<b></b> Kundër-korrupsioni nis hetimet ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Kundër-korrupsioni nis hetimet ndaj ambasadorit Martin Berishaj

26.04.2022 12:36

Agjencia kundër Korrupsion ka nisur hetimet për verifikimin e pasurisë së Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Lajmin se AKK na nisur hetimet e ka konfirmuar për Nacionalen drejtori i këtij institucioni, Yll Buleshkaj.

“Agjencia kundër Korrupsion konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të javës së kaluar dhe e njëjta do të trajtohet sipas ligjit dhe afateve ligjore. Rrjedhimisht AKK ka iniciuar procedurat për verifikimin e pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj. Verifikimi administrativ (sipas nevojës edhe hetimi administrativ) që kryhet nga AKK bëhet në formë të pavarur”, thuhet në përgjigjen e AKK-së dhënë Nacionales.

Pos, rolit të mushkës për të transportuar para te një politikan me peshë në Slloveni, ambasadori i Kosovës ka gënjyer në deklarimin e pasurisë në ASK, ku kompaninë “MB Consulting” në Mal të Zi nuk e ka përmendur fare.

Deklarimin e pasurisë, Berishaj si ambasador e ka bërë në janar të vitit 2022, e aty s’e ka përmendur fare kompaninë e tij ‘MB Consulting’, me pronar dhe punëtor vetë Berishajn, ani pse kompania është e regjistruar nga viti 2016 në Mal të Zi.

Nacionale ka raportuar ekskluzivisht me dokument ku tregohet se Berishaj ka deklaruar banesa, tokë, shtëpi e vetura, por të zbrazët e ka lënë rubrikën e “Posedimit të aksioneve në shoqëri komerciale” dhe “Posedimin e letrave me vlerë”, duke mos e deklaruar firmën e tij.

Sipas të dhënave publike në internet, kompania e Berishajt “MB Consulting” është regjistrua më 21 dhjetor të vitit 2016, me të vetmin pronar dhe punëtor, ambasadorin Martin Berishaj.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

Gazeta Nacionale gjatë gjithë kohës ka provuar ta kontaktojë z. Berishaj për ta marrë një prononcim edhe nga ai, por ambasadori ka qenë i paqasshëm, megjithëse në një moment i ka lexuar pyetjet, por ka zgjedhur të mos përgjigjet. Nacionale gjithashtu i ka dërguar email z. Berishaj, por nuk ka marrë përgjigje.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1