<b></b> Dreka e kryetarit të Ferizajt me Red Bulla, mish të kombinuar e bukë pogaçe

Dreka e kryetarit të Ferizajt me Red Bulla, mish të kombinuar e bukë pogaçe

06.05.2022 15:26

Më 28 tetor të vitit 2021, në Ferizaj qëndruan mysafirë të veçantë. Për mysafirët specialë, sigurisht se kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, kishte shtruar një drekë speciale – shumë mish, e bukë pogaçe.

Për mysafirët - që ishin drejtuesit dhe lojtarët e klubit shqiptar në Gjermani, Kosova Dusseldorf - nuk munguan as Red Bullat. 

12 Red Bulla, mishi i kombinuar e buka pogaçe, Agim Aliut i kishin kushtuar 928 euro e 40 cent.

Gazeta Nacionale bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar faturën e këtij shpenzimi, dhe shpenzimeve të tjera për dreka zyrtare e udhëtime jashtë vendit, nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në kuadër të këtyre shpenzimeve, më së shumti u pagua për mish, bukë pogaçe, red bulla e supa. 51 persona nga të ftuarit kishin porositur mish të kombinuar. Vetëm për këtë ushqim, u paguan 357 euro. 12 bukë pogaçe u porositën gjithashtu, në vlerë prej 36 euro. E në një drekë si kjo, nuk kishin si të mungojnë as Red Bullat. Në total, në këtë drekë, u porositën 12 Red Bulla.

Pas ushqimit, të ftuarit konsumuan edhe pije. Të ftuarit konsumuan ujë, kafe, sprite, schwepps e nescaffe. Në total, vlera e kësaj dreke ariti në mbi 900 euro.

TAKIMI ME KFOR-IN

Në një drekë zyrtare, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu e kishte pritur edhe një takim të KFOR-it. Në këtë drekë me përfaqësues të KFOR-it, shtatë persona kishin porositur ushqim, kurse pjesa tjetër vetëm me pije. Në total, kjo drekë i kushtoi buxhetit të Ferizajt 146 euro e 40 centë.

Kjo drekë ishte shtruar në janarin e vitit 2022. Në mesin e pijeve më të konsumuara nga përfaqësues të KFOR-it e përfaqësues të komunës ishin: lëngjet e frutave, pijet e gazuara dhe uji.

UDHËTIMET

Shuma parash, komuna e Ferizajt kishte ndarë edhe për biletat e udhëtimit për një vizitë që kryetari Agim Aliu e kishte zhvilluar në Turqi. Ai udhëtoi për në shtetin turk, vetë i pesti. Në total, ky udhëtim i kushtoi buxhetit të komunës në vlerë 1 mijë e 934 euro.

Bashkë me Aliun, kishin udhëtuar edhe: Afrim Matoshi, Afrim Llabjani, Balton Dërguti dhe Burim Bajrami.

Kjo vizitë ishte realizuar më 11 mars të vitit 2022.

Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kishte fituar mandatin e dytë në kryer të Ferizajt, por asaj radhe pa balotazh. Ai kishte mposhtur rivalët nga partitë e tjera si Valon Ramadanin nga VV-ja e Sibel Halimin nga LDK-ja.

Gazeta Nacionale ka raportuar për shpenzimet e ministrave të qeverisë, kryeministritt Kurti, dhe shpenzimet e kryetarit të Vushtrrisë, Ferit Idrizi. Ditëve në vazhdim, gazeta do të sjellë edhe shpenzimet e kryetarëve të tjerë.

Tjera nga autori:
1