<b></b> Dita e Evropës: Marrëdhënia 'sharje-dashuri' mes Kosovës dhe Evropës

Dita e Evropës: Marrëdhënia 'sharje-dashuri' mes Kosovës dhe Evropës

09.05.2022 11:26

Sot në Kosovë festohet Dita e Evropës. Dhe madje, bëhet festë si askund tjetër në Evropë: duke pushuar. Por, raporti i Kosovës me Evropën nuk ka qenë asnjëherë aq i thjeshtë dhe aq i qartë. Për këtë ditë, ky tekst i kushtohet saktësisht këtij raporti.

Nuk mund të kontestohet që në Kosovë nuk ka euro-skepticizëm siç ka nëpër vende anëtare të Bashkimit Evropian (BE) apo edhe vende të tjera në mbarë botën. Por, megjithatë nuk mund të kontestohet as kjo marrëdhënie e ndërlikuar. Po të kishim ndonjë fjalë shqipe që do të përkthente si duhet fjalën angleze “bittersweet” do ta përdornim, por ja që nuk kemi. Për ata që nuk e kuptojmë, po flasim për diçka që është njëkohshëm e ëmbël dhe e hidhur. Për diçka që ndryshon me rrebe.

“Moj Evropë, Evropë e vjetër, si s’ma gjete një rrugë tjetër”

“Një rrugë tjetër me pak besë, njëqind vjet m’qite n’harresë”

Projekt i BE-së dhe rrugës drejt BE-së

Kosova si shtet është projekt i internacionalizmit liberal të Bashkimit Evropian. Parimi i multi-etnicitetit derivon pikërisht prej vlerave bazë të Bashkimit Evropian, ashtu siç derivojnë edhe parimet tjera shtetërore si liria e mediave, barazia gjinore në mundësi, mirëqenia sociale, etj.

Përveç kësaj, BE-ja bën edhe matjen e përvitshme të arritjeve të Kosovës në Raportin e Progresit. Shumë prej këtyre raporteve kanë qenë mjaft negative për vendin, duke dhënë vërejtje serioze sidomos në zbatimin e legjislacionit në fuqi. Ligjet i keni, por nuk po i zbatoni – ishte një prej vërejtjeve kryesore që përsëritej e ripërsëritej në raport. E legjislacioni ynë, ashtu si Kushtetuta jonë, është po ashtu e bazuar në vlerat fundamentale të Bashkimit Evropian.

Por, rruga e BE-së nuk ka qenë aq e kollajshme deri këtu, dhe kjo për arsye të kalkulimeve të ndryshme politike.

Marrëdhënia abuzive ose ‘abuzive’

Kosova ishte e orientuar drejt Bashkimit Evropian pa asnjë kusht, dhe kjo bëri që të ishte në pozicion më të pavolitshëm se sa fqinji i saj armiqësor, Serbia.

Opinioni publik në Kosovë – përfshirë këtu edhe liderë të ndryshëm të vendit – e kanë akuzuar Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesit e saj se i kanë mbajtur anën Serbisë në proceset integruese drejt BE-së, e në veçanti sa i përket dialogut.

Pikërisht çështja e dialogut është bërë mollë sherri në një numër të madh rastesh. Ky proces kishte nisur në marsin e vitit 2011, dhe ishte lehtësiar (fasilituar) pikërisht nga zyrtarët e lartë të BE-së. Por, progesi ka qenë vazhdimisht i pakët dhe i kontestuar.

Bashkimi Evropian është mbrojtur për shkak të pozicionit të saj neutral sa i përket shtetësisë së Kosovës. 5 vende anëtare të saj ende nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës. Por, nëse ishin neutrale, atëherë si mund të ishin bash bash neutrale kur dihej që rruga e Kosovës drejt saj ishte e qartë drejt saj, ndërkohë që Serbia fuste ndërmjet superfuqi tjera botërore si Rusia, e me raste edhe Kinën?

