<b></b> Gazetarët në botë po u rezistojnë regjimeve që do t’i burgosnin ose do t’i vrisnin

Gazetarët në botë po u rezistojnë regjimeve që do t’i burgosnin ose do t’i vrisnin

04.05.2022 09:56

Nga Rusia në Indi, kurrë nuk ka qenë më e rrezikshme që të ndiqet e vërteta, por uniteti dhe taktikat e reja sjellin shpresë.

Mary Fitzgerald

A duhet që ta festojmë fare lirisë e shtypit sot? Vitin e kaluar, një numër rekord i gazetarëve u burgosën në nivel global. Pesë nga gjashtë prej nesh jetojnë në një vend ku liria e shtypit ka rënë në pesë vitet e fundit; rreth 400 gazetarë janë vrarë në të njëjtën periudhë kohore. Vladimir Putin-i i ka shtypur gjurmët e fundit të gazetarisë së pavarur brenda Rusisë. E nga India në Filipine e në Britani të Madhe, ka pasur rritje të ndjeshme të sulmeve të bashkërenduara kundër gazetareve.

Atëherë, duken pak arsye për festim. Sidoqoftë, këtë vit, po guxoj që të besoj se do të jenë disa arsye të matura për shpresë.

Për fillim, është trimëria e shumë kolegëve tanë që vazhdojnë të raportojnë, madje edhe në rrethanat më armiqësore. Në Peru, javëve të fundit, legjendari Gustavo Gorriti dhe “IDL-Reporteros”, gazetë në internet me seli në Lima, kanë duruar thyerje të zyrave, sulme fizike dhe fushata për njollosje, por ata po e vazhdojnë punën. Meksika është njëra ndër shtetet më të rrezikshme në botë për gazetarët, por kjo nuk i ndal organizatën për gazetari hulumtuese, “Quinto Elemento” dhe partnerët e saj që të mos i shpërfaqin varret masive, pastrimin e parave dhe shumë më shumë. Kur zyrat e “Canal de Moçambique” dhe “Canal Moz” në Mozambik u plaçkitën dhe iu vu zjarri, kryeredaktori, Matias Guente, dhe ekipi i tij refuzuan që të përulen. “Nuk do të përulemi para zjarrit”, ishte titulli kryesor i gazetës atë javë.

Ka shumë guxim e vendosmëri për t’i festuar, atëherë – por, gjithashtu, edhe zgjuarsi. Në Filipine, fituesja e Nobelit, Maria Ressa, ballafaqohet me deri në 100 vite burgim nën akuza të shpikura. Sidoqoftë, ajo dhe kolegët e saj në”Rappler” jo vetëm që po vazhdojnë t’i raportojnë lajmet dhe t’i turpërojnë politikanët e korruptuar, por po ndërtojnë teknologji të re për redaksi dhe kanë mbledhur një koalicion të fuqishëm, që përfshin pjesëmarrës të ndryshëm, nga Kisha Katolike te gazetat rurale, për t’i vënë në pah gënjeshtrat dhe për t’i mbajtur përgjegjës kandidatët presidencialë para zgjedhjeve jetike të javës së ardhshme. Slogani i tyre? “Në krizë, ne bëjmë risi/”

Ndërkohë, “Forbidden Stories”, me seli në Paris, po e zbulon Rrjetin e Kutisë së Sigurt – sistem i sigurt digjital, ku gazetarët në rrezik mund t’i mbajnë të sigurta rrëfimet e tyre. Nëse i ndodh diçka gazetarit/es, puna e tij ose e saj do të publikohet – edhe skenë e dobishme për sigurim dhe dekurajim i madh për ata që kanë bërë përpjekje për t’i lënduar gazetarët, në rend të parë. “Tash, vrasja e gazetarit nuk do ta vrasë rrëfimin”, më tha rishtazi Laurent Richard, themelues i “Forbidden Stories”.

Vërtet, gjatë kohës kur dhuna, frikësimi dhe censura janë përkeqësuar, shumë gazetarë dhe aleatët e tyre në drejtësi, teknologji, aktivizëm, reklamim dhe në fusha të tjera vetëm janë bërë më kreativë. Kanë lulëzuar rrjete për vendosjen e reklamave me shënjestra, faqe pasqyrë, VPN (Virtual Private Network – Rrjet Privat Virtual) të reja dhe shumë më shumë për të ofruar lajme të sakta për luftën brenda Rusisë pavarësisht censurës mizore të Kremlinit. Gazetarët që janë detyruar që të ikin, po bëhen bashkë me medie të tjera dhe po ndërtojnë operacione të reja në mbarë Evropën.

Lufta, gjithashtu, më në fund, i ka detyruar politikanët që të përpiqen që ta frenojnë abuzimin e gjykatave tona për t’ua mbyllur gojën dhe për t’i frikësuar gazetarët. Në mars, Dominic Raab (zëvendëskryeministër i Britanisë së Madhe) i njoftoi planet që e kanë për qëllim frenimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike, mjet që është përdorur shpesh nga oligarkët kundër gazetarëve. Ditët e Britanisë si kryeqendër e “turizmit të shpifjeve” gjithashtu mund të jenë të numëruara duke iu falënderuar planeve të ngjashme të Bashkimit Evropian, të publikuara disa javë më vonë, të cilat gjithashtu do ta refuzonin njohjen e gjykimeve jashtë BE-së – përfshirë Londrën. Shtetet e Bashkuara gjithashtu hapën një fond global për mbrojtje kundër shpifjeve në fund të vitit të kaluar.

Ndonëse jo të përkryera, marrëveshjet e reja të Evropës për rregullat për teknologji mund të jenë hap i madh përpara për frenimin e ngacmimit dhe abuzimit të gazetarëve në internet, gjithashtu, duke i detyruar kompanitë e mëdha të teknologjisë që t’i pastrojnë dezinformatat dhe gjuhën e urrejtjes, që e ndotin mjedisin tonë të lajmeve. Mund të shohim gjithashtu veprime domethënëse për pajisjet e spiunazhit, që përdoren për t’i vënë në shënjestër dhe për t’i vëzhguar gazetarët, pas skandalit “Pegasus” këtë vit. Në mënyrë kritike, kompanitë e mëdha të teknologjisë si “Apple” janë zotuar për veprime e të holla për këtë kauzë, siç kanë bërë edhe qeveritë në të dyja anët e Atlantikut. Djalli do të jetë në hollësi, por të paktën është lëvizje në drejtimin e duhur.

Tjera nga autori:
1