<b></b> Hakmarrja që dyshohet se i mori jetën 23-vjeçarit nga Klina

Hakmarrja që dyshohet se i mori jetën 23-vjeçarit nga Klina

29.04.2022 08:03

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë tek “Ujëvara e Mirushës” në Klinë. Aty u vra një 23-vjeçar dhe u plagosën e u lënduan me mjete të forta dy vëllezërit të tij, pak kohë pas iftarit. Për rastin, tashmë janë arrestuar katër persona. Të lënduarit po trajtohen në spital.

Krejt çka dihet deri më tani për rastin:

Mbrëmjen e së enjtes, Fazli Hoxha, 23-vjeçar nga fshati Golluboc i Malishevës, bashkë me disa anëtarë të familjes kishin shkuar tek ‘Ujëvara e Mirushës’ për të ngrënë iftar.

Por kjo mbledhi me familjarët, kishte qenë e fundit për 23-vjeçarin. Pas përfundimit të darkës, Fazliu bashkë me vëllezërit e tij, u përballën me disa persona që siç duket po i prisnin në parkingun e restoranit në të cilin fillimisht ndodheshin.

Pasi dolën nga restorani Fazliu me vëllezërit, të dyshuarit nisën të gjuanin me armë zjarri në drejtim të tyre, ku si pasojë i vrarë mbeti një 23-vjeçari Fazli Hoxha, si dhe dy vëllezërit e tij u plagosën.

Vendi ku u vra 23-vjeçari, Fazli Gashi

Kush është 23-vjeçari që u vra?

Fazli Hoxha, djali 23-vjeçar që u vra mbrëmë, është djali i dëshmorit Fazli Hoxha, i cili u vra para 23 vitesh. Disa muaj pasi ai u nda nga jeta, ka lindur Fazliu, i cili e trashëgoi emrin e babait.

23-vjeçari ka qenë djali më i vogël i familjes Hoxha nga fshati Gollubovc i Malishevës. Ai ka lënë pas vetes edhe 8 vëllezër të tjerë.

Çka dihet deri më tani për rastin?

Pak pas këtij rasti, në vendin e ngjarjes dolën edhe organet e sigurisë. Policia aty ka gjetur e më pas edhe ka sekuestruar gjësende të rrezikshme si thika, zinxhirë, lopatë, që për organet e hetuesisë flasin për një “pritë” klasike të organizuar nga të dyshuarit.

Disa orë më vonë, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, për Gazetën Nacionale.

“Në 20:43 minuta policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatuar se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e mjekësisë familjare pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, tha Gashi.

Po ashtu rastin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës.

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka vdekur një person dhe dy të tjerë janë plagosur në Klinë.

Dy prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Pejë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Këtë deklaratë për Gazetën Nacionale e ka dhënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Një person ka humbur jetën si pasoje e të shtënave me armë zjarri dhe janë plagosur dy persona. Në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës, dhe Policia e Kosovës”, tha Nikçi. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1