<b></b> Çka dihet për vdekjen e 26-vjeçarit në Suharekë

Çka dihet për vdekjen e 26-vjeçarit në Suharekë

03.05.2022 07:45

Dita e Bajramit nuk kaloi pa aksidente e ngjarje tragjike në Kosovë. Vendi të hënën u shokua edhe nga vdekja e Faton Haxhaj, një 26-vjeçar nga fshati Greikoc i Suharekës, i cili u gjet i vdekur dje nga nga familjarët.

Çka dihet deri më tani për këtë rast?

Rreth orës 15:05 në Emergjencën e Suharekës pranohet një pacient me lëndime të rënda trupore, të cilat sipas informacioneve të para, dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Sipas organeve të hetuesisë në vendin e ngjarjes u gjet edhe një armë e tipit AK-47.

“Pas marrjes së informatës, njësitë e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, në fshatin Greikoc të Suharekës dhe në një objekt përcjellës, 20 deri në 30 metra larg shtëpisë së viktimës, është gjetur një armë AK-47 e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit dhe rasti është duke u trajtuar si “Vdekje e dyshimtë”. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për procedura të mëtutjeshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, kështu deklaroi për Nacionalen, Vesel Gashi nga policia Rajonale e Prizrenit.

Por plagëve trupore të cilat besohet se u shkaktuan nga ky kallash që policia e gjeti në vendin e ngjarjes, nuk arriti t’u mbijetojë 26-vjeçari Faton Haxhaj.

Për vdekjen e tij kanë reaguar shumë qytetarë e personalitete. I pari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se Haxhaj ishte prej djemve të rrallë, të cilit ia admironte energjinë për jetën.

“Fatoni është prej atyne djemve të rrallë, që ua kam admiru energjinë për jetën. E kam pa më të veçantë, natyrisht, sepse ishte djali i dëshmorit Haxhi Haxhaj. Ditë të vështira po përjetojmë. Megjithate duhet ta gjejmë forcën që ta tejkalojmë dhimbjen. Ngushllime Familjes Haxhaj”, ka shkruar Muharremaj.

Pas vdekjes së tij, ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi.

Ajo ka zbuluar se 26-vjeçari ishte djali i dëshmorit Haxhi Haxhaj.

Bytyqi e cila vjen nga kjo komunë shtoi se Haxhaj ishte djalë punëtor e aktivist i pashembullt.

“Pikëllues dhe i rëndë lajmi për vdekjen tragjike të Faton Haxhaj, djalit të dëshmorit Haxhi Haxhaj nga Greikoci i Suharekës. Fatoni ishte një djalë punëtor, i dashur, e aktivist i pashembullt. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën. Dritë të pastë shpirti Faton!”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Tjera nga autori:
1