<b></b> Ekskluzive: Berishaj ka gënjyer në deklarimin e pasurisë, nuk e ka përmendur kompaninë në Mal të Zi ku i ka përfituar 600 mijë euro

Ekskluzive: Berishaj ka gënjyer në deklarimin e pasurisë, nuk e ka përmendur kompaninë në Mal të Zi ku i ka përfituar 600 mijë euro

22.04.2022 15:38

Martin Berishaj, i përfshirë në një aferë të jashtëzakonshme financiare e cila po e dridh gjithë Slloveninë, kur e ka deklaruar pasurinë në janar të vitit 2022, ka dështuar ta përmendë edhe kompaninë e tij në Mal të Zi, prej së cilës ai i ka tërhequr rreth 600 mijë euro. Berisha nuk i ka përmendur fare as ato mjete. Presidentja dhe Kryeministri çuditërisht vazhdojnë ta mbrojnë.

Skandali i Martin Berishajt po shkon duke u thelluar. Pos rolit të mushkës për të transportuar para te një politikan me peshë në Slloveni, ambasadori i Kosovës ka gënjyer në deklarimin e pasurisë në ASK, ku kompaninë “MB Consulting” në Mal të Zi nuk e ka përmendur fare.

Deklarimin e pasurisë, Berishaj si ambasador e ka bërë në janar të vitit 2022, e aty s’e ka përmendur fare kompaninë e tij “MB Consulting“, me pronar dhe punëtor vetë Berishajn, ani pse kompania është e regjistruar nga viti 2016 në Mal të Zi.

Dokumenti që e ka siguruar gazeta Nacionale tregon se Berishaj ka deklaruar banesa, tokë, shtëpi e vetura, por të zbrazët e ka lënë rubrikën e “Posedimit të aksioneve në shoqëri komerciale” dhe “Posedimin e letrave me vlerë”, duke mos e deklaruar firmën e tij.

 

Sipas të dhënave publike në internet, kompania e Berishajt “MB Consulting” është regjistrua më 21 dhjetor të vitit 2016, me të vetmin pronar dhe punëtor, ambasadorin Martin Berishaj.

Mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven. Nacionale i ka dërguar email, ka provuar ta thërras në telefon, por e ka pasur të pamundur të bie në kontakt me z. Berishaj.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion eurosh, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave, e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

Çfarë ka ndodhur?

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

Gazeta Nacionale gjatë gjithë kohës ka provuar që ta kontaktojë z. Berishaj për ta marrë një prononcim edhe nga ai, por ambasadori ka qenë i paqasshëm, megjithëse në një moment i ka lexuar pyetjet, por ka zgjedhur të mos përgjigjet. Nacionale gjithashtu i ka dërguar email z. Berishaj, por nuk ka marrë përgjigje.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook’ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Tjera nga autori:
1