<b></b> Eksperimenti i Përparim Ramës s`po funksionon

Eksperimenti i Përparim Ramës s`po funksionon

23.04.2022 17:00

Komuna e Prishtinës sot filluar testimi që unazën qendrore të kryeqytetit ta kthejë në një qarkore njëkahëshe. Ky veprim ka shndërruar kryeqytetin në një tollovi të vërtetë, duke krijuar kolona të gjata nëpër të gjitha rrugët që janë prekur nga vendimi.

Kjo ka nxitur nervozë dhe pakënaqësi të shumë ngasës të automjeteve, duke drejtuar kritika në adresë të kryetarit të Prishtinë, Përparim Rama.

Tollovitë të shkaktuara nga ky eksperiment kanë nxitur edhe reagimin e partive politike opozitare.

Përfaqësuesit e këtyre partive kanë kërkuar nga komuna që testimi të ndalet në mënyrë të menjëhershme.

Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se ky test nuk po funksionon.

“Organizimi njëkahor i rrugëve (unazë të brendshme) në kryeqytet, del të jetë një testim pa rezultat të qartë dhe në fakt me ndikim negativ. Të tilla testime, kur nuk janë të mirëmenduara e planifikuara rrezikojnë legjitimitetin e veprimeve të ardhshme për Mobilitetin Urban”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, ky veprim nuk ka qenë mirë i planifikuar dhe në kundërshtimin me qëllimin e deklaruar. “Edhe pse qëllimi i deklaruar, del të jetë ambiental, tollovia e shkaktuar nuk i shërben kësaj. Aq më tepër, kur rritja e qëndrimit në rrugë (kolona) rrit ndjeshëm ndotjen, e dihet se një ditë e zakonshme gjatë vikendit, bllokada dhe frekuenca është ndjeshëm më e ulët. Ky veprim, e të tilla duhet anuluar menjëherë nga Kryetari Rama, në mënyrë që t'u hapet rrugë veprimeve të planifikuara mirë”, ka shkruar Tahiri.

Me veprimin e komunës ka ironizuar edhe nënkryetarët e PDK-së, Vlora Çitaku, ndonëse partia e saj është në koalicion qeverisës më kryetarin Përparim Rama.

Në përfundim të konferencës për medie që ka mbajtur sot, ajo ka pyetur gazetarët se a e kanë pasur vështirë të arrijnë në zyrat e PDK-së nga tollovia që është krijuar në kryeqytet. “A mujtët me ardhë rrugëve njëkahëshe”, ka pyetur gazetarët Çitaku duke buzëqeshur, pasi ka përfunduar konferencën për medie, ku ka folur për skandalin e ambasadorit Martin Berishaj.

Ndaj vendimi të Komunës së Prishtinës për ta shndërruar unazën qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për 48 ore ka reaguar edhe avokati i njohur Kujtim Kerveshi.

Ai e ka pyetur komunën se mos këtë vendim e ka marrë në ndikimin e alkoolit. “Komuna e Prishtinës, a të ka nxon rakia a ramazani?”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe qytetarët e pakënaqur

Organizimi njëkahor i rrugëve në kryeqytet ka nervozuar edhe qytetarët. Ata kanë thënë se kjo nuk  është rruga e duhur për të lehtësuar trafikun e rënduar të kryeqyteti.  Arton Vokrri, qytetar nga Prishtina, ka thënë se vendimi i komunës së Prishtinës është katastrofal.  “Jo, hiq nuk po funksionon. Prej Shqipërie me pas ardhë ma mirë e kish ndreq. Sot ekstrem tollovi, po me qenë e hane a e llogarit çka bahet. Të hënën duhet me llogarit se nesër përballohet. Kjo është katastrofë”, ka thënë Vokrri për EO.

Edhe qytetari tjetër Bujar Sopjani mendon se në Prishtinë nuk mund të funksionojë testimi i Komunës së Prishtinës që unazën qendrore të kryeqytetit ta kthejë në një qarkore njëkahëshe.“Dola prej Velanisë, ke shumë keq u dashtë mu sjellë ka rruga Hani i Dilit, Dragodan e me ardhë deri këtu. Ka rruga Hani i Dilit ke shumë tollovi. S’ma merr menja që funksionon në Prishtinë”, ka deklaruar.

Ndërsa, Kushtrim Haxhilari nga Prishtina ka thënë se duhet të vazhdojë edhe ditëve në vazhdim ky plan që është nisur nga Përparim Rama. “Besoj që duhet me funksionu. Dita e parë po doket që ka shkaktu tollovi amo jo ashtu 90% po mirë është duke ecur. Po duhet me vazhdu edhe ditëve në vazhdim. Qofse vazhdon këta e dinë e bajn tollovi vet”, ka deklaruar Haxhilari.

Rrugët që janë kthyer njëdrejtimëshe janë rruga “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE dhe rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore.

Tjera nga autori:
1