<b></b> Kush do t’i paguajë dëmet në Kuvend që i shkaktoi opozita?

Kush do t’i paguajë dëmet në Kuvend që i shkaktoi opozita?

06.05.2022 21:29

Seanca e djeshme në Kuvend e gjeti opozitën më ndryshe. Deputetët e tri partive opozitare ishin shumë të zëshme, madje edhe të zhurmshme.

Krejt kjo erdhi si shkak i temës së (mos)themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë të cilën po e kërkonte opozita, e që pozita nuk pajtohej.

Për ta penguar seancën e rregullt të cilën e nisi kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe për ta arritur qëllimin e tyre për themelimin e këtij komisioni, deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së filluan të godisnin tavolinat me duar e shishe të xhamit.

Këto goditje, nga disa më të fuqishme, e nga disa të tjera më të lehta, shkaktuan dëme të mëdha në tavolinat ku të ulur qëndrojnë deputetët e Kuvendit.

Por, pas gjithë kësaj shtrohet pyetja se kush do t’i paguajë dëmet në sallë?

Ligji i Punës tek pjesa e detyrimeve thotë që “Dëmin e shkaktuar ta paguajnë individualisht ata që e kanë bërë”, që në këtë rast i bie deputeti.
Ndërsa për këtë temë nuk flitet fare në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në një përgjigje për Nacionalen tha se do ta diskutojnë në parti për riparimin e dëmit.

Ai ka thënë se e rëndësishme është arritja e qëllimit për këtë protestë, themelimi i komisionit hetimor për krizën energjetike.

Madje, deputeti Lushtaku thotë se ka dalë vullnetarë që ta riparojë dëmin të cilin e ka shkaktuar.

“Jo nuk ka asnjë ligj në këtë drejtim me sa e di unë. Unë e kam shprehë vet vullnetin tim, që dëmin që e kam ba e riparoj pa problem. Ne nuk kemi qenë gabim sepse kjo protestë ka qenë e drejtë kushtetuese për të arritur qëllimin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë. Në duhet të japim një shembull të mirë edhe me riparimin e dëmit”, ka deklaruar Lushtaku.

Dy partitë tjera opozitare, LDK e AAK, të cilat goditen me shishe e duar tavolinat, thonë se nuk kanë shkaktuar dëme.

Deputetët e këtyre partive që i ka kontaktuar gazeta Nacionale kanë treguar se kanë qenë më të kujdesshëm në këtë drejtim.

“Goditjet kanë qenë kryesisht me laps, por edhe të tjerët që kanë goditë me shishe, goditjet i kanë bërë mbi salveta”, ka deklaruar për Nacionale Armend Zemaj, deputet nga LDK.

Demet i ka mohuar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrija.  “AAK nuk i ka dëmtu tavolinat”, ka deklaruar Kadrija.

Por, çfarë thotë ligji?

Ligji i Punës i obligon deputetët që dëmet e shkaktuara t’i kompensojnë. Në nenin 63 ku flitet për kompensimin  i dëmit nga i punësuari, ligji parasheh detyrimet e tyre. “1. Nëse i punësuari në punë ose lidhur me punën, me qëllim ose me pakujdesi të plotë i ka shkaktuar dëm punëdhënësit, ai është i obliguar ta kompensojë dëmin. 2. Nëse dëmi është shkaktuar nga ana e më shumë të punësuarve, secili i punësuar është përgjegjës për pjesën e dëmit të cilin e ka shkaktuar. 3. Në qoftë se për secilin të punësuar nga paragrafi 2. i këtij neni, nuk mund të vërtetohet pjesa e dëmit të cilit ai e ka shkaktuar, konsiderohet se të njëjtit kanë përgjegjësi të barabartë dhe dëmin e shkaktuar e kompensojnë në pjesë ekuivalente”, thuhet në nenit 63 të ligjit.

Po ashtu, në nenin pasues, ligji tregon për kompensimi proporcional të dëmit. “1. Nëse disa të punësuar, me dashje ose me paramendim i kanë shkaktuar dëme punëdhënësit, për dëmin e shkaktuar do të përgjigjen në mënyrë të barabartë; 2. Ekzistimi i dëmit, lartësia e tij, rrethanat në të cilat është shkaktuar, kush e ka shkaktuar dhe si bëhet kompensimi i dëmit, përcaktohet në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit”, thuhet në nenin 64 të ligjit.

Në seancën e djeshme, pas tensioneve të krijuara, Kuvendi i ka votuar dy komisionet hetimore për energjinë.

Komisioni propozuar nga opozita do të hetojë krizën e fundit energjetike, kurse ai i propozuar nga LV-ja do të hetoj shkaktarët e krizës energjetike prej vitit 2006.

Tjera nga autori:
1