<b></b> Dehje, boksa, para nga Beogradi, fjalime pro-Rusi: Skandalet 'ambasadoreske' të Kosovës

Dehje, boksa, para nga Beogradi, fjalime pro-Rusi: Skandalet 'ambasadoreske' të Kosovës

26.04.2022 19:03

Përfaqësuesit diplomatikë të shkallës më të lartë që Kosova i ka dërguar në shtetet mike, shpesh kanë ditur ta bëjnë horë Kosovën – në vend që t’i shërbejnë. Njëri hapur doli pro Rusisë, tjetri dyshohet se i mori 600 mijë euro nga GEN-i në Beograd; dikush bëri aksident në gjendje të dehur, një tjetër e okupoi zyrën e kërcënoi me Kanun, ndërsa dy edhe më  tjerë nga diplomatë u shndërruan në ‘boksierë’.

Shpresojmë të jetë i fundit, ama Martin Berishaj nuk është i pari ambasador që u përfshi në skandale.

Malësori – siç po e quajnë miqtë e tij në politikë – përfitoi 600 mijë euro nga GEN-i në Beograd, e më pas ia çoi kryeministrit potencial slloven Robert Golob, për arsye ende të panjohura.

Kompaninë përmes së cilës malësori Berishaj i kishte marr paratë s’ishte deklaruar as në Agjencinë Kundër Korrupsionit si pasuri e ambasadorit.

Raportimin mbi këtë skandal e bëri Planet TV, e Berishaj dorëheqje nuk dha, ama premtoi se do ta padiste median sllovene.

Nuk e ka pranuar fajin”, “Do ta padisë mediumin” — Kaq i mjaftoi Presidencës dhe Qeverisë që ta arsyetojnë skandalin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci dhe mos ta shkarkojnë.

Edhe pse momentalisht po e mban bajrakun si ambasadori më skandaloz i Kosovës, edhe të tjerë para tij në vende të ndryshme ia patën qitë hijen e zezë Kosovës ani pse paguheshin që t’ia ndreqnin imazhin.

Kroacia duket se është shtet ters për ambasadorët kosovarë. Më 2013, Ministri Këshilltar i Ambasadës së Kosovës në Zagreb, Urtak Hamiti, ishte përfshirë në një skandal që e detyroi Kosovën ta kthejë në Prishtinë.

Djali i nënkryetarit të LDK-së së asokohshme, Sabri Hamitit, në gjendje të dehur kishte vozitur rrugëve të Zagrebit, ku ishte përplasur me disa makina tjera.

Sipas dëshmitarëve që citoi televizioni kroat, Nova TV, diplomati Hamiti pas aksidentit ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes.

Arratisjen nga vendi i ngjarjes, Hamitit ia kishte pamundësuar gjendja e tij e dehur, andaj s’kishte mundur as të qëndrojë mirë në këmbë.

Pronarët e makinave që i ndeshi Hamiti i dehur, e mbajtën diplomatin derisa kishin ardhur policia për ta arrestuar.

Kroacia pas arrestimit dërgoi notë proteste në Kosovë, ku ministri i Jashtëm atëherë, Enver Hoxha, u detyrua ta kthejë Urtakun në Prishtinë.

Të dehurit shpesh shfaqen edhe agresivë. Ama motra e  Ganimete Musliut, Fatmire Musliu, esëll kishte sulmuar fizikisht ambasadorin e atëhershëm në Gjermani, Vilson Mirditën.

Sipas komunikimeve të publikuara atë kohë, ambasadori Mirdita ankohej vazhdimisht në Ministrinë e Jashtme për sjelljet e Musliut.

Aty në detaje shpjegohej se si Musliu shpërfillte hierarkinë dhe punonte krye më vete, duke e vënë misionin diplomatik shumë herë në pozita të palakmueshme.

Talentin si boksier e kishte shprehur edhe tash Zotëria i Parë [siç ka qejf të quhet] Prindon Sadriu.

Burri i presidentes Vjosa Osmani, si diplomat ishte rrahur me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Për këtë incident, Sadriu ishte denoncuar nga Drejtori i Përgjithshëm në MPJ, Albert Prenkaj.

Atij i ishte dhënë grada diplomatike Ministër dhe një mandati 4-vjeçar në Shkup pavarësisht që drejtori i përgjithshëm nuk kishte rekomanduar asnjëherë gradimin e tij.

Për punën e Sadriut ishte ankuar edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Me të thënë të drejtën vjen në punë kur të do, shkon kur të do, të premten nuk vjen hiç, gjatë pandemisë dhe orës policorë s’ka ardhur me muaj të tjerë” – ankohej Dedaj në T7.

Sadriu i kishte çartur raportet me Dedajn goxha moti sa që patën kaluar edhe në kërcënime me kanun. Merre me mend, ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, e kërcënon një diplomat me kanun.

“Përveç ligjit te unë dhe familja ime nga Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush, ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja” – thoshte Dedaj.

Gruaja e Prindonit, Vjosa Osmani, si presidente i shkarkoi 12 ambasadorë, në mesin e tyre edhe Gjergj Dedajn.

Ky i fundit refuzonte ta lëshojë zyrën për një kohë. Madje kishte publikuar fotografi nga zyra e tij me mbishkrimin “misioni historik vazhdon”.

Pos zyrës, mediat raportuan se Dedaj refuzonte t’i dorëzonte edhe targat diplomatike të veturës.

Ndërsa për zhvillimet në Evropë, pushtimin e Ukrainës jo të gjithë kosovarët e shohim si pushtim. Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pula, së fundmi ka dalë hapur pro pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Rënien e Mariupolit, Pula e vlerëson si çlirim, derisa citon ministrin rus Lavrov, kur ky thotë se “Operacionet e Rusisë në Ukrainë po e ndalojnë dominimin global të SHBA-së”.

Ndoshta më mirë do të ishte sikur Pula të mos merrej seriozisht, derisa Rusia ta njohë Kosovën, e pastaj ta çojmë ambasador në Moskë.

Pa marr parasysh çka do të ndodhë me Pulajn, Kosova do ta mbajë si njollë faktin se të emëruar si ambasador ka pasur një diplomat pro-rus.

Tjera nga autori:
1