<b></b> Darka që

Darka që "trazoi" Kosovën, Kurti takohet me Vuçiqin - krejt çka ndodhi dje

04.05.2022 23:41

4 maji do të mbahet mend për takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Këta dy, së pari, u pritën nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në Berlin, i cili i takoi ndaras. Veçmas me secilin, Scholz mbajti konferenca për media, ku u bënë të qarta qëndrimet e Kurtit, Vuçiqit dhe kancelarit gjerman.

Megjithatë, bujë të madhe krejt në mbrëmjen e së mërkurës bëri një darkë mes Kurtit dhe Vuçiqt, e shtruar nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Por, së pari çfarë u tha pas takimit me Schulzin?

Kancelari Scholz nuk dha ndonjë zotim apo qëndrim të ri të Qeverisë që udhëheq sa i përket Kosovës. Sidoqoftë, vlen të përmendet se pozitiv ishte paralajmërimi i liberalizimit të vizave, edhe pse paralajmërimet asnjëherë nuk kanë munguar nga Gjermania.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën ka qenë zotim i Qeverisë që unë drejtoj”, u shpreh ndër tjerash pasuesi i Angela Merkelit.

Sa i përket dialogut, Scholz i kërkoi kryeministrit tonë përkushtim dhe bashkëpunim konstruktiv. E kryeministri ynë tha që i kishte këto atribute.

“Në lidhje me dialogun me Serbinë, e njoftova kancelarin se Kosova është proaktive. Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke... Pikëpamja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund. Ne jemi të përkushtuar që të ecim shpejt”, ishin fjalët e fundit në konferencë të kryeministrit Albin Kurti.

Ai përmendi një nga një të gjitha ato që i konsideron si arritje përgjatë një viti e një muaji në pushtet.

“Ndihem i nderuar që jam këtu si kryeministër dhe Qeveri e re e Kosovës. Gjermania është vend mik dhe aleat strategjik për Kosovën... me Kancelarin e kemi shfrytëzuar mirë kohën për të folur për dy tema të rëndësishme për vendet tona dhe për fatin e kontinentit tonë. Temë e parë ishte Lufta e Ukrainës. Mbi bazën e kapaciteteve tona jemi solidarizuar me popullin e Ukrainës...”, tha Kurti duke vazhduar të fliste më tej për luftën në Ukrainë.

Sikurse në konferencën me Kurtin, kancelari gjerman ritheksoi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke qenë nikoqir i tij, Scholz i rikonfirmoi që e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian, në të cilën shteti serb është favorit të anëtarësohet në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kur i erdhi radha dialogut me Kosovën, pasardhësi i Angela Merkelit ishte i qartë në mesazhin e tij.

“Ecja e përbashkët në dialog është e një rëndësie të madhe. Kam biseduar me Vuçiqin se sa i rëndësishëm është dialogu. Të gjitha detyrimet për të cilat jemi dakorduar duhet të respektohen”, theksoi Scholz.

Duke folur rreth agresionit rus në Ukrainë, Scholz tha se është e rëndësishme që Serbia të qëndrojë në rrugën e reformave.

“Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë të dërgojmë të njëjtin mesazh pas luftës që Rusia po bën kundër Ukrainës. Është e rëndësishme që Serbia të qëndrojë në rrugën e zbatimit të reformave”, tha kancelari gjerman.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është deklaruar pas takimit me kancelarin gjerman Ola Scholz, duke thënë se si udhëheqës i shtetit serb është i gatshëm të punojë për një marrëveshje kompromisi.

Tutje, presidenti serb tha se “do ta bëjë më të mirën për të lëvizur drejt një zgjidhjeje me kompromis”, duke shtuar se për një marrëveshje duhet të ketë vullnet të dy palëve negociatore.

“Do ta bëjmë më të mirën për të lëvizur drejt një zgjidhjeje me kompromis, do të përpiqemi që të gjejmë një marrëveshje kompromisi, por siç kemi të qartë, kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, por edhe të palës tjetër”, ka theksuar ai.

Vuçiq deklaroi se e kupton mesazhin e Gjermanisë, ndonëse theksoi se Serbia ka qëndrim tjetër në lidhje me Kosovën.

Reagimet në rrjetet sociale

Facebook-u u ‘bombardua’ me shumë reagime e komente, vetëm pasi në mbrëmje doli një fotografi ku shihej Kurti së bashku me Vuçiqin pak para fillimit të darkës.

Siç edhe raportoi Nacionale dhe e lexuat ju, fotoja e përbashkët me Vuçiqin dhe zyrtarët evropianë para darkës joformale, mori dhenë dhe u shpërnda me të madhe.

Të shumtë qenë akterët që reaguan pas kësaj fotoje, në veçanti gazetarët.

Parim Olluri ironizoi duke thënë se ra dinjiteti në nivel republikan, teksa ironinë e vazhdoi me pyetjen: A ka ndonjë ide për ta ringritur?

Përveç Ollurit reagoi edhe Kajtazi. Ky qe pak më i ashpër, duke thënë se Kurti po ha darkë me Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia për krimet e luftës.

Analisti Ilir Mirena ndërkaq, publikoi një status duke i përshtatur vargjet e poetit Anton Zako Çajupi.

“Militant mos rri po duku, militant!

Kurtin ua mori Vuçiqi, i vu zjarr!

Militant, mos rri po duku, militant!

Mjaft punove per te tjere, o fatkeq!

*Vargje te pershtatura nga Çajupi…”, ka shkruar ai.

Nuk mungoi as reagimi i opozitarëve.

Anëtarja dhe ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, e ka krahasuar këtë darkë me atë të Lamës. 

Albin Kurti dhe “Darka e Lamës” në Berlin. Mrazi po fillon”, ka shkruar Ismaili.

Zyrtari i PSD-së, Nol Nushi, po ashtu nuk mungoi në këtë përmbledhje reagimesh.

Ai ka qenë i shkurtër, teksa përzgjedhja e fotos goxha e pazakontë.

Foton origjinale, Nushi ka vendosur që ta montojë dhe në vend të personave të tjerë të pranishëm, të vendosë fytyrat e Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

Kurse, pak më i shkurtër, por që tha shumë, ishte Mushkolaj. Ai veç e kujtoi frazën e famshme të Lëvizjes Vetëvendosje, që në fakt ishte edhe "brumi" kryesor i asaj se ku është sot VV-ja.

Reagimet janë duke vazhduar ende. E në mesin e atyre që reaguan ishin edhe deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, profesori Milazim Krasniqi, zëdhënësja e LDK-së Jehona Lushaku, e shumë të tjerë.

Tjera nga autori:
1