<b></b> Kuvendi nesër voton për Qeverinë Abazoviq, Mali i Zi nën ethe të kërcënimeve

Kuvendi nesër voton për Qeverinë Abazoviq, Mali i Zi nën ethe të kërcënimeve

27.04.2022 23:02

Mali i Zi u trondit sot nga një seri kërcënimesh, që u dërguan në formë elektronike në adresa të shkollave të shumta të shtetit fqinj.

“Në ambientet e shkollës janë vendosur shumë bomba. Gjithmonë e kemi ëndërruar hakmarrjen”, thuhej ndër të tjera në mesazhin kërcënues.

“Ne do të hakmerremi. Do të vijmë në shkollë. Të gjithë do t’i vrasim. Askush s’do të mbetet i gjallë. I gjithë qyteti do të lahet në gjak”, shkruhej tutje në letrën e kërcënuese dërguar në një shkollë në qytetin e Kotorit.

Gjatë gjithë ditës, Mali i Zi gjatë ka qenë nën ethe, si pasojë e alarmeve për bomba të vendosura në shumë shkolla të vendit.

Kjo ngjarje në Mal të Zi, vjen një ditë para se të votohet Qeveria e re e Malit të Zi, në krye me politikanin me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviq.

Grupe anonime, kanë dërguar mesazhe kërcënuese në shumë shkolla të vendit, në pothuaj të gjithë komunat.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se nuk mund të lejojnë që vendi vuajë për shkak të atyre që deshirojnë ta destabilizojnë atë para zgjedhjes së një qeverie të re.

“Nuk duhet të lejojmë që procesi më i rëndësishëm i një shoqërie siç është arsimi, tashmë i përballur me probleme në funksionim dhe një pandemi, të vuajë për shkak të atyre që synojnë të shkaktojnë emergjenca dhe të destabilizojnë vendin përpara zgjedhjes së një qeverie të re, në prag të sezonit turistik.”, ka shkruar Gjukanoviq në rrjetin social Twitter.

Tutje, Presidenti i Malit të Zi, u ka bërë thirrje organeve kompetente që të reagojnë urgjentisht në lidhje me kërcënimet.

“U bëj thirrje organeve kompetente shtetërore që të reagojnë urgjentisht për raportimet e fundit për vendosjen e mjeteve shpërthyese në institucionet arsimore dhe të tjera. Siguria e fëmijëve, si kategorisë më të ndjeshme të shoqërisë, dhe të gjithë qytetarëve, duhet të jetë prioritet absolut i shtetit dhe i çdo individi.”, ka shtuar Gjukanoviq në reagimin e tij.

Ndërkaq, ai që pritet të jetë kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është shpehur se nuk ka hapësirë për panik.

"Nuk ka asnjë arsye për panik. A është një shaka e pakëndshme, dëshira për ta treguar sistemin më të dobët - ndoshta është kombinim i të gjithave. Shpresoj që fëmijët të kthehen në shkollë së shpejti," tha Abazovic, shkruan Vijesti.

Abazoviq ka thënë se ata që e kërcënojnë kësisoji nuk e duan progresin e shoqërisë në Mal të Zi.

Për më tepër, ai nuk ka përjashtuar mundësitë që këto kërcënime të kenë ardhur nga dashakëqinjtë e qeverisë së re.

“Me bomba kërcënojnë ata që s'e duan progresin e kësaj shoqërie. A janë këto struktura që s'e duan qeverinë e re? Ështe e mundur, por s'do ta lidhja këtë me qeverinë e 43-të. Ata njerëz sigurisht kanë agjenda të caktuara, e ato sigurisht s'janë progresive dhe qëllimmira", ka shtuar Abazoviq.

Nësër, më datë 28 prill, do të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re në Mal të Zi.

Mandatari për kryeministër në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, propozoi sot strukturën dhe përbërjen e pushtetit ekzekutiv, të cilin deputetët pritet ta votojnë nesër në seancën e Kuvendit, në Cetinje.

Qeveria do të ketë 18 ministri, katër nënkryetarë dhe dy ministra pa portofol.

Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave do të udhëhiqen nga minsistra shqiptarë. Marash Dukaj do të jetë ministër i Administratës Publike kurse Fatmir Gjeka ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.

Ndonëse ka vetëm katër deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, Abazoviq është mandatuar nga presidenti Gjukanoviq për të udhëhequr me Kryeministrinë. /Nacionale/

Tjera nga autori:
1