<b></b> Haziri: Qeveria Kurti nuk e ka zgjidhur asnjë problem që ka premtuar

Haziri: Qeveria Kurti nuk e ka zgjidhur asnjë problem që ka premtuar

28.04.2022 15:21

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Qeverisë Kurti çdo ditë po i dalin skandale të ndryshme në sipërfaqe.

Ai ka thënë se përfshirja e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në aferën financiare është vetëm një prej tyre.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Haziri ka thënë se skandal në vete është edhe votimi i ambasadorit të Kosovës, Mehdi Halimi, në zgjedhjet presidenciale të Francës dhe pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në varrimin e Madeleine Albright.

Sipas tij, qeveria aktuale nuk ka zgjidhur asnjë problem që ka premtuar.

I dyti i LDK-së ka vlerësuar se qeveria po vazhdon me i mirëmbajtë problemet, dhe me shkaktu probleme të reja.

Në këtë intervistë të gjatë, Haziri ka folur për dialogun me Serbinë, raportet e qeverisë me aleatët dhe reformat në LDK.

Nacionale:

Z. Haziri, ka disa ditë që është raportuar për përfshirjen në një skandal financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berisha. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Haziri:

Ajo që me shqetëson në këtë rast është vrapi me e mbrojtë, vrapi me e mbulu dhe vrapi me e bunkerizu rastin, duke e kualifikuar si lajm i rrejshëm, ose si çështje e fushatës zgjedhore në Slloveni. Zgjedhjet kanë kaluar, atje opozita i ka fituar zgjedhjet dhe ne presim që të zbardhet rasti deri në fund. Pa dashur me e kualifikuar z. Berishaj me asnjë çështje, meqenëse e njoh në punë apo bashkëpunimin që kemi pasur, e bënë që hetimi duhet të shkojë deri në fund. Mosreagimi i institucioneve është shqetësues për mua dhe LDK-në.

Nacionale:

Të ka befasuar ngarendja e Presidentes dhe Kryeministri për ta mbrojtur ambasadorin?

Haziri:

Kjo është edhe sot. Po iket në Uashington, në pjesëmarrje në varrim, duke e lënë çështjen e hapur. Kjo është keq për diplomacinë tonë dhe për vetë ambasadorin Berishaj.

Nacionale:

Cili do të duhej të ishte reagimi i institucioneve në këtë rast?

Haziri:

Zbardhja e rastit. I menjëhershëm do të duhej me qenë reagimi i shtetit, thirrja e ambasadorit brenda dhe marrja me rastin deri në fund. Ky është reagimi i parë që duhet me ndodhë në secilin vend. Thirret ambasadori, nuk kërkohet raporte prej institucioneve të tjera. Thirret ambasadori në vend, deponohet në ministri pasaporta, deponohen të dhënat, bëhet deklarata e parë dhe pritet zbardhja e rastit deri në fund. Hetimet përfundojnë një ditë dhe vazhdon puna. Ka qenë një reagim në panik. Sepse për 12 muaj, përveç akuzës për të kaluarën, është folur për mospasjen e skandaleve, përderisa çdo ditë po dalin skandale të vogla. Skandal i vogël është edhe votimi i ambasadorit të Kosovës në zgjedhjet në Francë. Për mua një lloj skandali i vogël është pse duhet presidentja dhe kryeministri me shku në varrim. Delegacioni i Kosovës shkohet në një autoritet, një delegacion i përmasave të shtetit që kemi dhe nderohet sekretarja e shtetit. Të shkojnë dy përfaqësuesit më të lartë, që i bie me dy delegacione, është përtej komoditetit që ka Republika jonë.

Nacionale:

A ju ka bërë të dyshoni diçka në këtë çështje, meqenëse kemi të bëjmë me një mafia energjetike, ku hyjnë edhe kompanitë serbe?

Haziri:

Serbia është shitësja më e madhe e rrymës, përmes ndërmjetësuesve, sekeserëve dhe kompanive të veta. Natyrisht që ne kemi paralajmëruar edhe më herët që të zgjidhet problemi i energjisë në Kosovë, duke reaguar me kohë. Sipas rregullës së punës, është një periudhë shkurt-prill dhe prill-gusht ku zgjidhet problemi i energji për vitin e caktuar. Mosreagimi me kohë i qeverisë ka krijuar ambient që duhet të bjerë në duar të shitësve  dhe stershitësve të rrymës në tregun ndërkombëtar. Gabimi i dytë është që nuk po zgjidhet problemi i energjisë për veriun, sepse edhe më tutje ne paguajmë miliona euro. Duam ta kollaposjmë KOST-in financiarisht, duke i marrë buxhetin për t’i paguar shërbimet për qytetarët serbë atje, ndërsa nuk licensohet ndërmarrja e cila duhet të merret me ketë problem. Kjo i bie se nuk është interes zgjidhja e problemit te energjisë elektrike, interes është blerja.

