<b></b> Disa gjithë vitin Bajram, disa kursimtarë: Këto janë shpenzimet e ministrave të Kurtit

Disa gjithë vitin Bajram, disa kursimtarë: Këto janë shpenzimet e ministrave të Kurtit

02.05.2022 14:01

Paraja publike, gjakderdhja financiare… - sa shpenzuan ministrat e Kurtit për dreka, udhëtime e mëditje?

Se paratë e taksapaguesve nuk do të shpenzohen vend e pa vend e pa ‘karar’ e kishte thënë disa herë gjatë fushatës, por edhe pas marrjes së detyrës, kryeministri Albin Kurti. Megjithatë, jo të gjithë vartësit e tij nëpër ministri janë me të njëtjin mendim. Disa prej ministrave janë kampionë me shpenzime për dreka, darka e mëditje, përderisa disa të tjerëve duhet t’u japim hakun si kursimtarë. Gazeta Nacionale sjell shpenzimet e të gjithë ministrave të qeverisë Kurti II me kabinetet e tyre.

Më shumë se 30 mijë euro ka shpenzuar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu bashkë me kabinetin e tij për dreka, mëditje, akomodime e bileta udhëtimi. Si rezultat, Aliu me kabinet është kampion i shpenzimeve të tilla. Kurse, ministrja më ekonomiste po del se është bash ajo e ekonomisë, Artane Rizvanolli. Shumë nuk shpenzuan as ministrat që erdhën nga diaspora, Rifat Latifi e Armend Mehaj. Megjithatë, Mehaj pak më shumë para mori për mëditje.

Por sa shpenzuan të tjerët? Gazeta Nacionale sjell shpenzimet e ministrave dhe kabineteve të tyre për dreka, udhëtime, akomodime e bileta udhëtimi.

Xhelal Sveçla

Jo pak nga paratë e takspaguesve i ka shpenzuar për dreka e udhëtime, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Nga prilli i vitit 2021 deri në të njëjtin muaj 2022, Sveçla ka shpenzuar rreth 14 mijë euro për dreka, mëditje, akomodime e bileta të udhëtimit.

Prej këtyre shpenzimeve, 7 mijë e 300 euro Sveçla i ka shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, akomodime e mëditje. Për bileta udhëtimi, ai i ka harxhuar 2 mijë e 841 euro. Për reprezentacion ministri i Brendshëm i ka shpenzuar 1 mijë e 109 euro. Kurse, për dreka e darka zyrtare nga Sveçla janë shpenzuar 2 mijë e 936 euro.

“Masa monetare prej 933.76 euro në qershor është për udhëtimin në Austri 289.41 euro, 489.82 euro dhe 154.53 euro. Masa monetare prej 1,141.77 në tetor është  për udhëtimin në Austri 292.21 euro dhe 264.00 Zagreb dhe 585.56 euro në Austri. Masa monetare prej 118.05 euro shpenzimi në mars 202 për udhëtimin në Bruksel. Masa monetare prej 369.48 euro shpenzimi në mars 202 për udhëtimin në Austri”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Nacionalen.

Hekuran Murati

Për mëditje, bashkë me kabinetin e tij, gjatë vitit 2021, ministri i Financave, Hekuran Murati ka përfituar 551 euro e 10 cent. Për akomodime gjatë udhëtimeve jashtë vendit, nga ministria e Muratit janë shpenzuar 626 euro. Për bileta, Murati me zëvendësit dhe anëtarët e tjerë të kabinetit, kanë shpenzuar 1 mijë e 577 euro. Shpenzimet për dreka e darka zyrtare në Ministrinë e Financave nuk kanë pasur, megjithatë Nacionalja ka siguruar shpenzimet e byfesë.

Gjatë vitit 2021, në byfenë e ministrisë nga Murati dhe kabineti i tij janë shpenzuar 2 mijë e 769 euro. Më dorëliri për porosi në byfenë e ministrisë, po del se është zv/ministri Resul Makreshi. Ai gjatë vitit 2021 ka shpenzuar 1 mijë e 388 euro, ose pjesën më të madhe të shpenzimeve.

Në vitin 2022, Murati me kabinet nuk kanë shpenzuar asnjë cent për mëditje, bileta e dreka zyrtare. Kurse shpenzimet e byfesë kapin vlerën e 842 eurove në muajt e parë të këtij viti. Edhe këtu, sërish më së shumti ka shpenzuar zv/ministri Makreshi me 549 euro.

Hajrulla Çeku

Për dreka zyrtare gjatë vitit 2021, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka shpenzuar 2 mijë e 189 euro. Në total, nga lista e shpenzimeve për dreka nga zv/ministrat, këshilltarët e anëtarët e tjerë të kabinetit qeverisës, në ministrinë e Hajrulla Çekut për dreka zyrtare janë shpenzuar rreth 7 mijë euro.

Për mëditje e udhëtime zyrtare në vitin 2021, nga ministri Çeku me kabinet janë shpenzuar 2 mijë e 344 euro. Përderisa, në vitin aktual shpenzimet qoftë për mëditje qoftë për dreka e darka zyrtare, janë shifra më të ulëta.

Elbert Krasniqi

Gazeta Nacionale ka siguruar edhe shpenzimet e ministrit të Administrimit e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Për dreka e darka zyrtare në periudhë mars 2021 – mars 2022, Krasniqi ka shpenzuar nga buxheti 1 mijë e 380 euro. Kurse, për shpenzimet me kredit-kartelë që përfshijnë akomodimin e biletat në raste udhëtimi, Krasniqi ka shpenzuar 5 mijë e 242 euro.

Rozeta Hajdari

Në disa udhëtime e ceremoni jashtë vendit ka marrë pjesë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari. Për mëditje, akomodim e bileta udhëtimi në vitin 2021, Hajdari ka shpenzuar 4 mijë e 599 euro. Kurse, për dreka zyrtare shpenzimet kapin vlerën 2 mijë e 700 euro.

Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, udhëtoi drejt Hagës për vizitë te krerët e UÇK-së. E në mesin e këtyre shpenzimeve për mëditje, ajo ka përfituar nga kjo vizitë jashtë vendit. Në total shpenzimet e Haxhiut për mëditje e udhëtime janë shpenzuar 1 mijë e 635 euro. Kurse, për dreka e darka zyrtare, janë shpenzuar 3 mijë e 324 euro.

Faton Peci

Për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka shpenzuar 2 mijë e 70 euro. Për mëditje 2 mijë e 130 euro të tjera. Për shpenzime të tjera gjatë udhëtimeve, ai ka shpenzuar 332 euro, kurse për bilta mbi 1 mijë e 500 euro. Dreka zyrtare, ministri Peci nuk ka pasur shumë, ku ka shpenzuar vetëm 258 euro. Në total të gjitha këto shpenzime kapin vlerën e 6 mijë e 368 euro.

Arbërie Nagavci

Për mëditje, në periudhën korrik-dhjetor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka përfituar 3 mijë e 342 euro, kurse në vitin 2022, për mëditje ajo ka marë 194 euro të tjera.

Për dreka e darka zyrtare, ministrja Nagavci me kabinet ka shpenzuar 4 mijë e 280 euro. Kurse, në muajt janar-prill 2022 ajo ka shpenzuar 1 mijë e 741 euro për dreka e darka zyrtare.

Ministria e Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e Nacionales, duke shkelur Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

*Në këtë shkrim nuk janë përfshirë ministrat e pakicave tjera etnike, përveç Elbert Krasniqit.

Tjera nga autori:
1