<b></b> Detaje nga aksidenti që i mori jetën 24-vjeçares kosovare

Detaje nga aksidenti që i mori jetën 24-vjeçares kosovare

21.04.2022 13:19

Përplasja me një kamion të shtunën në orët e hershme të mëngjesit, në aksin rrugor Treviso - Vicenza në Itali, ka bërë që vajzës 24-vjeçe kosovare, Donika Nikollbibaj, t'ia shkaktonte vdekjen. Ajo ishte nisur për në atdhe për pushimet e Pashkëve. E ndjera banonte në San Michele d'Adige të Trento dhe njëherit ishte studente në Universitetin e Veronës. Pas tri ditësh agoni ku ishte hospitalizuar në spitalin e Treviso, ajo vdiq. Fatmirësisht, motra e saj 25-vjeçe, Monika, që gjendej me të, ka shpëtuar dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Shtypi i shkruar lokal i qytetit Treviso, ka bërë të ditur detajet e këtij incidenti fatal, që la të vdekur vajzën 24-vjeçe, shtetase kosovare, Donika Nikollbibaj. Mësohet që aksidenti ka ndodhur në ora 6:30 të mëngjesit, ditën e shtunë, pranë një qendre tregtare, në një qytezë në periferi të qytetit të Treviso, gjegjësisht në Padernello.



Makina me të cilën udhëtonin ishte një Wolkswagen Polo dhe aksidenti raportohet të ketë ndodhur në mënyrën më brutale të mundshme - përplasje ballëpërballë ndaj një kamioni Iveco, që vinte nga drejtimi tjetër i korsisë së rrugës.

Përplasja ishte aq e fortë mes automjeteve, aq sa dy vajzat e reja kosovare kanë mbetur të ngujuara brenda llamarisë së makinës. Makina e tyre ka dalë edhe jashtë shtegut të asfaltit. Donika menjëherë ka shfaqur lëndime të rënda.

Donika raportohet se është dukur në gjendje shqetësuese shëndetësore porsa kanë dalë në vendin e ngjarjes ekipet mjekësore, të cilat menjëherë kanë intubuar, për ta zhvendosur me shpejtësi në repartin e reanimacionit të spitalit të Treviso. Përveç tyre, në vendin e ngjarjes janë parë edhe ekipi i zjarrfikësve.

Motra e tashmë të ndjerës, që udhëtonte me të, ka shpëtuar pa lëndime të rënda dhe është liruar nga spitali. Të njëjtin fat e ka pasur edhe ngasësi i kamionit që është përplasur me makinën e vajzave kosovare, duke shpëtuar pa shqetësime.

 

Ishte pikërisht Donika e ndjerë që po ngiste makinën në momentin e aksidentit. Sipas hetimeve të policisë italiane, është dalë në konstatim se aksidentin rrugor e ka provokuar një dhimbje e papritur që e ka ndjerë ndërkohë vajza e ndjerë 24-vjeçe. Për këtë arsye, gjithnjë sipas policisë italiane, asaj i ka dalë nga kontrolli makina, duke dalë në korsinë tjetër të rrugës, për t'u përplasur me kamionin. Për shkak të kushteve të rrugës, ngasësi i kamionit nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër për ta shmangur aksidentin.

Të dy motrat kosovare ishin nisur gjatë orëve të vona të natës në drejtim të Kosovës. Ato kishin vendosur që t'i kalonin pushimet e Pashkëve në vendlindje. Rruga drejt atdheut iu ndërpre Donikës në kushte barbare, nga një aksident mizor rrugor. Ajo ishte studente në Universitetin Ateneo të Veronës. Për t'i paguar shpenzimet e universitetit, punonte me orar të pjesshëm në ndërmarrjen Mediaword të Trentos. Sipas burimeve të mediave lokale italiane, thuhet se ajo dëshironte që pas diplomimit në Universitet, të vazhdonte me Master. Ambicie dhe ëndërr që iu venitën mizorisht.


Përktheu dhe përshati: Shpend Thaçi

Tjera nga autori:
1