Nacionale:

Por, partia në pushtet po e akuzon LDK-në dhe partitë tjera që kanë qenë më herët në pushtet se pse nuk e kanë zgjidhur çështjen e faturimit të rrymës në veri.

Haziri:

Krizën energjetike më të madhe e kemi pasur kur LDK-ja ka qenë në qeverisje, në vitet 2006-2009. Ne ia kemi dorëzuar qeverisjen më 1 janar të vitit 2008 PDK-së, në një situatë të zbutur të energjisë. Praktikisht ka qenë problem i zgjidhur. Fakt është se është blerë shumë energji, por ka qenë një administratë ndërkombëtare që ka qenëndërmjetësja kryesore përmes së cilës është bërë ky proces.

Nacionale:

LV-ja ka disa javë që po e pengon themelimin e Komisionit Hetimor për krizën energjetike. A besoni së çështja e ambasadorit është e ndërlidhur me çështjen e refuzimit për formimin e komisionit?

Haziri:

Natyrisht, si duket ka pasur informacione lidhur me këtë çështje. Për mua është shqetësuese abstenimi në formimin e komisionit. Sepse fillimisht u deklaruan pro mbështetjes dhe në fund të procesin thanë jo.
LV-ja është mirë me tregua se kush është ai që tha jo dhe kush ndërhyri në proces që të mos lejohet themelimi i këtij komisioni.

Nacionale:

Kush mendoni se ndërhyri?

Haziri:

Ka ndërhyje të autoritetit.

Nacionale:

Nga kush?

Haziri:

Nuk mund të spekuloj, por ndërhyrje të autoriteteve të larta të partisë në qeveri duhet të jenë. Është ndërhyrje klasike, sepse në fillim të seancës ta mbështesësh, pastaj të diskutosh dhe në fund të mos lejosh formimin, është ndërhyje e drejtpërdrejtë.

Nacionale:

Dyshoni në ndërhyrjen e z. Kurtit?

Haziri:

Mund të jetë ai, ose sejmenët e tij.

Nacionale:

Kanë kaluar më shumë se një vit që kur Albin Kurti qeveris vendin. Cili është vlerësimi juaj për këtë qeverisje?

Haziri:

Unë e kam karakterizuar si qeveri e cila bën një hap para e dy mbrapa. Që do të thotë se për çdo proces, për çdo punë dhe për çdo premtim të saj të parealizuar ka bërë një hap para dhe dy mbrapa. Praktikisht, nëse e shohim në rrafshin e ecjes për këta 13 muaj, nuk ka mundur të lëvizë prej pozicionit ku është. Sepse nuk ka arritur ta zgjidhë asnjë problem, nuk ka arritur me e zbatu asnjë premtim publik dhe deklarativ që e ka dhënë para qytetarëve. Ka krijuar pritje të mëdha dhe ato po vazhdojnë. Është e vetmja qeveri që ka futur 100 milionë euro në skema sociale. Këto duhet të shkojnë për familje me nevoja sociale dhe personat me nevoja të veçanta, por pjesa më e madhe e mjeteve janë para të humbura. Ato duhet të shkojnë për zhvillim ekonomik, qoftë në start-up për gjeneratën e re, qoftë për familje e reja. Të shpërndahen në mënyrë lineare, ky është treguesi më i qartë që nuk dinë me qeverisë.


Nacionale:

Ku mendoni se i ka dështimet më të mëdha kjo qeveri?

Haziri:

Në diplomaci po rrëshqasin në skandale vazhdimisht, hiç disa probleme tjera, që janë grumbulluar edhe atje. Kjo qeveri nuk është fokusuar në doktrinën e politikës së jashtme. Qeveria ka punuar shumë në çështje kadrovike, largimin e njerëzve me qëllim të zëvendësimit të tyre, sikurse ka ndodhur në nivel të ambasadorëve, po vazhdon në nivel të strukturës tjetër.

Në çështjen e dialogut dhe bashkëpunimit regjional, kemi bashkëpunimin më të ulët edhe me Shqipërinë, me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën. Mos të flasim me Serbinë. Është niveli më i ulët i bashkëpunimit, nëse heqim disa marrëveshje formale që janë nënshkruar dhe nuk po zbatohen. Por në komunikim, çfarë duhet me pasë qeveritë në regjion, është qeveria më e ftoftë në raportet e bashkëpunimit.

