çështje bëri që seanca të tensionohet, duke u dëgjuar në sallë goditje të tavolinave me gota e fishkëllima.

Qysh në fillim të seancës së sotme, përfaqësuesit e partive opozitare bën të qartë se me 40 nënshkrimet e tyre Kuvendi është i obliguar ta themelojë komisionin.
Në të kundërtën, ata paralajmëruan se nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës plenare.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se me këtë seancë kërkojnë të mos procedohet tutje.

“Të kthehemi dhe të dakordohemi si kryesi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar. Sot vazhdimi i një seancë të re sikur nuk ka ndodhur asgjë duke u minuar demokracia, është një dëm shumë i madh. Ne nuk e kontestojmë thirrjen e kësaj seance, ne kërkojmë ta realizojmë një të drejtë tonë kushtetuese për hetim dhe kontroll ndaj pushtetit”, ka thënë Tahiri.

Edhe më i ashpër në kritika ndaj pushtetit ka qenë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai ka thënë se partia në pushtet po dëshiron mosfunksionimin e Kuvendit të Kosovës.

“Me sa po kuptoj nga sjellja verbale e dhunshme e kryetares së pushtetit. Keshnu, keshnu, se keshni më vonë. Ju nuk keni dëshirë as me pasë Gjykatë Kushtuese, e as me pasë Kuvend. Po e çoni Kuvendin drejt paaftësisë vendimmarrëse. Mbani mend. Po e çoni Kuvendin drejt paaftësisë vendimmarrëse dhe po e rrezikoni kushtetutshmërinë në këtë vend, duke e shkelur demokracinë dhe duke e paaftësuar Gjykatën Kushtetuese. Kjo është e papranueshme”, ka thënë ai, duke shtuar se LV-së i takon të bëjë kompromis për këtë çështje.

“Kjo sjellje është e papranueshme dhe po e shtini Kuvendin dhe vendin në një situatë të një konflikti të brendshëm politik për të cilin nuk di se si po doni me zgjidhë. E keni për detyrë me zgjedhë kompromisin e jo me paaftësu kompromisin. Ju e keni pushtetin. Mimoza po ankohet se ne po e shajmë. Mimozë, dalim të lëvdojmë, veç bane një punë të mirë”, është shprehur ai.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje pushtetit që të lejojë formimin e komisionit hetimor për energjinë.

“Të them të drejtën, kjo ideja e një komisioni po më pëlqen, për faktin se çka fshihet pas. Mënyra juaj për ta luftuar komisionin tregon qartë që jeni të frikësuar. Dhe me kohëzgjatje po mundoheni të fshihni atë se çka ka ndodhur vitin e fundit. Së fundmi i kemi edhe transaksionet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci. Jeni duke i bërë dëm vetes. Lejoni të krijohet komisioni dhe pas 6 muajve, kur ta përfundojë mandatin, krijoni komision tjetër për çfarëdo që doni. Nuk mund t’i ikni llogaridhënies për atë që ka ndodhur në Kosovë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërsa, ushtruesja e shefes së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës.

“Ne po pajtohemi me atë që po e thotë PDK-ja, por jo me mënyrën qysh ju po e përfaqësoni thua se është shkatërruar demokracia. Ne jemi duke ofruar zgjidhje. Mënyra qysh e keni sjellë në Kuvend formimin e komisionit, nuk është gabim i yni. Ne jemi për transparencë qind për qind. E kemi sjellë një ofertë që është reale dhe e logjikshme. Është e padrejtë të thuhet se zgjedhja e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese është vendosur pa konsultë të grupeve parlamentare”, ka thënë Kusari-Lila.

Tensionohet vazhdimi i seancës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke e parë se pajtimi mes dy palëve për këtë temë ishte larg, propozoi të vazhdohet seanca.   

“Sa i përket kësaj, ne i kemi dy mundësi, që të vazhdojmë me këtë seancë apo të ndërpritet kjo seancë. Mua po më duket e paarsyeshme që të ndërpritet kjo seancë. Unë konsideroj se kjo seancë mund të dështojë vetëm nëse nuk ka kuorum, e përndryshe nëse ju jeni këtu, deputetët janë këtu, e kemi kuorumin e vazhdueshëm, dhe seanca vazhdon”, ka thënë Konjufca.

Vendimi i kryeparlamentarit për të vazhduar seancën, nxiti reagimin e PDK-së, LDK-së, dhe AAK-së.

Ata filluan t’i godasin tavolinat me duar dhe gota për të vështirësuar vazhdimin e seancës plenare.

Pavarësisht rrahjeve të tavolinave, fishkëllimave e brohoritjeve të deputetëve opozitarë, Konjufca vazhdoi seancën.

Nën atmosferën e tensionuar, deputet e LV-së folën për çështje të ndryshme jashtë rendit të ditës dhe shtruan pyetjet e tyre parlamentare për ministrat.

Më pas, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, doli edhe në foltore të kuvendit, duke e goditur edhe atë me gotë për të penguar fjalimin e deputetit të LV-së, Enver Dugollit, dhe ministrit të Financave, Hekuran Muratit.

Me të përfunduar pyetjet parlamentare, kryeparlamenatri Konjufca vazhdoi me pikat e rregullta të rendit të ditës, që ishin paraparë për seancën e sotme. Mirëpo, pas hedhjes në votim të procedurave për votimin e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, u pa se në sallë nuk kishte kuorum.

Kjo bëri që Konjufca ta dërgojë Kuvendin në pauzë deri në ora 12:30.

Tjera nga autori:
1