<b></b> Komisioni Hetimor për menaxhimin e energjisë - propozimi i VV-së dhe opozita

Komisioni Hetimor për menaxhimin e energjisë - propozimi i VV-së dhe opozita

28.04.2022 08:47

Komisioni hetimor për çështjen e energjisë elektrike, me gjasë nuk do të bëhet në formatin e propozuar nga partitë opozitare sepse tani partia e shumicës, Vetëvendosje, ka dalë me një propozim të ri – të hetohet menaxhimi i energjisë elektrike nga viti 2006.

Ballafaqimi i opozitës me pushtetin rreth Komisionit hetimor për menaxhimin e energjisë elektrike do të vazhdojë edhe sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Në rend të ditës në këtë seancë është edhe propozimi i 40 deputetëve për caktimin e Komisonit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës [PDK], Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], po kërkojnë që ky Komision të themelohet, ose në të kundërt do të vazhdojnë të bojkotojnë seancat e Kuvendit.

Mirëpo, tash, puna për themelimin e këtij Komisoni është vështirësuar edhe më shumë pasi partia e shumicës parlamentare (VV), po kërkon që Komisoni të themelohet por të hetojë menaxhimin e energjisë që nga viti 2006.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në kërkesën për formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë do të përfshijnë edhe pikat që janë të propozuara nga opozita.

PDK: Të themelohet Komisoni hetimor pa vonesa

Kërkesa e VV-së nuk u prit hiç mirë nga PDK-ja, e cila është iniciuese për themelimin e këtij Komisoni.

Deputetë të PDK-së thanë se me këtë kërkesë VV po e pranon se ka pasur keqpërdorim në menaxhimin e krizës nga ana e Qeverisë së Kosovës, ndërsa nga LDK-ja, me konstruktivitetin e tyre të paparë ndaj pushtetit, kanë thënë se do të përkrahin edhe një hetim prej vitit 2006, ashtu siç ka propozuar VV.

Në një konferencë për medie të mbajtur të mërkurën, PDK ka kërkuar që të themelohet Komisioni Hetimor për energjinë, të zbardhet e vërteta e shitblerjes së rrymës.

"Në kohën kur çmimi i energjisë elektrike është rritur për 100 për qind, natyrisht ka pasur një rritje që ka afektuar qytetarët e Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë shihet se qeveria ka subvencionuar me 125 milionë euro energjinë elektrike në kohë të krizës, ndërkohë që ne kemi ngritur dilemat tona sepse nuk kemi asnjë informatë se ku kanë shkuar mjetet e subvencionuara të energjisë elektrike", ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj, ka thënë se skandali Ballkanik energjetik në të cilin është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, e shton rëndësinë e themelimit të këtij Komisioni.

Rëndësinë e themelimit sa më parë të Komisionit Hetimor e shton edhe skandali Ballkanik energjetik në të cilin është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci. Mediat sllovene aludojnë se është bërë shpëlarje parash dhe tregti me energji. Kjo është bazë e mjaftueshme dhe dëshmi shtesë pse Komisioni duhet të themelohet. Hezitimi i partisë në pushtet për të themeluar këtë Komision, aq më keq për ta penguar, vetëm sa i shton dyshimet edhe më shumë. Prandaj, themelimi urgjent i këtij komisioni që të zbardhet e tërë e vërteta është e domosdoshme”, ka thënë Nikaj.

LDK e pranon propozimin e VV-së por edhe të PDK-së

LDK prej fillimit ka qenë pro themelimit të Komisioni hetimor për energjinë. Ata tash po binden edhe më shumë që të formohet Komisoni, pas publikimi të skandalit të ambasadorit Martin Berishaj.

Kështu ka bërë të ditur në konferencën për media zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, të mbajtur të mërkurën.

Skandali me ambasadorin Martin Berishaj, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend për blerjen e energjisë elektrike. Kjo mburojë e pushtetit ndaj ambasadorit Berishaj, shpjegon me së miri lidhjen e pushtetit, në moskryerjen e remontit të termocentraleve të Kosovës gjatë periudhës së verës, dhënien e 120 milionë eurove, shtrenjtimin e energjisë elektrike, pastaj blerjen e energjisë me çmim marramendës në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve”, ka thënë ajo në këtë konferencë.

E po ashtu Halimi ka thënë se përkrahin iniciativën e VV-së që të hetohet energjia nga viti 2006, mirëpo ka thënë po ndodh për herë të parë që një parti që është në pushtet të bëjë kërkesë për krijimin e një komisoni.

Asnjëherë nuk ka ndodhë, që partia e cila është në pushtet të bëjë kërkesë për krijimin e një komisioni hetimor për një çështje të caktuar se konsiderohet që partia që është në pushtet posedon një infrastrukturë institucionale që mundet me hetu në momentin kur konsideron që një çështje të zbardhet”, ka thënë ajo për T7.

AAK thotë se skandali Martingate - shkak që VV po e bllokon formimin e Komisonit

AAK ka kërkuar që të hetohet menaxhimi i energjisë nga ana e Qeverisë Kurti dhe se ka thënë se bllokimi i Komisionit hetimor tregon frikën e VV-së.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, para disa ditëve i ka drejtuar pyetje kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, ku një ndër to është edhe për Komisonin hetimor.

A është pikërisht frika se po zbulohet ky skandal, shkak se përse Vetëvendosje e ka bllokuar formimin e komisionit hetimor parlamentar për blerjen e energjisë?”, ka pyetur Haradinaj pushtetin.

Në anë tjetër, Grupi Parlamentar i AAK-së ka kërkuar debat parlamentar për çështjen e blerjes së energjisë dhe transaksioneve të vlerave shumë të larta, për të cilat nuk ka sqarim institucional.

Nuk dihet nëse ky Komision do të formohet sot gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Tjera nga autori:
1