Raportet e tensionuara me BE-në dhe NATO-n po vazhdojnë të jenë të tilla, sepse qoftë dialogu, qoftë siguria në veri, kanë shkaktuar një lloj fërkimi, i cili ka shkaktuar një tension, i cili është i menaxhushem. Por, kjo qeveri nuk po u jep qasje zgjidhjes së problemeve. Po vazhdon me i mirëmbajtë problemet dhe me shkaktu probleme.

Nacionale:

Raportet me partnerët strategjik, i konsideroni të ftohta?

Haziri:

Pak a shumë përkufizimi është i njëjtë, ka vizita të diplomatëve dhe delegacioneve, sikurse ka ndodhur dje. Në ditën kur sekretari i shtetit viziton Ukrainën, ajo viziton Ballkanin. Kjo është jashtëzakonisht një simbolikë e madhe. Jo vetëm ardhja është simbolike, por është konfirmim për moszhvendosjen e interesit amerikan vetëm në një krizë rajonale. Është konfirmuar se Kosova mbetet në fokus dhe se prioritet numër një është dialogu Kosovë-Serbi, i cili duhet të këtë dinamizim, duhet të përfitohet nga ky momentum i ri që Kosova në kohën kur Serbia është më e dobët, ne të avancojmë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do ta detyrojë Serbinë me e njoftë Kosovën. Serbia është më e dobët në kuptim që Rusia është në konflikt me Ukrainën.

Nacionale:

Kur jemi te procesi i dialogut, ju keni marrë përgjegjësinë nga LDK-ja që këtë parti ta përfaqësoni në këtë temë. A është bërë diçka në këtë proces nga Qeveria Kurti?

Haziri:

Fatkeqësisht dialogu politik nga një agjendë politike për njohje të ndërsjellë që e konfirmuan BE-ja, SHBA-ja dhe emisarët tjerë që janë caktuar për Ballkanin ka rrëshqitur në dialog të targave. Marrëveshje kjo e cila është arritur në kohen e Isa Mustafës. Një marrëveshje që ka pasë me u implemtu dhe një marrëveshje që ka hyrë në ri-negocim. Pra, nga një agjendë politike që ka pasur të shkojë drejt mbylljes, meqenëse formati dhe agjenda kanë qenë të caktuara, ne kemi rrëshqitur në dialog teknik. Kemi humbë në këtë dialog teknik dhe kemi filluar me u sjellë me bllokime. Serbia bllokon kur ka zgjedhje, kur ka procese të brendshme politike, por ne po sillemi karshi dialogut sikur jemi palë që ka sigurinë e plotë që ka me i zgjidhë të gjitha problemet në kohën kur asnjë marrëveshje deri tash nuk e kemi arritur.

 

Nacionale:

Çka duhet të bëjë qeveria që të dalë nga ky rreth vicioz i dialogut teknik?

Haziri:

Duhet guximshëm me hy në agjendë politike. Kaloi koha e muajit të mjaltit për qeverinë Kurti, kur thoshte se dialogu është prioritet i katërt, se duhet me pa agjendën e formatin, kur thoshte se nuk e takoj Serbinë, por serbët e Kosovës. Këto nuk qojnë peshë më te ndërkombëtarët. Formatin e dialogut e ka, kompetencat kushtetuese i ka dhënë Kushtetuesja, opozita e mbështet. Nuk ka parti anti-dialog në Kosovë. Nuk e di pse duhet të mos hyjë guximshëm në këtë kohë dhe me zgjedhë problemin me Serbinë.

Nacionale:

Në rrugën drejt marrëveshjes finale si pengesë po shihet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si duhet të veprohet me këtë çështje?

Haziri: Z. Kurti e ka kundërshtuar me protesta marrëveshjen për këtë çështje të Isa Mustafës, e cila është marrëveshja më e mirë e kohës. Nëse jo, atëherë është kërkuar edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja që të këtë kreativitet dhe pragmatizëm në marrëveshje. Kjo nënkupton që një marrëveshje eventuale, një propozim i ri që mund ta ofrojë Kosova, mund t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje.

Nacionale:

Cili do të ishte ai kreativitet që do t'i jepte zgjidhje kësaj çështjeje?

