<b></b> Frika nga hetimi parlamentar: Argumentet e VV-së kundër komisionit, të paqëndrueshme

Frika nga hetimi parlamentar: Argumentet e VV-së kundër komisionit, të paqëndrueshme

27.04.2022 12:44

Monitoruesit e punës së Kuvendit të Kosovës kanë hedhur poshtë aspektet procedurale të cilat i ka ngritur Lëvizja Vetëvendosje për ta bllokuar propozimin e opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike.

Ata kanë bërë me dije se argumentet e partisë në pushtet për të kundërshtuar propozimin e opozitës janë të paqëndrueshme.

Sipas tyre, e drejta për formimin e këtij komisioni qëndron në anën e partive opozitare.

Juristi i njohur nga Demokracia+, Albert Krasniqi, ka thënë se argumentet e ngritur nga partia në pushtet janë të paqëndrueshme. “Nëse mazhoranca është duke bllokuar formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë vetëm për të mos i dhënë kauzë opozitës, në fakt është duke bërë të kundërtën. Qeveria po rrezikon që çdo dyshim që ndërlidhet me keqpërdorim në sektorin e energjisë, të përdoret kundër tyre. Kjo strategji mund të jetë e duhura, vetëm nëse dëmet që mund të bëheshin nga të gjeturat e hetimit do të ishin më të mëdha. Aspektet procedurale që janë ngritur për të kundërshtuar themelimin e komisionit janë të paqëndrueshme”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ai ka thënë se mandati i deputetit është individual dhe se vendimi i tij nuk mund të konsiderohet si qëndrim i një grupi kolektiv. “Kushtetuta e Kosovës parasheh caktimin e komisioneve parlamentare për çështje hetimore me kërkesën e një të tretës së deputetëve. Ky është një detyrim të cilit Kuvendi nuk mund t’i shmanget. Grupi parlamentar që inicion themelimin e komisionit hetimor qartësohet në kërkesën për themelim, pavarësisht përkatësisë partiake të deputetëve nënshkrues. Mandati i deputetit është individual, dhe vendimi i tij nuk mund të konsiderohet si qëndrim i një grupi kolektiv, ashtu siç është grupi parlamentar. Vendimet e grupit parlamentar merren bashkërisht dhe ato përfaqësohen nga shefi i grupit”, ka thënë Krasniqi.

Edhe Eugen Cakolli nga KDI-ja bllokimin e këtij komisioni nga pushteti e ka vlerësuar si të padrejtë. “Ligji për Hetimin Parlamentar ka lënë vazhdimisht hapësira interpretimi ambiguitiv nga partitë parlamentare, në veçanti lidhur me kryesimin e komisioneve hetimore parlamentare. Sidoqoftë, nëse merret parasysh fryma e ligjit dhe ajo e Kushtetutës - që garantojnë të drejtën e deputetëve, sidomos atyre opozitarë për të shfrytëzuar këtë mekanizëm kontrolli - konsideroj se bllokimi procedural i formimit të komisionit hetimor është i padrejtë”, ka thënë Cakolli për gazetën Nacionale.

Sipas tij, dhënia e nënshkrimit të disa deputetëve të një grupi parlamentar nuk nënkupton qëndrim të grupit parlamentar në tërësi. “Më kryesorja, është problematik interpretimi që dhënia e nënshkrimit nga një apo disa deputetë të një grupi parlamentar nënkupton qëndrim të grupit në tërësi. Procedurat aktuale parlamentare kompetencën për përfaqësimin e një grupi parlamentar e ka të koncentruar kryesisht mbi shefin e grupit parlamentar. Mbi të gjitha, nëse bazohemi në një interpretim të tillë, opozita s'do ta kishte pothuajse asnjëherë të mundur formimin e komisioneve të tilla, posaçërisht në raste kur kemi një shumicë tejet të konsoliduar parlamentare me rreth 2/3 në Kuvend”, është shprehur ai.

Opozita e bindur se LVV-ja po fsheh diçka

Refuzimin e LVV-së për të themeluar komisionin hetimor për hetimin e krizës së energjisë, opozita është duke e parë me dyshime të mëdha. Subjektet opozitare janë shprehur të bindura se do të vazhdojnë bojkotin e punës së Kuvendit deri në themelimin e këtij komisioni.

