<b></b> Koprrac apo dorëlëshuar me para të shtetit: Shpenzimet për dreka e udhëtime të Mehajt dhe Latifit

Koprrac apo dorëlëshuar me para të shtetit: Shpenzimet për dreka e udhëtime të Mehajt dhe Latifit

29.04.2022 16:48

Me një numër të madh ministrash nga diaspora është shquar qeveria Kurti II. Në mesin e tyre janë edhe ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, e ai i shëndetësisë, Rifat Latifi. Gazeta Nacionale në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, ka siguruar shpenzimet e Mehajt dhe Latifit për dreka zyrtare, udhëtime e akomodime.

Për një vizitë në spitalet e Turqisë u kritikua mjaft shumë ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi. Trajtimi i pacientëve kosovarë jashtë vendit, kishte nxitur kritika për Latifin dhe qasjen e tij deri më tani si ministër i shëndetësisë. Megjithatë përveç Turqisë, Rifat Latifi tash e sa muaj që ka marrë mandatin, nuk ka udhëtuar shumë jashtë vendit.

Sikur në vizita, Latifi po del se nuk ka shpenzuar shumë as në dreka zyrtare e mëditje. Sipas të dhënave që gazeta Nacionale ka siguruar në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, në vitin 2021, Rifat Latifi për shpenzime të reprezentacionit ka paguar saktësisht 265 euro.

Kurse, në vitin 2022 është rritur pak fatura. Në muajin janar, shkurt e mars, Latifi ka shpenzuar 908 euro. Më i shtrenjti për Latifin ka dalur të jetë muaji mars, ku ai ka shpenzuar 406 euro. Në total për dy muaj në vitin 2021 dhe tre të tjerë në vitin 2022, Rifat Latifi ka shpenzuar 1 mijë e 173 euro.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar sa para ua lejon Latifi për shpenzime të tilla kabinetit. “Bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2008 për caktimin e Shpenzimeve të Reprezentacionit për Zyrtarët e Institucioneve të Qeverisë, Ministrave u lejon shpenzime mujore deri në 500 euro për reprezentacion”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

ARMEND MEHAJ

Emri i tij nuk ishte fort i njohur kur u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, për ministër të Mbrojtjes. Megjithatë, pas marrjes së detyrës, për Armend Mehajn pati lëvdata, pavarësisht se është pak prezent në publik.

Në periudhën kohore mars-dhjetor të vitit 2021, ministri i mbrojtjes Armend Mehaj, ka shpenzuar saktësisht 661 euro e 40 cent në byfenë e ministrisë. Kjo në kuadër të shpenzimeve të reprezentacionit. Faturë më të fryrë Mehaj ka për mëditje e udhëtime jashtë vendit. Përgjatë vitit të kaluar, Mehaj ka përfituar 2 mijë e 377 euro mëditje.

Megjithatë, në tre muajt e parë të vitit 2022, Armend Mehaj nuk ka udhëtuar ende jashtë vendit. Si rezultat, nuk ka përfituar ndonjë shumë nga mëditjet. Për dallim, gjatë këtyre muajve të parë të vitit aktual, kabineti i ministrit ka shpenzuar pak më shumë për reprezentacion. Fatura e këtyre shpenzimeve kap vlerën e 6 mijë e 236 euro.

Një tjetër ministre në qeverinë Kurti II është nga diaspora - Donika Gërvalla, në cilësinë e ministres së punëve të jashtme dhe zv/kryeministres. Megjithatë, Gërvalla bashkë me kabinetin e saj duket se kanë vendosur ta shkelin Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Ata tash e 3 javë nuk kanë kthyer përgjigje në kërkesën e gazetës Nacionale për shpenzimet e drekave, mëditjeve e udhëtimeve jashtë vendit.

Gazeta Nacionale gjatë kësaj jave ka raportuar për shpenzimet e ‘majme’ të ministrit të infrastrukturës, Liburn Aliu që kalojnë vlerën e 30 mijë euro bashkë me kabinetin e tij, dhe për ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka dalë të jetë ministrja më kursimtare e qeversië Kurti II.

Tjera nga autori:
1