<b></b> Çfarë tha Presidentja Osmani te Jeta Xharra dhe pse ishte nervoz?

Çfarë tha Presidentja Osmani te Jeta Xharra dhe pse ishte nervoz?

20.04.2022 00:13

Në një intervistë të gjatë, të rrallë, Presidentja Osmani dukej nervoze dhe kakofonike. Fliste për suksese të mëdha, por nuk ishte në gjendje ta përmendte asnjë të vetëm

Presidentja e Kosovës, zonja Vjosa Osmani, në një intervistë te gazetarja Jeta Xharra, e bëri atë që di ta bëjë më së miri, të thotë gjëra të zakonshme duke e përdorur një ton dramatik.

“Kemi arritur suksese marramendëse në politikën e jashtme”, thoshte Osmani duke e ngritur zërin në momentin kur gazetarja Xharra e kontestonte produktivitetin e politikës së jashtme të institucioneve të vendit.

Çfarë suksesesh, a mundeni t’i përmendni disa prej tyre?

Është një numër i madh, thoshte ajo, duke mos arritur që ta përmend asnjë të vetëm, përvec një shkrimi që ajo e ka shkruar në revistën The Economist.

Nuk ishte vetëm kjo pikë ajo që e bëri Presidenten të dukej më shumë histerike se historike.

Në pamundësi për të përmendur rezultate te prekshme, në pamundësi për të treguar rezultate në fushën e atraktimit të investimeve të huaja, Osmani e ndërronte temën duke fluturuar të klasa e kaluar politike. Ajo thoshte që tash nuk po lobohet për ta shpëtuar lëkurën individuale, duke aluduar në Thaçin, e as nuk lobohet për biznese të veçanta.

Në pyetjen e Jetës se a ka ndonjë biznes të huaj të interesuar për të investuar, Osmani thoshte se kishte shumë të interesuar.

A ka emër konkret?

“Në këtë fazë nuk mund të përmendim”. Pra, nuk kishte, por kjo ishte një mënyrë kinse elokuente për të dalë prej situatës.

Presidentja e vendit e pyetur për pozicionet e pesë shteteve mosnjohëse të BE’së, gjithashtu provonte të tregonte që ka lëvizje pozitive, por prapë asgjë konkrete.

“Jeta, kjo është sikur një lokomitivë të ketë dalur nga binarët, tash ne po provojmë që ta kthejmë në binarë, e pastaj ta fusim në lëvizje”, tha ajo, duke dashur të thotë që atë lokomitivën e kishin nxjerrë nga binarët pushtetet e kaluara. Mirëpo si duket Osmani ka harruar që edhe ajo ka qënë pjesë e pushteteve të kaluara – pjesë e kabinetit të presidentit Fatmir Sejdiu.

Kur Jeta ia rikujtoi pozitën që e kishte pasur te Fatmir Sejdiu, kur edhe në atë kohë janë mbajtur zgjedhjet serbe, ajo tha se në atë kohë nuk kishte vendosur Presidenti për ato zgjedhke.

Presidentja ishte e paqartë edhe për pozitën e Shqipërisë për Open Balkans. Tha që sa herë që e ka takuar Edi Ramën i ka thënë atij që ky projekt nuk ishte i duhuri. “Ka kohë që nuk e kam takuar atë”. 

Gjatë gjithë kësaj interviste Osmani shpëtimin e shihte të baltosja e cdo gjëje që ka ndodhur në të kaluarën dhe se sipas saj duhet të kalojë edhe pak kohë për të parë rezultate.

Edhe sa kohë?

“Muaj ose vite”, ishte përgjigje. Vite mund të jenë edhe dhjetëra vite.

Sa i përket vizave, Osmani e tha atë që e ka thënë cdo pushtet në këto dy dekada. Se ajo çështje do të zgjidhet shumë shpejt, se qeveritë e kaluara i kishin të gjitha të metat, se tash gjërat kishin filluar të lëviznin pozitivisht.

“Franca është e impresionuar me rezultatët e treguara”, tha ajo.

Po pse atëherë nuk po hiqen vizat?

“Duhet ende punë”, tha jo, duke akuzuar keqbërësit e kaluar.

Ndërsa ajo nuk pushonte se akuzuari të kaluarit për punët e këqija, kurse për punësimet e kësaj klase politike, në rastin e KEK’ut, ajo thoshte që duhet të merret drejtësia me këto puna. Gjatë kësaj interviste ajo ishte shpatë me qeveritë e kaluara, pambuk me këtë të tashmen.
E pyetur për vizitën e gjeneralit Clark në Kosovë, ajo tha se nuk e dinte se përse ky ish udhëheqës i lartë ushtarak ndodhej në Kosovë, Osmani tha se nuk e dinte. Kur Jeta i tha se Clark ishte udhëheqës i rëndësishëm, atëherë Presidentja tha se ajo ishte vazhdimisht në kontakt me gjeneralin Clark. Shtrohet pyetja, si është e mundur të mos kesh informata pse Clark ndodhej në Kosovë, ama në të njëjtën kohë të jesh vazhdimisht në kontakt me të. Për cfarë bëhet ky kontakt, nëse nuk ke informata që ai po vjen në vendin tonë.

Gjatë kësaj interviste Osmani dukej nervoz, e shqetësuar, e rrebeluar ndaj dikujt, aspak e relaksuar, por arsyeja për këtë nuk ishte e qartë. Në një moment ajo i tha Jetës që “kjo nuk është një pyetje që i bëhet Presidentës”. Ishte një hap mangut asaj cfarë i kishte thënë Sveqla gazetarës së Periskopit.

Edhe lidhur me dialogun me Serbinë Presidentja ishte e paqartë, e pakoncept dhe e paide. Ajo e sulmoi Bashkimin Evropian që nuk po është sa duhet kritike ndaj Serbisë, kurse po i bën trysni Kosovës. Para zgjedhjeve vazhdimisht patën thënë që klasa e kaluara politike nuk ishte e aftë që të bisedonte sic duhet me Bashkimin Evropian, kurse tash po e sulmojnë Bashkimin Evropian.

Vlen të theksohet se gjatë gjithë kësaj interviste Jeta ishte mjaft sfiduese në pyetjet e saja, ani pse kur Presidentja vihej në situatë të palakmueshme, Jeta hezitonte t’i jepte edhe atë goditjen përfundimtare, siç do t’ia kishte bërë Thacit, Veselit, Mustafës ose Haradinaj.

Tjera nga autori:
1