<b></b> Kush është Martin Berishaj, cilat janë lidhjet e tij me Kurtin dhe me kompaninë famëkeqe serbe?

Kush është Martin Berishaj, cilat janë lidhjet e tij me Kurtin dhe me kompaninë famëkeqe serbe?

22.04.2022 10:58

Reagimi i parë i z. Berishaj pas skandalit të publikuar për përfshirjen e tij në aferë financiare me një kompani serbe, nuk e ka shuar asnjë dyshim. Ka shumë pyetje për të, e ai nuk i është përgjigjur asnjërës.

Nuk ka njeri në Kosovë, që e njeh historinë e saj pak përtej hundës së tij, që nuk e ka një respekt për Martin Berishajn dhe veprimtarinë e tij të gjatë në shërbim të vendit. Berishaj është një prej intelektualëve të asaj racës së fundit të viteve të 80-ta dhe viteve të 90-ta, që ishte shndërruar në shërbëtor të vendit të tij. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë ai kishte mbetur në Slloveni, ku kishte krijuar lidhje serioze me klasën e atjeshme politike. Ishte ndër ata shqiptarë, që thuhet, i kishte dyert e hapura në çdo institucion dhe te çdo person i rëndësishëm. Njihej personalisht me Janez Janshën, Milan Kucanin dhe kënd jo tjetër?

Për fatin e tij të keq, partia dhe politikani me të cilin ai u lidh, Vetëvendosje dhe Albin Kurti, ka vendosur që atë pjesë të historisë ta shpallë të pavlefshme, kurse ata njerëz të parëndësishëm. Ka njerëz që kanë dhënë shumë më shumë për Kosovën, se sa që ka dhënë Berishaj, që kanë bërë krime shumë më pak se z. Berishaj, e që për shkak të gjuhës që ishte përdorur ndaj tyre, një pjesë e qytetarëve i urren më shumë krimet e tyre se sa ato të regjimit serb. Fjalën e kam për krahun e luftës.

Sido që të jetë, raportimi i mbrëmshëm i mediave sllovene si dhe plotësimi i atij hulumtimi nga gazeta Nacionale, me të dhëna të reja, e bëjnë të pamundur që skandalin e z. Berishaj, të ndërlidhur me një politikan slloven, ta akomodojmë me lehtësi, duke e pritur fjalën përfundimtare të drejtësisë sllovene. Sigurisht që atë fjalë duhet ta presim, sepse askush nuk ka të drejtë ta dënojë z. Berishaj pa gjyq, por minimumi që duhet të bëhet është që Berishaj të shkarkohet nga pozita që e mban, sepse akuzat janë shumë të rënda.

Ai dyshohet hiç më pak se ka qenë mushka për të bartur para kesh nga Mali i Zi për në Slloveni, që ishin derdhur në xhirollogarinë e tij nga një kompani famëkeqe energjetike serbe, GEN, e që pastaj, Berishaj, i kishte tërhequr ato mjete dhe i kishte dërguar te politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Z. Berishaj në reagimin e tij reagoi duke thënë që është i pafajshëm, por nuk tregoi nëse vërtetë në llogarinë e tij në Mal të Zi, kompania serbe i kishte paguar 600 mijë euro, që pastaj ai i kishte tërhequr? Ai nuk tregoi gjithashtu se nëse kjo ishte e vërtetë, çfarë shërbimi ka kryer ai për këtë kompani? Kompania serbe është kompani mafioze energjetike, kurse Berishaj është politikolog, prandaj ai e ka obligim që t’i japë një kuptim kësaj kontradikte. Nuk mund të tejkalohet kjo me “jam viktimë e një lufte politike në Slloveni”.

Mundësia është enorme që vërtet Berishaj ka rënë pre e një lufte të egër politike në Slloveni, por vetëm ky fakt nuk e amniston atë prej aludimeve të tmerrshme në llogari të tij. Krejt ajo betejë sllovene mund të jetë e kurdisur, e Berishaj prapë të jetë fajtor. Ambasadori i Kosovës në Kroaci, pra Berishaj, duhet të përgjigjet troç dhe pa vonesë, sa para i ka marrë nga kompania serbe, pa u fshehur nga imuniteti diplomatik e politik. Çdo cent i marrë është inkriminues për të dhe për shtetin e Kosovës. Media sllovene i ka publikuar të gjithë raportet financiare, të gjitha pagesat që kompania serbe ia ka paguar ambasadorit të Kosovës.

Gjithë kësaj i vije era edhe më e rëndë, kur dihen raportet e Berishajt me kreun e qeverisë Albin Kurti. Ata ishin dhe janë shumë të afërt. Kryeministri Kurti gjatë vizitave të tij të shumta në Slloveni, tregojnë burimet, nuk ka fjetur në hotele, por në shtëpinë e Martin Berishajt. Nuk është e rastësishme që njeriu i parë që postoi fotografi të tij me krerët e LVV’së, pas fitores së zgjedhjeve te 14 shkurtit, ishte Berishaj. Ai po pinte verë dhe shampanjë me Kurtin e Glaukun. Fotoja e publikuar tregon intimitet dhe afërsi të madhe.

Gjithashtu, Berishaj ka qenë shumë i afërt me institutin slloven, IFMES, i cili institut për një kohë shumë të gjatë ishte rreshtuar pro Kurtit, duke publikuar sondazhe dhe analiza që bënin jehonë në Kosovë. Kurti ishte i ftuar aty sa herë që kishte nevojë për pak vëmendje. Ky nder i bëhej vazhdimisht dhe këtë ia kishte mundësuar Berishaj.

Janë të shumta pikëpyetjet që ngritën për këtë rast. Heshtja e institucioneve të Kosovës për këtë skandal është skandal në vetvete. Çdo minutë që Berishaj qëndron në atë pozitë vetëm sa i ngrit dyshimet që ato qindra mijëra euro të bartura nga Berishaj nga Mali i Zi në Slloveni, kanë mundur të kenë më shumë se sa një adresë.

Tjera nga autori:
1