Haziri:

Kjo është çështje e qeverisë. Ne në negociatat e Vjenës e kemi mbyllë çështjen e pushtetit lokal, kemi bërë kompromise të dhimbshme për ta marrë pavarësinë. Unë kam udhëhequr me grupin punues politik dhe delegacionin e Kosovës sa i përket decentralizimit. Është shumë e qartë dhe e arsyeshme çështja e pushtetit lokal në Kosovë, sipas propozimit të Ahtisarit. Tani ai dokument, i cili është kundërshtuar nga Kurti, e mbron këtë qeveri. Le të merr mësim prej atij dokumenti dhe mund të ndërtojë qasje, zgjidhje pragmatike shumë të qëndrueshme.

Nacioanle:

Nëse insistohet në kompetencat ekzekutive të këtij asociacioni, a mund të kthehemi te ideja e shkëmbimit të territoreve, të cilën ju e keni përkrahur?

Haziri:

Bashkësia ndërkombëtare nuk ia ka dhënë asnjëherë Serbisë kompetencat shtesë për asociacionin. Ajo ka qenë vetëm kërkesë e Serbisë. Serbia i ka kërkuar 21 komuna në Kosovë, por ia kemi dhënë 5. Nëse i ka kërkuar 21 komuna dhe ne ia kemi arritur me arsyetuar 5, kjo është shembull i mirë se si duhet me vepruar edhe me kompetencat shtesë. Të gjitha kompetencat shtesë, që është autonomi kulturore, Serbia i ka të garantuara. Ajo që lidhet me të drejtën e kontrollit të territorit, është detyrë e qeverisë. Ashtu siç e kontrollon territorin në Gjilan, duhet ta kontrollojë edhe në Leposaviç. Asimetria në territor është e paqëndrueshme. Së dyti, të rrezikshme janë kompetencat shtesë. Sepse kjo krijon asimetri të thellë, sepse ne edhe ashtu kemi vendosë asimetri në arsim dhe shëndetësi.

Nacionale:

Partia në pushtet e konsideron si të vdekur çështjen e shkëmbimit të territoreve. Mund të kthehet kjo në diskutim prapë?

Haziri:

Lufta në regjion po bëhen për kufij, bota po ndryshon dhe ky ndryshim i botës nuk ka me shkaktua probleme në Ballkan. Çështja e kufjeve në Ballkan është çështje e parimit te Badinterit, të cilit iu kanë nënshtruar të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë. Ne ju kemi nënshtruar njëanshëm. Derisa nuk kemi një zgjidhje tjetër, unë besoj se zgjedhja e çështjes së serbëve të veriut dhe shqiptarëve të linjës së Kosovës mund të jetë urë dhe zgjidhje që i pajton Kosovën dhe Serbinë.
Unë e mbështes platformën politike të LDK-së, e cila vazhdon me i ruajtë parimet e negociatave me Serbinë për këtë fazë. Por, a do të jetë kjo zgjidhja më e mirë për të ardhmen, është çështje që do të shihet. Besoj që zgjedhja e problemit të njerëzve në radhë të parë e madje të territoreve do të vijë në shprehje.

Nacionale:

Ka kaluar një vit që LDK-ja ka lidership të ri. Sa është fresku kjo parti nga këto reforma?

Haziri:

Është në fillim të mandatit, nuk duhet me harru që është marrë drejtimi në një depresion politik për shkak të zgjedhjeve të 14 shkurtit, një rezultat më te keq që kemi pasur në 31 vite. Edhe më tutje jemi në procesin e reformave të brendshme, të cilat janë të dhimbshme, sepse prekin njerëz. Reformat strukturore janë më të lehta, por kur reformat janë kadrovike, janë shumë më të dhimbshme, por ne nuk guxojmë të ndalemi. Ne duhet të jemi të gatshëm për zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

Nacionale:

Siç e thatë edhe ju, reformat kanë shkaktuar pakënaqësi te disa figura të rëndësishme të LDK-së. Z. Agim Veliu dhe z. Skender Hyseni janë shprehur kritikë ndaj udhëheqjes së re të LDK-së, duke e quajtur këtë parti si servile të pushtetit?

Haziri:

Ata mbeten emra të vlerësuar të LDK-së dhe te çmbushem. Jo vetëm ata dy, por edhe shumë emra tjerë që LDK-së i mungojnë, ose nuk janë pjesë aktive e saj. Por, në rastin e Agimit ai është deputet dhe aktiv në politikë. Nuk është në struktura të LDK-së, por është përfaqësues i politikave të LDK-së. Mendoj që koha ka me i sheru dhe koha ka me i ofru. Edhe njerëzit dhe idetë tona kanë me u përafru shumë më shumë.

Tjera nga autori:
1