PDK-ja i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti që nesër, kur do të mbahet seanca parlamentare, të mos e bllokojnë themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë.

Deputeti i kësaj partie, i cili udhëheq Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë se qytetarët duhet ta dinë të vërteten për subvencionimin e energjisë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, shifrat dhe faktet tregojnë më së miri arsyeshmërinë e kërkesës së vazhdueshme për themelimin e Komisionit Hetimor për menaxhimin e krizës energjetike. “Si parti, si Grup Parlamentar dhe komision, kemi kërkuar që urgjentisht të formohet komisioni hetimor. Këto kërkesa nuk do të ndalen, përkundrazi, do të shtohen. Qytetarët e meritojnë të dinë të vërtetën. Pse po bllokohet themelimi i Komisionit hetimor nga Qeveria?”, ka thënë Shala në një konferencë për medie.

Kurse lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi. “Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë. Bojkoti ynë votues në Kuvend, nuk merr fund pa formimin e Komisionit Hetimor për Energji. Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit - që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave - janë hapa të parë në këtë drejtim”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

Në anën tjetër, LVV-ja ka vazhduar ta mohojë se me refuzimin e këtij komisioni po fsheh diçka.

Ushtruesja e detyrës së Shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka këmbëngulur se opozita po e pengon veten në këtë rast. “Është e vërtetë që 40 deputetë janë kategori kushtetuese në kërkesa, qoftë në thirrje të interpelancës, seancave, apo formime të komisionit, megjithatë ajo është për hapin e parë, hapi i dytë me të cilin formimi i komisionit është Ligji për Hetimin Parlamentar neni i 10 i të cilit parasheh se nga iniciuesit e Komisionit Hetimor Parlamentar nuk mund të jetë udhëheqës i komisionit, gjegjësisht kryetari apo kryetarja e këtij komisioni. Në ç‘rast ishte bllokada totale e opozitës në iniciativën e tyre, për arsye se përveç se kishin marrë nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tri partive opozitare, ata kishin ftuar edhe deputetët e Listës Serbe dhe një deputet të pavarur që të jenë nënshkrues të kërkesës së tyre. Dhe në këtë mënyrë kanë bllokuar formimin e komisionit duke mos e lënë asnjë grup parlamentar në mundësi për të udhëhequr komisionin”, ka thënë Kusari-Lila, duke theksuar se si dy grupe parlamentare në pushtet LVV dhe Grupi Multietnik e kanë edhe me ligj të ndaluar që të udhëheqin me Komision Hetimor Parlamentar.

LVV-ja propozon komision të ri hetimor për energjinë  

Disa javë pasi opozita ka propozuar themelimin e komisionit hetimor për energjinë, LVV-ja pritet të dalë me propozimin për formimin e një komisioni të ri hetimor, i cili do të merret me hetimin e kësaj çështjeje.

Ushtruesja e detyrës së Grupi Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se sot pritet deponimi i 40 nënshkrimeve në Kuvend për formimin e komisionit hetimor për energjinë.

Sipas saj, në fushëveprimin e këtij komisioni do të përfshihet zgjerimi i hetimeve për sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale. “Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e mbështet formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë, me spektër të zgjeruar kohor të hetimeve. Jemi të interesuar në funksionimin e mirëfilltë të demokracisë dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë sektorin e energjisë. Do të prezantojmë propozimin tonë për zgjerim të spektrit të hetimit parlamentar duke përfshirë edhe pikat që i ka propozuar tashmë opozita. Me dyzet nënshkrime të grupit parlamentar do të dorëzojmë këtë kërkesë që të mundësojmë formimin e komisionit hetimor parlamentar. Ne jemi të interesuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që lidhen me vendimmarrjen me sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale dhe një propozim të tillë do të dorëzojmë sot në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila për KosovaPress.

Refuzimin e LV-së për të përkrahur propozimin e opozitës, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë ndërlidhur edhe me skandalin e fundit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është përfshirë në një aferë financiare me disa kompani energjetike në Slloveni dhe Serbi.    

Sipas tyre, ky komision duhet ta hetojë këtë skandal, shpenzimet e qeverisë për të subvencionuar me mbi 100 milionë euro energjinë, shtrenjtimin e faturave deri në 100%, dhe punësimet e fundit në KEK.

Tjera nga autori:
1