<b></b> Kosovarët për pak kohë mund ta marrin edhe dozën e katërt të vaksinës anti-Covid

Kosovarët për pak kohë mund ta marrin edhe dozën e katërt të vaksinës anti-Covid

04.05.2022 13:59

Në Kosovë tash e disa muaj po vazhdon procesi i vaksinimit. Edhe pse në intensitet më të ulët ditëve të fundit.

Por në vendin tonë nuk përjashtohet mundësia që qytetarët të mund të vaksinohen edhe me dozën e katërt të vaksinës anti-Covid.

Por për Ministrinë e Shëndetësisë, sfidë vazhdon të mbetet vaksinimi i qytetarëve me dozën e tretë.

“Aktualisht sfidë për procesin e vaksinimit kundër COVID-19 është marrja e dozës së tretë, sepse vetëm rreth 102,000 qytetarë janë vaksinuar me dozën e tretë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së dhënë Nacionales.

Nga MSH theksojnë se në komitet është diskutuar për dozën e katërt të vaksinës.

“Në komitetin e imunizimit kundër COVID-19 është diskutuar edhe për dozën e katërt dhe kategoritë të cilat eventualisht do të mund të rekomandoheshin për marrjen e saj, por nuk ka ende një rekomandim për marrjen e saj, meqë, siç u tha edhe më lart, fokusi është tani për tani te rritja e shkallës së vaksinimit me dozën e tretë”, thuhet tutje në përgjigjen e MSH-së.

E numri i rasteve aktive me koronavirus në vendin tonë është 414. Kjo bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, pas të gjeturave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Të martën, në Kosovë janë shëruar 18 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 224.546, ndërkaq nga fillimi i pandemisë nga coronavirusi kanë vdekur 3,138 persona.

Nga fillimi i vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.826.251 doza të vaksinës. Deri më sot 822.045 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Deri më sot janë dhënë 101.629 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1