<b></b> Ku është populli? Braktiset masivisht Gërmia për 1 maj

Ku është populli? Braktiset masivisht Gërmia për 1 maj

01.05.2022 16:54

Përkundër paralajmërimeve dhe debatit të madh publik se klasa punëtore do të derdhej në Gërmi, ashtu siç kishte ndodhur çdo vit që nga paslufta, kjo nuk ka ndodhur. 

Të paktën, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në masë të madhe.

Në bazë të gjendjes aktuale, një numër fare i vogël qytetarësh kanë shkuar në Parkun Nacional të Gërmisë, raporton Nacionalja. 

Herëve të tjera, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, hapësirat e gjera të parkut mbusheshin me njerëz që kryenin aktivitete të ndryshme festive. 

Kjo kishte shërbyer që të kritikohej klasa punëtore si e paorganizuar për protestë ndaj institucioneve për kushtet e këqija të punës dhe për protestë ndaj rrogave të vogla. 

Sidoqoftë, gjatë ditës së sotme ka pasur në Prishtinë dy protesta të ndryshme. Njëra ishte e organizuar nga BSPK-ja dhe tjetra nga Kolektivi për veprim feminist. Në të dyja protestat numri i punëtorëve protestues ishte i vogël, duke qenë se ato përbëheshin kryesisht nga përfaqësues sindikalë apo aktivistë.

Derisa protesta e BSPK-së i drejtohej krerëve të institucioneve, ajo e grupit feminist i drejtohej përveç institucioneve edhe shoqërisë kosovare duke denoncuar seksizmin në ndarjen e punëve.

Protesta e fundit është denoncuar nga profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi Smajlaj, si e padinjitetshme duke qenë se ishte e natyrës “simbolike”.

Nuk dihen arsyet prapa mungesës së punëtorëve në protestë apo edhe në daljet e përvitshme në Gërmi. Megjithatë, mund të aludohet se kjo ka të bëjë me festën e nesërme të Bajramit të Fitrit.

Kujtojmë që as masat e pandemisë në vend aktualisht nuk janë aq restriktive. Ndërkohë, dy vitet e kaluara në të cilat vendi përballej me valë të mëdha infeksionesh, numri i pjesëmarrësve në parkun e Gërmisë për 1 maj kishte qenë shumëfish më i lartë.

Tjera nga autori:
1