<b></b> Krejt çka ndodhi dje në Kuvend

Krejt çka ndodhi dje në Kuvend

06.05.2022 09:41

Seanca që ishte planifikuar të mbahej dje ne Kuvendin e Kosovës, nuk shkoi zakonshëm. Kjo krejt pasi pozitë e opozitë po fajësonin njëra-tjetrën, për pengimin e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë.

Situata filloi të tensionohej, kur kryetari Konjufca propozoi të vazhdohej seanca pasi që pikëpamjet e pozitës dhe opozitës nuk ishin të përafërta.

Unë konsideroj se kjo seancë mund të dështojë vetëm nëse nuk ka kuorum, e përndryshe nëse ju jeni këtu, deputetët janë këtu, e kemi kuorumin e vazhdueshëm, dhe seanca vazhdon”, kishte thënë Konjufca.

E kjo bëri që opozita t’i godasë tavolinat me duar, shishe e gota, në mënyrë që të vështirësonte fjalimet e deputetëve të pozitës. Nga kjo, u pa se tavolinat ishin dëmtuar tej mase, nga goditjet e deputetëve.

Me të përfunduar pyetjet parlamentare, kryeparlamentari Konjufca vazhdoi me pikat e rregullta të rendit të ditës, që ishin paraparë për seancën e sotme. Mirëpo, pas hedhjes në votim të procedurave për votimin e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, u pa se në sallë nuk kishte kuorum.

Andaj, Konjufca vendosi që ta dërgojë Kuvendin në pauzë deri në ora 12:30.

Por, pas kësaj pauze, u mor vesh se Vetëvendosje kishte pranuar kërkesën e opozitës për Komision Hetimor për Energjinë, i cili ishte inicuar nga PDK. Andaj deputetët u kthyen në sallë dhe votuan për këtë komision.

“Me 93 vota për, themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë”, tha Konjufca.

Menjhërë pas votimit, opozita iu gëzua lajmit duke thënë se sot fitoi demokracia e Kosovës.

Nga LDK në këtë komision marrin pjesë Driton Selmanaj, kryesues, dhe Bestan Mustafa, anëtar.

Nga PDK Ferat Shala, zëvendëskryesues, dhe Eliza Hoxha, anëtare.

Pozita propozoi Artan Abrashin, Enver Halitin, Jeta Statovcin dhe Mimoza Kusarin.

Nga AAK u vendos që pjesë e komisionit të jetë Pal Lekaj.

Lista Serbe: Adem Hoxha si dhe Grupi Multietnik: Fridon Lala.

Nga komisioni i propozuar prej opozitës, i cili do të hetojë krizën e fundit energjetike, ai i propozuar nga LV-ja do t’i hetojë shkaktaret e krizës energjike në Kosovë prej vitit 2006.

Komisioni hetimor parlamentar i partisë në pushtet do të merret me hetimin procesit të vendimmarrjes së energjisë gjatë periudhës 2006-2022 në nivelin e legjislativit, ekzekutivit, rregullatorit dhe ndërmarrjes publike.

Në këtë mënyrë, ky komision do të hetojë edhe punën e ushtrueses së detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, kur ka qenë anëtare Komitetit Qeveritar për Privatizim.

 Ky komision do të hetojë të gjithë shkaktaret e krizës energjetike në Kosovë.

Tjera nga autori:
1