<b></b> Dialogu, Martin Berishaj e krahasimi i pozitës me

Dialogu, Martin Berishaj e krahasimi i pozitës me "botat e Counter-it", thekset kryesore të intervistës së Abdixhikut

29.04.2022 00:09

Skandali i Martin Berishajt, përplasjet pozitë e opozitë në Kuvend, komisioni hetimor për energji, politika e jashtme, dialogu dhe situata brenda LDK-së ishin temat të cilat i diskutoi kreu i partisë më të vjetër në vend, në paraqitjen e fundit televizive në Debat Plus të Dukagjinit, përcjell Gazeta Nacionale.

Megjithatë, një detaj duket t'i ketë rrëshqitur Lumir Abdixhikut! Kjo pasi, përderisa ishte duke folur rreth dialogut dhe përgjegjësisë nga ai, përmendi frazën "një vjet - një vjet e gjysmë".

"Sa herë që Kosova ka qenë në vijë me faktorin ndërkombëtar, Kosova ka përfituar historikisht. Tani është momenti historik që duhet ta shfrytëzojmë. Është një dritare që nuk zgjat shumë. Një vjet - një vjet e gjysmë. Kaq është periudha e kësaj mundësie. Çka sjell e ardhmja, mund të jetë edhe më mirë, edhe më keq, por kështu s'maten gjërat", tha Abdixhiku në Debat Plus.

Nuk dihet se në çfarë aspekti e tha këtë, por mëdyshjet janë evidente. Përveç tjetër, Lumir Abdixhiku pati kritika edhe për disa analistë e media. Foli edhe për pozicionin e Serbisë, duke shfaqur doza 'frike', pasi një rikthim potencial i saj kah BE-ja, mund të ndikojë në pozitën e Kosovës në tavolinën e dialogut.

Ai hodhi kritika edhe ndaj deputetëve pozitarë. Madje, pati guximin që t'i etiketojë edhe si "bota", elementë të programuar në lojën më të luajtur kompjuterike, "Counter Strike".

Në fund, kryetari i Lidhjes Demokratike shtoi se partia që drejton është e gatshme të marrë pjesë në dialog, por jo me Albin Kurtin kryeministër. Kjo sipas Abdixhikut, për shkak se akti më i lartë juridik determinon saktë se bartës i dialogut është kryeministri i Republikës së Kosovës.

Martin Berishaj

Abdixhiku kritikoi ashpër ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sipas tij, ajo sot në Kuvend e luajti rolin e avokatit të Berishajt. Tutje, Abdixhiku tha se si është e mundur që të mbrohet dikush që dyshohet për shpërlarje parash.

Ai tutje kërkoi që të fillojnë hetimet për mosdeklarim të pasurisë nga ambasadori në Kroaci, pasi kjo është vepër penale.

"Hetimet duhet të fillojnë, nëse jo për diçka tjetër, për mosdeklarim. Shto këtu, kësaj radhe shifra është e madhe. Mbi gjysmë-milion euro. Gjithashtu e vlerësoj fillimin e procedurave hetimore nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Paraqitjet në Kuvend

"Secili deputet i qeverisë, njëri pas tjetrit, dilnin dhe flisnin të programuar. Si "bota". A e dini "botat" e programuar? Me fjalime me kode 1 dhe 0. Kështu silleshin.  Si "bota".

Madje "botat" e "Counter-it" në Dust 2 e kanë stazën A dhe stazën B, këta e kishin vetëm një. Ne i thonim po ju votojmë komisonin, rend fjalimet: po ju pengon e kaluara".

Kështu u shpreh ai teksa kritikonte deputetët pozitarë, që sipas tij ishin të programuar. Secili me fjalim të përafërt, teksa ngatërronin temën.

Abdixhiku shtoi se derisa këta konfirmonin votën pro, ata vazhdonin: Pse po ju pengon e kaluara?

Komisioni Hetimor për Energji

Për këtë çështje ai qe goxha i zëshëm. I pari i LDK-së tha se nuk e ka të qartë pse e gjithë kjo rezistencë e Qeverisë, pse gjithë kjo mos-gatishmëri për t'i filluar hetimet. Me këtë, siç tha ai, po rriten dyshimet.

"Kriza energjetike është njëra nga krizat e prodhuara nga kjo qeveri. Përderisa qeveritë e rajonit po merreshin me zgjidhjen e problemit të rrymës, qeveria po mundohej ta bindte qytetarin që s'ka krizë.

Nuk kam pritur rezistencë nga qeveria për çështjen e komisionit hetimor për energjinë. Është e habi e madhe. S'e kuptoj këtë rezistencë! Kjo qasje e bën të duket sikur kanë diçka për të fshehur".

Politika e jashtme dhe dialogu

"Nuk kemi politikë të jashtme. Unë kur shkoj jashtë nuk e shaj qeverinë. E mbroj vendin tim bre".

Kështu tha mes tjerash Abdixhiku teksa kritikonte qasjen e ministrisë së jashtme dhe atë Kurti në dialog. 

Gjithnjë sipas tij, ata duhet angazhuar maksimalisht dhe jo të marrin pjesë nëpër lagje e fshatra, por në qendrat evropiane.

Ai pati edhe një hipotezë interesante? Çka nëse Serbia ndryshon pozicion karshi Rusisë?

"Çka nëse ndryshon pozicioni i Serbisë karshi Serbisë? Kryeministri nuk duhet ta lëshojë këtë mundësi. Ai duhet të ulet në tavolinën e dialogut. Nuk guxojmë të rrezikojmë. Me ndryshimin e qasjes së Serbisë, humbim ne", vazhdoi ai.

LDK

Mohoi se po përgatiten për zgjedhje. "Jo, jo për zgjedhjet. Nesër është Konventa. Po angazhohemi për t'i definuar gjërat. Do t'i angazhojmë afro 200 profesionistë që do të merren me këto çështje. Duam të kemi pasqyrë të saktë rreth numrit. Gjithashtu po e përgatisim një planprogram tonin, i cili do të jetë edhe për në zgjedhjet e ardhshme.

Po i definojmë disa pika, përfundoi ai. 

____________________________________________

Kujtojmë se Lumir Abdixhiku u kritikua goxha shumë rreth qëndrimit të tij prej opozitari, pasi deri vonë nuk ishte kushedi sa aktiv, por që të njëjtat kritika nuk i pranoi. Sipas tij, opozita nuk mund të konsiderohet e dobët.

Siç thotë ai, është e njëjta opozitë që e la partinë në pushtet me vetëm katër komuna.

/Nacionale/

Tjera nga autori:
1