T’i rikthehemi vargjeve të këngëtarit Ilir Shaqiri drejtuar Evropës:

Kthema tokën, kthjellma qjellin,

Kthema borxhin, kthema borxhin,

L'shoma diellin.

Dua t'jem zot,

N'timen tokë.

Dje dhe sot, sot e neser jam Evropë,

Jam Evropë, jam Evropë.

Liberalizimi i vizave

Çështja më abuzive sa i përket marrëdhënies së Kosovës me Evropën (BE-në) ishte ajo e liberalizimit të vizave. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në Evropë të cilët nuk mund të udhëtojnë lirshëm drejt vendeve të zonës Schengen.

Premtimet e zyrtarëve të BE-së për liberalizim vizash kanë nisur prej vitit 2011, dhe me raste të caktuara janë intensifikuar – siç ishte koha e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi – por më shumë për fajin e tyre se sa për fajin tonë, premtimi nuk është përmbushur.

“Kanë kaluar më shumë se tri vjet që kur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të dytë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë një padrejtësi e madhe, ka patur mungesë drejtësie ndaj qytetarëve të vendit tonë të cilët kanë vuajtur shumë”, Albin Kurti, tetor 2021.

"Institucionet qendrore dhe lokale implementuan të gjitha kriteret e kërkuara dhe sot nuk futemi në një raport teknik. Është marrëzi të shtyhet ky proces, qoftë edhe për disa ditë, lere më për disa javë. Qytetarët dhe institucionet janë lodhur me premtime shterpe. Këto vonesa janë të padrejta për Kosovën por në të njëjtën kohë mund të nxisin reagime dhe përsëri të mbetemi fajtorë. Mosnxjerrja e raportit të Kosovës për liberalizmin e vizave është fyerje direkte që i bëhet qytetarëve të Kosovës", Hashim Thaçi, dhjetor 2015.

Parlamenti Evropian vazhdimisht e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën, siç ndodhi edhe në marsin e vitit të kaluar me shumicë dërmuese (472 vota për, 165 kundër dhe 41 abstenime).

Këto ngjarje vazhdimisht festohen ndër kosovarë, por megjithatë BE-ja nuk ka bërë e nuk po e bën lëvizjen e madhe për Kosovën. Arsyet për një gjë të tillë besohet se kanë të bëjnë me politikën, më precizisht me mungesën e përparimit në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Hapi më serioz në këto marrëdhënie

E këtu, zor se mund të shkëpusim vargje nga kënga e Ilir Shaqirit kushtuar Evropës.

Hapi më serioz i bërë në marrëdhëniet Kosovë-BE është Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA) e nënshkruar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian në Strasburg më 2015.

“Kjo marrëveshje është hapja e një faze të re në marrëdhëniet BE-Kosovë. Ajo përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë dhe rajon”, kishte deklaruar Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini në atë kohë.

Komisioneri Johannes Hahn e kishte quajtur “moment historik në marrëdhëniet Kosovë-BE”.

Por, prej vitit 2015 kanë kaluar tashmë shtatë vjet, dhe në vend të përparimit në marrëdhënie ka pasur ngecje dhe prapakthim të vazhdueshëm. Për shkak se BE-ja është shumë më larg Kosovës – jo për faj të Kosovës – se që ishte në vitet 2010’, tashmë nisma rajonale po propozohen që të kompensohen hapësira e madhe e lënë prej saj. “Ballkani i Hapur” – është propozimi më serioz, e në të cilin janë futur tashmë tri shtete fqinje: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Duke qenë një marrëdhënie kaq e komplikuar, shumë analistë kanë potencuar se është BE-ja që po ballkanizohet derisa vendet e rajonit – e pra, edhe Kosova – po evropianizohen.

“Ne jemi Evropë, por BE duhet të bëhet Evropë”, thoshte kryeministri Kurti po në tetorin e vitit 2018, ndërkohë që më poshtë keni edhe një video të këngës së lartpërmendur nga Ilir Shaqiri.

Tjera nga autori:
1